Klandestinët afganë në Perëndim, kapen klandestinë
Albert Gjoka
ROMË - Policia italiane, në koordinim me Europol-in, ka asgjësuar një rrjet të madh ndërkombëtar të trafikimit të klandestinëve nga vendet aziatike drejt Perëndimit, përmes kalimit tranzit nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Burimet zyrtare të agjencisë europiane të luftës kundër krimit kanë bërë të ditur arrestimin e 26 personave, ku ka edhe shtetas shqiptarë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ata akuzohen për trafikimin klandestin të 200 emigrantëve gjatë muajit gusht të vitit 2008. Trafikantët përdornin një linjë që kalonte nga Pakistani, Irani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas ata kalonin në mënyrë ilegale drejt Italisë, me destinacion vendet e Perëndimit.
Operacioni
Nga 3500 – 5000 euro për të shkuar nga Afganistani në Norvegji, Suedi apo në Britaninë e Madhe. Kjo është tarifa që u kanë paguar trafikantëve afganët që kanë bërë një sakrificë të madhe për të kërkuar një jetë më të mirë. Por, megjithëse kanë kaluar gati 2 vjet e 5 muaj, autorët e trafikimit ndërkombëtar të klandestinëve kanë rënë në pranga. Europol-i ka nisur hetimet që në momentet e para dhe rezultatet e hetimit i kanë çuar ekspertët në Itali. Gjatë vitit 2010 janë vënë në filtër të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet ndërkontinental trafikimi. Baza e hetimeve ka qenë në Romë dhe në ndihmë kanë ardhur edhe shkëmbimi i informacioneve nga autoritetet policore. Burimet zyrtare pohojnë se operacioni është bërë edhe më mbështetjen e Eurojust, një agjenci europiane e specializuar për luftën kundër krimit.
Rezultatet
Të paktën 26 persona përfunduan në pranga më 11 janar të këtij viti, në mbyllje të operacionit për goditjen e trafikut klandestin. Pjesa më e madhe e arrestimeve janë bërë në Itali, Francë dhe Gjermani. Rrjeti kriminal ishte i sofistikuar, pasi prodhonte dhe shpërndante dokumente identiteti false dhe përdorte një sistem të veçantë të transferimit të pagesave. Ai quhej “Hawala” dhe e kishte bazën në Francë. Përmes tij bëhej shpërndarja e të ardhurave që siguroheshin nga aktiviteti ilegal. Rreth 20 për qind e klandestinëve ishin minorenë dhe pikërisht këtu ka nisur edhe indicia për rrjetin ndërkombëtar të trafikut klandestin.
Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar disa raste të trafikimit të shtetasve afganë dhe pakistanezë, ku është përdorur tranzit territori shqiptar. Rasti më i fundit ishte në Elbasan, ku u ndaluan dy afganë dhe një pakistanez. Në vitin 2008, pikërisht në kohën kur u bë trafikimi i afganëve përmes rrjetit ndërkombëtar, janë ndaluar në mjete të mëdha të transportit rrugor një numër jo i vogël i shtetasve afganë në Kapshticë dhe Kakavijë.
ITINERARI I TRAFIKIMIT
Afganistan-Pakistan–Iran-Turqi–Greqi–Shqipëri–Itali
Afganistan-Pakistan–Iran-Turqi–Greqi–Bosnjë–Itali
Afganistan-Pakistan–Iran-Turqi–Greqi–Kroaci–Itali
Afganistan-Pakistan–Iran-Turqi–Greqi-Mali i Zi–Itali
Afganistan-Pakistan–Iran-Turqi–Greqi–Slloveni–Itali
DESTINACIONET
Norvegji, Suedi, Britani e Madhe, Austri, Francë, Gjermani dhe Holandë
Trafikimi i heroinës, kapen në Durrës dy maqedonas dhe një kroat
DURRËS - Tre qytetarë të huaj, dy maqedonas dhe një kroat, janë vënë në pranga mesditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se, gjatë operacionit emëruar "Kodi 98" është bërë sekuestrimi i 3.3 kilogramëve drogë e llojit heroinë dhe në pranga janë vënë tre pasagjerët që ndodheshin në makinën me targa të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup. Operacioni ka nisur fillimisht me kontrollin ndaj një mjeti me targa të Shkupit dhe ka përfunduar me sekuestrimin e sasisë së konsiderueshme të heroinës në autostradën Tiranë-Durrës, që dyshohet se vinte nga Kroacia dhe kishte si destinacion Italinë. Dy maqedonasit bashkë me kroatin ishin duke udhëtuar për në qytetin bregdetar ku më pas do të merrnin rrugën drejt Italisë, ku do të çohej dhe lënda narkotike për t’u shitur.
Operacioni
Burimet zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se personat e arrestuar janë identifikuar si Fatmir Osmani nga Gostivari, Arif Arifi nga Tetova dhe kroati Berislav Vigorviç. Tre personat në fjalë janë kapur në flagrancë në qytetin e Durrësit, gjatë një kontrolli të ushtruar nga efektivët e policisë në kuadër të planit operacional të nisur disa ditë më parë me urdhër të krerëve të Policisë. Ndalimi i tre të huajve është bërë gjatë kohës kur udhëtonin me automjetin tip “BMW” me targa SK 588 UC. Gjatë kontrollit të ushtruar u gjetën 6 pako e gjysmë me substancë, e cila për nga karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike heroinë. Policia tha se dyshohet që lënda narkotike është me origjinë nga Kroacia. Por ende nuk është përcaktuar plotësisht vendi i prejardhjes së heroinës. Uniformat blu thanë se destinacioni i drogës ishte Italia.
Sekuestrimi
Informacionet e marra në rrugë operative kanë nxitur Policinë e Durrësit të kryejë kontroll ndaj mjetit me targa të Shkupit, në dalje të qytetit bregdetar. Droga mësohet se është gjetur e fshehur në parakolpin e makinës, kurse të arrestuarit janë dy shtetas maqedonas dhe një kroat. Policia kreu të gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim iu dërguan për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit të Durrësit. Nga informacionet e para mësohet se droga ishte e destinuar për tregun e brendshëm, ndërsa nga ana e policisë, ashtu sikurse dhe e prokurorisë, po hetohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikimit të lëndës narkotike.
Sekuestrohen 5 kg marijuanë, prangoset 36-vjeçari
GJIROKASTËR - Sekuestrohen 5 kilogramë marijuanë dhe një pushkë, ndërsa në pranga ka rënë dhe poseduesi i tyre. Burime nga Policia e Gjirokastrës bënë me dije gjatë ditës së djeshme se është arrestuar shtetasi Naim Bizhga, 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Zenelaj në komunës Çepo, ka rezultuar se në banesë kishte armë zjarri dhe lëndë narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 36-vjeçarit policia ka gjetur në dhomën e gjumit të tij një armë zjarri automatike, pushkë 20-she dhe një thes të bardhë plastmasi të mbushur me 5 kg lëndë të dyshuar si marijuanë, në formën e bohçes e futur rifuxho. Pas sekuestrimit të drogës dhe armës, policia ka bërë të mundur edhe arrestimin e 36-vjeçarit Naim Bizhga, i cili akuzohet për "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve", si dhe "prodhim dhe shitje të narkotikeve".
Pukë, sekuestrohen 4 kg Cannabis në banesë
PUKË – Sekuestrohen 4 kilogramë lëndë narkotike gjatë një kontrolli dhe përfundon në pranga një shtetas 36-vjeçar. Policia e qarkut të Shkodrës bëri të ditur se ka arrestuar shtetasin Enver Beqiri, 30 vjeç, lindur e banues në lagjen “Peshvë”, në qytetin e Pukës. “Arrestimi tij u bë pasi nga informacionet e marra dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 kg lëndë narkotike Cannabis sativa, në gjendje të tharë”, - thotë policia. Sipas saj, “materialet në ngarkim të shtetasit Enver Beqiri i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.
14 Janar 2011