E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Dishës, Bujar Gashi rrezikon 25 vjet burg

Prokuroria kërkoi dënimin e anëtarit të bandës së Durrësit me 25 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë, duke e akuzuar atë për vrasjen e Dritan Dishës. Pritet vendimi i gjykatës

Tiranë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me 25 vjet heqje lirie dhe 800 mijë lekë gjobë për Bujar Gashin, një nga të pandehurit e “Bandës së Durrësit”, i gjykuar veçmas të tjerëve në këtë proces. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, të lexuara dje në sallën e gjyqit, prokurori tha se Bujar Gashi ka qenë pjesë e “Bandës së Durrësit” deri në vitin 2000 dhe më pas është larguar drejt Italisë, ku është arrestuar si një nga personat e shumëkërkuar të Interpolit. Sipas prokurorisë, Gashi që gjykohet veçmas të pandehurve të tjerë, është i akuzuar për një vrasje të kryer në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të “Bandës së Durrësit”. Prokurori tha se i pandehuri Bujar Gashi duhet të shpallet fajtor për vrasjen me paramendim të Dritan Dishës, vrasje kjo që sipas konkluzioneve përfundimtare të akuzës ka qenë e organizuar dhe e kryer për hakmarrje. Përfaqësuesi i akuzës argumentoi pozicionin e të pandehurit në këtë krim, duke përshkruar edhe ngjarjen ku është përfshirë Bujar Gashi, Indrit Taullai, Adriatik Coli dhe Indrit Dokle. Sipas pretencës, Gashi dhe Taullai janë vendosur në fshatin Shënavlash me synim të paralajmëronin Adriatik Colin dhe Indrit Doklen, që kishin zënë pritë për të vrarë Dritan Dishën. Sapo Disha ka kaluar me automjetin e tij në drejtim të banesës, dy bashkëpunëtoret kanë njoftuar me të shtëna armësh shokët e tyre, të cilët me pas kanë qëlluar me kallashnikov drejt viktimës. Për këtë ngjarje nuk u argumentua akuza e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, që rëndon ndaj Gashit, ku pati edhe një debat mes prokurorit dhe avokatit të të pandehurit, Ilia Ilia. Po ashtu, prokuroria shpjegoi se në vendin ku u vra Disha u gjetën 40 gëzhoja, 38 prej të cilave është vërtetuar se kanë dalë nga armët që ka qëlluar Coli dhe Dokle, ndërsa për dy gëzhojat e tjera nuk është identifikuar arma që i ka qitur. Edhe për këtë çështje pritet që avokati i Gashit të mbajë qëndrimin e tij gjatë konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes. Po ashtu, avokatët janë duke u përgatitur dhe pritet të prezantojnë në Gjykatë pretendimet e tyre rreth akuzave që prokuroria ka ngritur ndaj 16 të pandehurve të tjerë, për të cilët përfaqësuesi i akuzës kërkoi katër dënime me burgim të përjetshëm dhe qindra vite burg. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›