E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do fitojmë në zgjedhjet e 2009

• Mijëra anëtarë të LRI manifestim në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë

Aristir Lumezi

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, garantoi dje të rinjtë e LRI-së se forca e tyre do të jetë fituese në zgjedhjet e vitit 2009.

"Në vitin 2009, përmes fitores që ne do të arrijmë përmes një koalicioni shumë të gjerë, që do të shtohet dhe do të forcohet çdo ditë e më shumë, do të hapim një epokë të re të integrimit midis shqiptarëve dhe integrimit të vendit tonë në BE", tha Meta. Kreu i LSI-së i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen me forcën që ai drejton, pasi politika e sotme vetëm i ka zhgënjyer ata. "Ne do t'u ofrojmë mundësi kujtdo që i është vrarë shpresa e është lënë mënjanë nga babëzia e një politike, që ka si qëllim të vetëm përfitimin abuziv përmes pushtetit të qytetarëve, për të mbështetur këdo që kërkon të ndërtojë një të ardhme në këtë vend, por që ëndrra i vritet përditë nga pushtetarë grabitqarë, nga politikanë makutë e nga pseudoliderë pa identitet, pa ndjenja, pa përgjegjësi e pa memorie historike", tha Meta. LRI organizoi dje një takim entuziast në pallatin e sportit "Asllan Rusi", duke dhënë mesazhin e një force që kërkon zhvillim të menjëhershëm dhe rrënjësor në politikën e vendit. Me një koreografi të pa aplikuar më parë, në qendër të pallatit të sportit, në një panel të përgatitur për këtë aktivitet, drejtues lokalë të LRI-së, përfaqësues të Universiteteve të Vlorës, Elbasanit, Korçës, Shkodrës, Durrësit, përkraheshin në mesazhet nga entuziazmi i bashkëmoshatarëve të tyre që kishin mbushur plot shkallët. Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, kërkoi nga të rinjtë të shtojnë radhët për të marrë fatet e vendit në dorë. Takimi ishte konceptuar nën motivin "Dua më shumë Shqipërinë", tekstin e së cilës të gjithë bashkë e kënduan në nisjen e aktivitetit. Duke mbështetur LRI-në në të gjitha aktivitetet që ky forum ka zhvilluar kohët e fundit, Ilir Meta i ka përgëzuar ata si promotorë të organizimit dhe angazhimit të një numri të madh të rinjsh të shkolluar dhe me ambicie për të ardhmen e vendit. 
Para të rinjve që kishin tejmbushur pallatin e sportit "Asllan Rusi" në Tiranë, Ilir Meta përgëzoi LRI-në për trajektoren e suksesshme që ka përshkuar në ringritjen e ndjenjës qytetare, për të kërkuar një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin. "Arritjet e këtyre pak viteve janë impresionuese. Jam i lumtur të shoh, se të gjitha përpjekjet tona janë frymëzuar e janë ushqyer në çdo hap të udhëtimit tonë politik, nga këto qëllime të larta, nga këto parime të shenjta, që së pari e mbi të gjitha mishërohen te ju, te brezi i ri i këtij vendi, shpresa dhe e ardhmja e tij. Nëse do të ishte ndryshe, nuk do të ishte e mundur të ishim sot këtu me mijëra", tha Meta.

Duçkallari
"PDS vlerëson se lidershipi i PS-së po bie përfundimisht në grackën e PD-së dhe për hir të synimeve jo të ndershme për reformën zgjedhore, duke ia dorëzuar Kushtetutën e vendit Sali Berishës, i cili po provon për herë të dytë, tani me bekimin e PS-së, të bëjë një puç konstitucional edhe më të rrezikshëm se ai që tentoi të bënte në vitin 1994. Klane të caktuara brenda lidershipeve të PD-PS, pas Gërdecit, po bashkëpunojnë për t'u vënë kazmën edhe themeleve të shtetit".

Emigrantët
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka këmbëngulur që në reformën zgjedhore që do të miratohet të mos përjashtohen emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, nga e drejta për të votuar. "I kërkojmë sot Kuvendit të mos bëhet më pengesë që qytetarët shqiptarë jashtë vendit të mos votojnë. Politikanët hipokritë që drejtojnë vendin kanë interes vetëm për valutën që emigrantët sjellin në Shqipëri, por kanë frikë nga vota e tyre", tha Meta.

Gjinushi
"PSD nuk mbështet një pseudoreformë kushtetuese, pasi Kushtetuta mund të ndryshohet vetëm për sistemin zgjedhor. Kushtetuta është tepër e re, është më e re se sa shumica e politikanëve, kështu që nuk mund të ndryshohet Kushtetuta pa u ndryshuar, së pari, ata që nuk duan ta zbatojnë atë. Ne nuk hyjmë në debate se si duhet të zgjidhet presidenti, pasi asnjë s'e ka kuptuar logjikën e kësaj Kushtetute, e cila është konceptuar me shumë kujdes. Për hartimin e kësaj Kushtetute ka punuar me mjaft kujdes Komisioni i Venecias, ndërkohë që ajo është miratuar me referendum popullor".

Xhixha apel të rinjve

Kryetarja e LRI-së Erisa Xhixha i ka bërë apel të rinjve që të përkrahin projektin e këtij forumi për të ndryshuar të ardhmen e tyre. LRI ka marrë në dorë kundërshtimin qytetar duke organizuar protesta të fuqishme. Dy ditë më parë ajo ishte në Fier,ku kundërshtoi groposjen e mijëra tonë azotik, ndërsa pak javë më parë ringjalli lëvizjen e Dhjetorit, kur organizoi një protestë të studentëve ndaj tragjedisë së Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›