Lenini i Kumbaros, pas Tiranës udhëton drejt Prishtinës
>Premiera e filmit Ne dhe Lenini vijon të shfaqte në ekranin e kinema Millenium. Nga kinemaja, bëhet e ditur se filmi është ndjekur nga grupmosha të ndryshme, dhe më të preferuara kanë qenë oraret e mbrëmjes.Ne dhe Lenini është një film komedi që merr temën nga aktualiteti shqiptar.
Zanafilla e skenarit nis nga drama Streha e të harruarve shkruar nga Ruzhdi Pulaha dhe vënë në skenë në Teatrin Kombëtar nga aktorët më të njohur të skenës. Por nga teatri në film, skenari ka ndryshuar shume, dhe tema e tij sociale është bërë akoma më e mprehtë. Për përpunimin e skenarit regjisorit Saimir Kumbaro ka kërkuar edhe ndihmën e skenaristit amerikan Sean Clarck, por që në fakt nuk është përfshirë si autor i skenarit. Në ndryshim nga teatri, regjisori u frymëzua për të zëvendësuar njërin prej personazheve të skenarit me aktorin Lenin, duke ia besuar rolin kryesor aktorit Lazër Filipi i cili realisht ka interpretuar rolin e Leninit, tek Orët e Kremlinit shumë vite më parë. Përveç Leninit, i cili vjen si një simbol që vë në pah mesazhin kryesor të filmit, komedia e zezë ka edhe simbole e mesazhe të tjera. Disa nga aktorët e përfshirë në film kanë interpretuar edhe në dramën Streha e të harruarve. Ndërsa të tjerët janë ndër aktorët më të mirë të ekranit të madh. Ngjarjet zhvillohen në një shtëpi të moshuarish, e cila quhet Lulet e vjeshtës. Aty, një grusht pleqsh shtyn ditët. Befas i kërcënon rreziku që të mbeten pa shtëpi. Strehës ku ata banojnë i del pronari, një biznesmen që ka vënë diktaturën për kryetar bashkie në qytet. Pleqtë i kundërvihen vendimit të Komisionit të Pronave për anulimin e tij. Ata zbulojnë se kandidati për kryetar bashkie i ka falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe kërkon të përvetësojë një pronë që nuk i takon. Pleqtë kërkojnë ndihmën e Llazar Koritës, aktorit që dikur ka interpretuar Leninin në një dramë të njohur para shumë vitesh, por që ka mbetur në kujtesën e publikut. Lenini hidhet në mbrojtje të së drejtës, por përpjekjet e tij bien në vesh të shurdhët. Ndërkohë që pas Tiranës filmi do të ketë premierën e tij në Prishtinë dhe më pas në Maqedoni. E gjithë loja dhe titulli i filmit përcjellin mendimin e regjisorit kundrejt mentalitetit të kohës, besimit të njëshi që i jep rrugëzgjidhje problemeve. Është pikërisht ky njëshi që nuk lejon shoqërinë të ecë përpara. Ngjarjet e filmit zhvillohen në një shtëpi të moshuarish dhe për realizimin e tij regjisori zgjodhi një shtëpi të moshuarish në Kavajë. Ambienti në fakt është ndryshuar për të ardhur me në përshtatje me filmin. Disa nga banorët e shtëpisë janë përfshirë në role figurantësh. Xhirimet e filmit zgjatën pesë javë dhe filluan në maj të vitit 2006. Me këtë prodhim kinematografik regjisori Saimir Kumbaro i kthehet pas 12 vjetësh filmit, ku më i fundit ishte Vdekja e kalit. Ne dhe Lenini është një prodhim shqiptaro-franko- maqedonas. Aktorë janë Lazër Filipi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Mehdi Malkaj, Elvira Diamanti, Hajrie Rondo, etj. Me 26 janar filmi do të ketë premierën e tij në Prishtinë.