E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klanet në PD, 2 variante për zgjedhjen e presidentit

• Pas bllokimit nga disa deputetë të PD-së, në komisionin e Ligjeve mënyrën e zgjedhjes së presidentit, debati për këtë çështje është spostuar në kryesinë dhe grupin parlamentar të partisë më të madhe të maxhorancës.

ADI SHKEMBI

 60 minuta në kryesi dhe rreth 120 minuta në grup kanë bërë që kryeministri Berisha të gjejë një zgjidhje të mesme, e cila të kënaqë të gjitha rrymat në PD. Kështu në votimin në Kuvend, grupi i maxhorancës do të dalë me dy propozime, atë të zgjedhjes së presidentit në popull dhe për zgjedhjen e presidentit me 70+1 vota.
Debati në kryesi
Si në kryesi ashtu edhe në grupin parlamentar, kryeministri Berisha është përballur me propozimin e zgjedhjes së presidentit në popull. Burimet bëjnë të ditur se, kreu i qeverisë në parim nuk ka qenë kundër këtij propozimi, por problemi i vetëm sipas tij është pikërisht gjetja e 94 votave të nevojshme për ndryshimet në Kushtetutë. Në mbledhjen e kryesisë kanë qenë Edmond Spaho dhe Aldo Bumçi, të cilët janë shprehur për zgjedhjen e presidentit nga populli. Bëhet e ditur se, kreu i qeverisë pas këtyre propozimeve është shprehur se një gjë e tillë është e vështirë për t’u bërë, por sidoqoftë e ka lënë të hapur atë. “Nuk ka asnjë diskutim që Partia Demokratike dhe Sali Berisha ka qenë për zgjedhjen e presidentit nga populli. Sikundër PD-ja dhe Sali Berisha kur kanë shkruajtur kushtetutat, i ka shkruajtur për zgjedhje nga Parlamenti. Këto janë të vërteta pasi ka një histori në këtë vend. Unë jam që në rast se bëhen 94 vota, do të jem i pari që do të jap votë. Por neni i krizës, i 84 votave të cilin nuk e ka Gjermania, Italia, Çekia dhe shumë vende të botës, e kemi vetëm ne dhe një vend tjetër. Ai nen nuk ka pse të qëndrojë si shpatë e Demokleut”, u shpreh kryeministri në përfundim të mbledhjes së kryesisë.
Debati në grup
Por në mbledhjen e grupit parlamentar janë shtuar akoma më shumë zërat për zgjedhjen e presidentit nga populli. Fillimisht ka qenë ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili ka shprehur votën e tij kundër zgjedhjes së presidentit në Parlament, me formulën që propozon PD-ja. “Nuk do të votoj për zgjedhjen e presidentit me votim të thjeshtë. Unë propozoj që presidentin ta zgjedhim në popull. Ju keni marrë një proces jo transparent dhe keni bërë ndryshime kushtetuese pa diskutuar me ne”, mësohet të ketë thënë Mustafaj dhe më pas është larguar nga mbledhja. Pro qëndrimit të ish-ministrit të Jashtëm kanë qenë edhe Sali Shehu, Pal Dajçi, Ndriçim Babasi e Dashnor Sula, të cilët e kanë artikuluar edhe më përpara këtë propozim. Madje, deputeti Sali Shehu mësohet të ketë thënë në mbledhjen e grupit parlamentar se, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të gjetur numrin e mjaftueshëm të votave. Ndërkohë Preç Zogaj është shprehur se, “Duhet të ketë një harmonizim, pasi nëse do të bëjmë zgjedhjet me proporcional rajonal, atëherë duhet patjetër të zgjedhim presidentin nga populli, pasi ky i fundit duhet të zgjedhë patjetër një prej pushteteve”. Kritik ndaj variantit të parë të PD-së ka qenë edhe deputeti Leskaj, i cili është shprehur se, Trashani ka gabuar me atë propozim, pasi sipas tij, PD-ja është shprehur pro zgjedhjes së presidentit në popull. Edhe në këtë forum të partisë, kryeministri Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke u dhënë mundësi deputetëve që duan që presidenti të zgjidhet në popull, të mbledhin firmat për një propozim të tillë.

Mblidhen firmat për president nga populli

Pas marrjes së “OK” në grupin parlamentar për nisjen e mbledhjes së firmave për zgjedhjen e presidentit nga populli, dy deputetët e PD-së Pal Dajçi dhe Sali Shehu kanë nisur zyrtarizmin e kërkesës. Burime pranë grupit të PD-së bëjnë të ditur se, zyrtarisht janë hedhur firmat e 25 deputetëve, ndërkohë që gjashtë deputetë të tjerë kanë konfirmuar firmosjen e nisjes, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë për shkak të angazhimeve jashtë kryeqytetit. Lista e firmëtarëve kryesohet nga deputeti i Vlorës Bujar Leskaj, ndërkohë që në të janë thuajse të gjithë deputetët të njohur si përkrahës të presidentit Topi, si Pal Dajçi, Ëngjëll Cara, Dashnor Sula, Ndriçim Babasi, Sali Shehu etj. Në këtë listë bien në sy edhe emrat e ministrave, Nard Ndoka e Gazmend Oketa, si dhe një numër i madh deputetësh të partive aleate. Pro kësaj nisme kanë votuar edhe deputeti i PDK-së, Ndue Shpani, deputetët e PR-së, Hasanbelliu, Sharku e Mediu etj. Ndërkohë edhe gjashtë deputetë të tjerë, ndërmjet të cilëve Biberaj, Metalla e Arjan Madhi kanë konfirmuar se do ta firmosin nismën. Konfirmimin e mbledhjes së firmave e ka bërë pikërisht deputeti iniciator Pal Dajçi, i cili në përfundim të mbledhjes së grupit bëri të ditur se, PD-ja do të votojë fillimisht propozimin për të votuar presidentin nga populli dhe më pas nëse një gjë e tillë nuk do të bëhet e mundur, atëherë do të votohet varianti tjetër, me 70+1 vota. “Do të diskutohet, do të bëhet propozimi edhe për votimin nga populli dhe nëse do të gjejmë mbështetjen parlamentare do ta votojmë. Firmat janë gjetur dhe do të depozitohen në komisionin e Ligjeve. Nëse nuk gjendet mbështetja për ndryshime kushtetuese do të mbështetet varianti politik i PD-së. PD-ja do të votojë të dyja variantet. Pra, do të votojë variantin e parë të zgjedhjes së presidentit nga populli dhe pastaj do të vazhdojë me vendimin politik, dhe që është i akorduar edhe me forcat e tjera”, theksoi Dajçi në përfundim të mbledhjes së grupit.

firmetaret

Bujar Leskaj
Besnik Mustafaj
Spartak Ngjela
Pal Dajçi
Engjëll Cara
Dashnor Sula
Ndriçim Babasi
Sami Gjergji
Sali Shehu
Edmond Spaho
Mevlan Xhindoli
Besnik Bisha
Ndue Shpani
Genc Sharku
Artur Hasanbelliu
Frrok Gjini
Ymer Tola
Rexhep Uka
Spiro Peçi
Nard Ndoka
Fatmir Mediu
Gazmend Oketa
Preç Zogaj
Edi Paloka
Eris Hoxha
Arjan Madhi
Aleksandër Biberaj
Osman Metalla
Hajrulla Paturri
Alfred Gega
Mehmet Xheka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›