E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat te Topi pas Berishës

• Debatet e ditës së djeshme për çështjen e zgjedhjes së presidentit e kanë në fakt zanafillën nga ngjarjet e një dite më parë.

ADI SHKEMBI

Pasi kanë votuar kundër propozimeve të Partisë Demokratike për zgjedhjen e presidentit sipas një procedure parlamentare, ku në raundin e pestë të zgjidhet me 70+1 vota, tre deputetë të komisionit të Ligjeve, Sali Shehu, Pal Dajçi dhe Dashnor Sula janë thirrur nga kryeministri Berisha në zyrën e këtij të fundit. Edhe në këtë takim me kreun e qeverisë tre deputetët demokratë, të njohur si mbështetës të presidentit Topi, kanë shprehur qëndrimin e tyre të palëkundur për zgjedhjen e presidentit nga populli. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se, Berisha i ka hapur rrugën iniciativës së zyrtarizuar dje për mbledhjen e firmave dhe nisjen e negociatave me të gjitha partitë dhe individë të veçantë për të arritur numrin minimal të nevojshëm për ndryshimet në Kushtetutë lidhur me këtë çështje. Mësohet gjithashtu se kryeministri nuk ka qenë kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, por sipas tij, i gjithë problemi është pikërisht në gjetjen e numrit të nevojshëm të votave. Ndërkohë në përfundim të mbledhjes me kryeministrin Berisha, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, tre deputetët Dajçi, Shehu e Sula janë bashkuar me Ndriçim Babasin, Bujar Leskajn e Sami Gjergjin dhe janë drejtuar për në shtëpinë e presidentit Bamir Topi. Për gati dy orë gjashtë deputetët demokratë kanë diskutuar me kreun e shtetit lidhur me seancën e fundit në komisionin e Ligjeve, ku u pengua propozimi i PD-së për zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti. Burimet në këtë darkë të presidentit sqarojnë se, Topi është shprehur i pakënaqur lidhur me situatën në të cilën është futur politika lidhur me ndryshimet kushtetuese, por ka konfirmuar qëndrimin e tij për zgjedhjen e presidentit në popull. Madje, ai është shprehur i gatshëm për të nisur edhe vetë negociatat për të gjetur numrin e nevojshëm të votave 94, që bëjnë të mundur ndryshimin në Kushtetutë lidhur me zgjedhjen e presidentit. Njëkohësisht Topi ka qenë i gatshëm të bëjë edhe lëshime për kërkesa të veçanta të krerëve të partive, me të cilët do të negociojë. Tre faktorët kryesorë te të cilët duket se do të përqendrohen negociatat pritet të jenë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, por edhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili vazhdon të ketë një numër të konsiderueshëm dhe të domosdoshëm mbështetësish në PS. Madje, shpresat më të mëdha duket se janë pikërisht tek ish-kryeministri Nano, i cili mund të shfrytëzojë hapësirat e reja kushtetuese që do të krijohen në rast të zgjedhjes së presidentit nga populli, për të hyrë edhe vetë në një garë elektorale për kreun e shtetit në vitin 2013. Në krizën presidenciale të vitit të kaluar kryeministri Berisha dhe presidenti aktual Topi i propozuan opozitës ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit nga populli. Në disa prej mbledhjeve të grupit parlamentar të PD-së, por edhe në publik, kryeministri Berisha është shprehur pro idesë së zgjedhjes së kreut të shtetit përmes një referendumi popullor. Por gjithçka ishte e pamundur në atë kohë për shkak se, për ndryshimin e Kushtetues duheshin të paktën 84 vota, numri i mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit. Këtë tezë e mbështeti fort edhe kandidati për president në atë periudhë, Bamir Topi.

Ceka: Topi i shqetësuar për nxitimin e politikës për ndryshimet kushtetuese

Përfaqësues të partive të vogla parlamentare kanë zhvilluar një takim informal me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, rreth propozimeve që diskutohen për ndryshimet në Kushtetutë.
Presidenti ka shprehur shqetësim për mënyrën, nxitimin e madh dhe mungesën e ekspertizës për këto ndryshime. Kreu i PAD, Neritan Ceka, deputeti i pavarur Spiro Peçi, kreu i PDK-së, Nard Ndoka dhe kryetari i PBLD, Arian Starova, ishin dje në ambientet e hotel “Sheraton” në një kafe, në të cilën kanë shkëmbyer shqetësimet e tyre në lidhje me propozimet e bëra nga dy partitë e mëdha, PS-PD, që prekin edhe çështje jashtë reformës zgjedhore. Kreu aleancist, pas takimit me Presidentin Topi tha se, “ndryshimet kushtetuese janë kthyer në një problem të madh për parlamentin shqiptar, për faktin se po kalojnë me shpejtësi dhe pa konsultime me grupet e interesit, veçanërisht edhe pa një ekspertizë të specialistëve dhe partnerit tonë kryesor, Komisionit të Venecias”. “Ky ishte shqetësimi që patëm në këtë rast dhe që biseduam me Presidentin Topi”, tha Ceka. Ndërsa kreu i PBLD-së, Arian Starova tha pas takimit se, “Presidenti shprehu shqetësimin për nxitimin e procedurave për të ndryshuar Kushtetutën dhe ideja ishte se si procesi mund të bëhet më i hapur”.

Blushi: Amendamentet, Topi reagoi në mënyrë arbitrare

Deputeti socialist, Ben Blushi, e cilësoi arbitrare mënyrën se si reagoi Presidenti Topi në lidhje me amendimet që propozohen për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. “Mënyra se si reagoi Presidenti dje ishte pak arbitrare, sepse ne presim të reagojë Presidenti i Shqipërisë dhe jo Bamir Topi. Ne mendojmë se si të funksionojë institucioni i Presidencës dhe jo se si mund të rizgjidhet Bamir Topi në detyrë pas 3 apo 4 vjetësh”, tha Blushi. Ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, ishte ideatori i zgjedhjes së presidentit nga populli rreth një vit më parë, shumë kohë para 20 korrikut, kur Topi erdhi në krye të shtetit. “Unë sigurisht që mbështes zgjedhjen e presidentit nga populli. E kam kërkuar kur të gjithë e kundërshtonin dhe në një aspekt më vjen mirë që u kthyen aty për shkak të kufizimeve që ka sot ky Parlament, për shkak të mënyrës se si është ndërtuar dhe si rregullohen raportet e brendshme e mund të gjendet në stilin shqiptar një e mesme, e cila jam i bindur prapë do jetë më e mirë se kjo që kemi”, tha Blushi. Sipas tij, nuk ka pse përjashtohen edhe propozimet e partive të tjera për reformën. “Jemi të fokusuar te reforma zgjedhore, pavarësisht se nuk ka arsye dhe e kemi thënë që mund të marrim në konsideratë pa asnjë diskutim edhe reformat e propozuara nga palë të tjera. Në fund të fundit, të gjitha do mund të ndihmojnë besoj të përmirësojnë rendin politik në Shqipëri, i cili është relativisht anakronik”, tha Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›