Kjo kombëtare premton, por të mos ëndërrojë para kohe
Pas tri miqësoreve trajneri Xhani De Baizi bën apel. Unë nuk jetoj me ëndrra, por me realitetin, prandaj i kërkoj skuadrës të tregojë shumë kujdes në eliminatore
Një ditë më parë pas fitores kundër Iranit do të dilte me flamurin kuqezi. Ky ishte trajneri i skuadrës tonë përfaqësuese Xhani De Baizi. E meritonte, pasi ka fituar dy ndeshje dhe morali i tij dhe skuadrës, ka qenë shumë i lartë. Një ditë më pas mesa duket është qetësuar, ka qetësuar mendimet dhe në konferencën për shtyp në Tiranë është paraqitur me një këmishë dhe xhaketë, duke respektuar atë, e cila quhet edhe kulturë.
Me një zë mjaft të qetë, duke artikuluar në mënyrën më perfekte çdo fjalë, ai ka dhënë të gjitha argumentet lidhur me punë e bërë në këto 5 muaj që drejton skuadrën tonë përfaqësuese.. Emocioni i dy fitoreve duket se i është larguar dhe këmbë në tokë, trajneri flet për eksperiencën e tri ndeshjeve të luajtura, por sidomos për ato që e presin më pas, pra eleminatoret e grupit tonë.
Ndeshjet e luajtura
Nuk mund të thotë asgjë më shumë se sa të vlerësojë frymën e grupit. Kanë ndeshje qenë në një nivel shumë të lartë. Të gjithë futbollistët e aktivizuar kanë treguar dhe manifestuar një solidaritet mjaft interesant me njëri-tjetrin, duke i shërbyer në këtë mënyrë skuadrës kombëtare.
Nuk ka evidentuar pozitivitet, apo mangësi të paktën deri në këto momente, por është mjaftuar të tregojë atë që ai mendon për këtë skuadër, por me një filozofi shumë interesante ka vazhduar. Kemi një grup futbollistësh shumë të motivuar, ku nuk ekzistojnë zilitë dhe armiqësitë mes njëri-tjetrit. Janë gjëra, të cilat për mua janë shumë të rëndësishme.
Janë premise shumë pozitive për nisur e vazhduar një punë mjaft të gjatë Megjithatë, duke hyrë në planin taktik ai ka vazhduar. I kemi dhënë mundësi të luajnë të gjithëve, pasi miqësoret për këtë qëllim vlejnë. Kemi aktivizuar edhe të rinj ardhur nga ekipet U-21, apo edhe nga vende të tjera, të cilët kanë treguar veten dhe kanë justifikuar fanellën.
OK, skuadra ka treguar grintë, ekipi ka treguar solidaritet, trajneri ka qenë mbase Mister grinta i kësaj skuadre (gjatë gjithë kohës në këmbë, duke udhëzuar skuadrën), por të gjitha këto vlejnë pak për të pretenduar se kështu do vazhdojmë edhe ndeshjet e tjera. Këtë gjë trajneri e di mjaft mirë, është një profesionist i vërtetë dhe kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë.
Mendoj se rezultatet nuk vijnë kurrë vetë, ato janë fryt i një punë të skuadrës, e cila është më e kujdesshme se tjetra dhe që gabon sa më pak si aspektin teknik, ashtu dhe në atë taktik. Në fakt në tria miqësoret skuadra ka gabuar pak, por sa vlejnë këto miqësore? A vlejnë ato për të besuar e shpresuar se do mund të kemi shanse për eleminatoret e botërorit 2014 në Brazil? De Biazi flet, madje shumë hapur e shkoqur.
Perspektiva e eleminatoreve
Jemi një grup shumë interesant, kemi përballë të paktën tri skuadra shumë të forta. Norvegjia, Sllovenia dhe Zvicra janë shumë të forta dhe janë vërtet të tilla. Unë nuk jetoj me ëndrra, por me realitetin, prandaj i kam kërkuar skuadrës të ketë shumë kujdes. Pra mendoj se kjo skuadër duhet të njohë limitet e veta, pa bërë shumë bujë e pa fantazuar shumë. Na pret një grup shumë i vështirë, por kjo nuk do të thotë që nuk do kërkojmë të ,kualifikohemi.
Nëse dikush vendos një objektiv në jetë duhet ta ndjekë, më pas janë shumë kushte dhe faktorë, të cilët vendosin, nëse ai realizohet apo jo, sepse futbolli i tillë është i gatuar. Të gjithë e dimë se fitorja dhe humbja ndahen me detaje. Nëse ne vrapojmë më shumë se kundërshtari, nëse bëjmë më pak gabime se ai, edhe rezultati është logjik.
Mbase e vërtetë, por vetëm në futboll logjika vështirë se ndikon, megjithatë të paktën në këto tri miqësore, trajneri ka treguar se di të përdorë gjithçka, di të përdorë grintën, di të përdorë të rinjtë, e po kështu edhe motivimin e skuadrës. Përveç kësaj, ne planin tekniko-taktik trajneri italian i Shqipërisë ka treguar se i ka dhëne mundësinë shume futbollisteve qe te provohen me fanellën kuqezi, madje ka aktivizuar edhe te rinj te cilët kane ardhur nga ekipi Kombëtar Shpresa.
Ne listën time – ka deklaruar De Biasi - janë 30 futbolliste te cilët do te jenë protagonistet kryesorë për skuadrën e cila do të zhvilloje takimet për Eliminatoret Brazil 2014. Deri ne fillimin e ndeshjeve zyrtare – ka deklaruar ai – kemi edhe miqësoren me Moldavinë në Tirane, e cila është një test tjetër i rëndësishëm përpara takimit te pare me Qipron ne Tirane.
Jam i bindur, tani pas tri ndeshjeve miqësore se mund të luajmë në disa module të ndryshme e kjo në varësi të kundërshtarit. Natyrisht miqësoret na kanë ndihmuar shumë në përcaktimin e tij. Por tani për tani nuk mund të premtoj si do luajmë, skuadrën përfaqësuese me fytyrë të plotë do e ndjekim në shtator në ndeshjet kualifikuese.
Në këtë kuadër edhe ndeshja e 15 gushtit do vlejë për këto testime. Do jenë testime, ku unë në këndvështrimin tim do krijoj disa skema për të parë gadishmërinë e kësaj skuadre për të ndryshuar fizionomi dhe mënyrë loje gjatë një ndeshjeje. Pavarësisht se fituam kam mendimin se kjo skuadër mund të bëjë mjaft më mirë në aspektin teknik, apo ndërtimit të lojës.
Cfarë mund dhe çfarë duhet ndryshuar
Këtu trajneri është shumë i prerë dhe i qartë. Nëse deri pak më parë ka folur mbase deri diku me doreza, në këtë aspekt si profesionist, ai del hapur. Kemi mangësi? Po, shumë herë humbasim topin në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Një favor për kundërshtarin, i cili mund të na kapë në vështirësi. Janë gjëra që nuk duhet të ndodhin. Fakte të provuara në tria miqësoret e radhës, por njëkohësisht asnjë gjë e re. Të njëjtin fakt e kanë konstatuar edhe paraardhësit e De Biazit.
Të urojmë që ta riparojmë sa më shpejt. Anët pozitive? Natyrisht që kam parë shumë – do deklaronte trajneri i kuqezinjve. Kur nuk kemi topin në zotërim, skuadra vendoset mjaft mirë në fushë, mbulon mjaft mirë taktikisht dhe mbase është momenti më i mirë këtij grupi futbollistësh
Grupi futbollistëve
Në fund edhe një opinion për të gjithë ata që ka aktivizuar, por që edhe mund të ketë në dispozicion. Nuk ka përmendur emra, por është limitizuar me disa indikacione. Unë provova Orges Shehin. Edhe pse është 35 vjeç ai vlen për kombëtaren. E mora thjesht si shembull për të treguar se të gjithë vlejnë. Deri tani kam një grup prej 30 lojtarësh, të cilët janë të gjithë të aftë të jenë pjesë e kombëtares shqiptare.
Në këto miqësore kemi pasur disa mungesa, të cilat shpresoj të mos i kem në ndeshjet zyrtare, të cilat fillojnë në shtator kundër Qipros. Megjithatë ka edhe një ndeshje tjetër testuese, atë kundër Moldavisë në 15 gusht. Aty mund të jetë edhe formacioni më i mirë, ndonëse mund të ketë edhe shumë surpriza e pse jo edhe eksperimente të tjera, ashtu sikundër premton trajneri De Biazi Megjithatë një gjë është e sigurt, trajneri ka në kokë ata që do jenë pjesë e kombëtares kuqezi