E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portieri Ervin Nuredini firmos me Gramozin

Nga KRISTI LILO

Kolonjarët vijojnë fazën përgatitore të drejtuar me tepër seriozitet nga dyshja Peçi Shupe, ku të gjithë futbollistët duken të përkushtuar e me dëshirë për të asimiluar më të mirën e mundshme. Një periudhë kjo e karakterizuar nga afrime e largime futbollistësh të shumtë, që nuk kanë marrë pëlqimin e stafit teknik. Por, rëndësi ka që ekipi është i populluar me lojtarë, të cilët kanë dëshirë të veshin fanellën e Gramozit, ku përveç katër brazilianëve që kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer ndaj beratasve, duke u duartrokitur së tepërmi nga tifozeria kolonjare, ditën e mërkurë ekipit i është bashkuar dhe i shumëpërfoluri gjatë këtyre ditëve, portieri Ervin Nuredini, një lojtar me të dhëna të kënaqshme. Ai ka qenë pjesë  e Gramozit edhe para dy sezonesh kur skuadra arriti me meritë të ngjitet në Superligë, falë edhe aftësive të shkëlqyera të Nuredinit, i cili në takimin e  play-out-it ishte pika kryesore e skuadrës. Por ky nuk është afrimi i fundit pasi brenda javës së ardhshme, sipas trajnerit Peçi tek Gramozi do të ketë prurje të tjera pasi ekipi ka marrë mbështetjen e plotë të kryebashkiakut z. Laho për të kontribuar financiarisht, në mënyrë që skuadra të mos qëndrojë më shumë se një sezon në Kategorinë  e Dytë. Që nga dita e sotme kolonjarët do të fillojnë të kryejnë seancat stërvitore dy herë në ditë, ku tashmë pas largimit të Tomorit, hapësira për të zhvilluar në një kohë sa më të përshtatshme përgatitjet është më e madhe. Kështu dje, në seancën e paradites, ngarkesa e marrë nga futbollistët ka qenë e lartë pasi i janë nënshtruar një testi kontrolli me vrapime dhe ushtime të ndryshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›