E Diel, 1 Nëntor 2026

Kjo është një ngjarje e rëndë për Sali Berishën

Kryeministri Sali Berisha u përpoq të dukej i pashqetësuar nga mitingu i opozitës, megjithëse komentet gjatë daljes së parë publike ia kushtoi të gjitha atij. Me një humor që shërben vetëm për të të kujtuar se Kryeministri po kërkon të tallet, por jo të të bëjë për të qeshur, Berisha në të vërtetë u impenjua gjithë ditën duke folur për mitingun. Diku talli mitingun, diku talli Ramën, diku talli Metën, por gjithë shqetësimin për t’u tallur e kishte tek mitingu. Kjo mënyrë sjellje nuk është një mënyrë e mirë për t’iu kundërpërgjigjur mitingut.

Berisha mund ta injorojë në publik mitingun, ose mund të japë përgjigje për nivelin e zemërimit qytetar, por nuk mund që, edhe të merret gjithë ditën me mitingun, edhe të bëjë sikur tallet me të. Sajesat banale që disa demonstrues i dërgonin SMS dhe i thoshin eja fol, ngjajnë më shumë si nostalgji dhe xhelozi për sheshin që ia kanë marrë, sesa si përpjekje për t’u tallur. Ky ishte pikërisht kompleksi i inferioritetit që i kishte krijuar mitingu, Kryeministrit shqiptar.

Si një lider që i konsideron pronë të vetën mitingjet në Shqipëri, Berisha realisht ndjehej qartësisht xheloz që bulevardi ishte mbushur me njerëz kundër tij. Me gjithë marrëzitë e së majtës shqiptare, me gjithë betejat banale për flamuj dhe pankarta, me gjithë protagonizmat fals për rreshtat e parë, qytetarët e opozitës kishin dalë në rrugë kundër Sali Berishës. Kjo është një ngjarje e rëndë për Sali Berishën. Është ngjarje e rëndë, pasi është shumë e vështirë në një shoqëri si e jona, të arrish të mbledhësh aq shumë njerëz edhe pa pasur një udhëheqje opozitare kompakte.

Dhe së fundmi, përpjekja e tij për t’u tallur në mënyrë të balancuar me Ramën dhe Metën si drejtues të opozitës, nuk është shumë efektive. Ajo që shqiptarët shikojnë në ekrane është pjesëmarrja në miting. Nëse Berisha u thotë shqiptarëve, që kjo është një opozitë pa liderë dhe ka aq shumë njerëz kundër tij, është dy herë më keq për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›