E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo kombëtare e ka të vështirë të fitojë

Shqipëri-Moldavi 0-0

E mërkurë, më 15 gusht ora 20.30 në stadiumin kombëtar Qemal Stafa

Shqipëria: Ujkani (E.Berisha 46), Dallku, Cana, Mavraj, Lila, Vila( Agolli 72), Memushaj (Roshi 46), Bulku, Bakaj (Hyka 53), Salihi (Zeqiri 61), Çani (Bogdani 46). Trajner: Xh.De Biazi

Moldavia: Namasco, Racu, Bulgaru, Armas, Epureanu, Sutvorov (Doros 58), Gatcan, Onica, Patras (Dedov 76), Covalciuc (A.Pascenco 88), Picusciac (Ovseannicov 50). Trajner: I.Caras

Gjyqtarë: Y.Yildirim, B.Tuncay Akkin, S.Gencerler (Turqi)

Kartona të verdhë: Mavraj / Patras

Barazim pa gola ndaj Moldavisë dhe kjo skuadër e ka nisur me bardhësi aventurën për Brazil 2014. Euforia e pragut, duket se është shuar pas ndeshjes. Nëse trajneri De Biazi ka deklaruar se ndeshja me Moldavinë do ish një test i mirë, besojmë se pas saj nuk ka mbetur edhe aq shumë entuziast. Nëse kapiteni Cana ka deklaruar se nuk duhet të lemë pikë në shtëpi, ndeshja e së mërkurës ka treguar se ne e kemi të vështirë të fitojmë brenda, ndaj kundërshtarësh modestë.

Një pjesë e parë e vakët, ku nëse nuk do ishin dy raste, pas dy gjuajtjeve me kokë nga ana e Canit e një goditjeje nga larg e Bulkut dhe e pritur me vështirësi nga portieri mik, shënimet tona do ishin 0. Trajneri De Biazi ka nisur ndeshjen me një formacion të rinovuar, ku Bogdani ka qenë në stol, ndërkohë që në mesfushë vend kanë zënë Vila e mumushaj. Në sulm kanë qenë Salihi e Cani, një dyshe, e cila të paktën në ndeshjen e së mërkurës ka treguar se pak merren vesh me njërit – tjetrin. Megjithatë duhet thënë se edhe mesfusha nuk është se i ka dhënë shumë hapësira sulmuesve. Në minutën e dytë skuadra jonë ka dhënë sinjalin e parë. Vila ka marrë një inkursion të shpejtë, ka krosuar në zonë, por Cani me kokë ka gjuajtur jashtë. Më pas, nëse dikush do kishte sapo pak gjumë, mund të flinte, pasi loja e skuadrave ka qenë thjesht rutinë. Atë e ka prishur në minutën e 34 Bulku, i cili pas një gjuajtje nga rreth 30 metra ka vënë në vështirësi të mëdha portierin mik, ndërkohë pas 5 minutash ka qenë përsëri Cani që me kokë ka gjuajtur jashtë. Këtë herë krosi ka mbërritur nga e majta, por sërish Cani ka gjuajtur jashtë

Pjesa e dytë është më interesante. Më shumë tifozë në stadium dhe më shumë entuziazëm nga futbollistët, të cilët kanë hyrë në fushën e lojës. Hyka merr inkursione të shpejta, Bogdani kthehet në epiqendër të sulmit, ndërkohë që krahun e djathtë Odhise roshi është i jashtëzakonshëm. Janë minuta, ku skuadra jonë mund dhe duhet të kish shënuar, por herë nga pakujdesia e herë nga nxitimi kanë humbur raste që vërtet mund të ndryshonin rrjedhën e ndeshjes. Eshtë mesi i pjesës së dytë dhe skuadra shqiptare ka frenat e lojës në dorë. Trajneri vazhdon zëvendësimet e ka minuta lojë edhe Ansi Agollin, i cili gjithsesi në ndeshjen e Qipros do të jetë i skualifikuar e në këtë mënyrë do të mungojë. Dhe i sapo futuri në lojë ka treguar klas në minutën e 27-të, kur ka krosuar e Roshi ka tentuar, por gjuajtja e futbollistit të TSV Franfurt ka përfunduar jashtë. Tre minuta shtesë, por nuk më asgjë e përfundimisht një tjetër ndeshje pa humbje për skuadrën tonë kombëtare, por natyrisht edhe pa fitore e kjo mbase të shqetëson pak.

Te veçanta

Rreth minutës së 25-të të pjesës së parë një grup tifozësh të Partizanit, duke valëvitur flamurin e skuadrës së tyre të zemrës kanë thirrur disa herë në korr emrin e Elis Bakaj. Kjo ndoshta edhe nga kënaqësia, që me skuadrën kombëtare të Shqipërisë po aktivizohej njëri prej lojtarëve që ka luajtur më parë me të kuqtë e kryeqytetit.

Para fillimit të takimit u mbajt 1 minutë heshtje në shenjë respekti për ndarjen nga jeta para disa javësh të ish-trajnerit të Kombëtares, Medin Zhega. Ndërkohë që rreth minutës së 10-të të sfidës u thirr disa herë emri i tij nga tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit, kjo për të treguar edhe një herë respektin për kontributin e tij me skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë dhe të klubeve ku ai është aktivizuar dhe ka qenë trajner.

Uniforma e re e skuadrës Kombëtare ishte pak a shumë e ngjashme me atë të Skënderbeut. Kjo ide krijohej nga vijat e bardha të dizenjuara në supet e bluzave sportive që mbanin veshur futbollistët tanë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›