E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja në Shqipëri shkakton 1/3 e vdekjeve te fëmijët

Ndotja vijon të mbetet një kërcënim serioz për jetën dhe shëndetin e shqiptarëve. Autoritetet shëndetësore raportojnë se nga 102 sëmundjet më të shpeshta, 85 prej tyre vijnë nga ndotja e mjedisit.
Fëmijët
Në Ditën Botërore të Mjedisit, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili tha se nëse niveli i ndotjes do të ishte më i ulët, një e treta e fëmijëve nuk do të humbnin jetën, pasi nuk do të prekeshin nga sëmundjet pulmonare apo të gjakut. Tek fëmijët nën moshën 5 vjeç 1/3 e gjithë sëmundjeve të tyre, bëhet fjalë për pjesën më vulnerable të popullsisë ku dhe tendenca për vdekshmëri është me e larta, pra, 1/3 e tyre mund ti evitohen vdekshmërisë vetëm nga përmirësimi i cilësisë së ujit, ndotjes së ajrit nga gazrat dhe faktorë të tjerë të kësaj natyre, tha ministri Petrit Vasili.
Ambasadori Sequi
Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, ambasadori i Bashkimit Evropian, Etore Sequi u shpreh se BE ka investuar vetëm për mjedisin shqiptar mbi 100 milionë euro; kryesisht në sektorin e ujësjellës kanalizimeve dhe në shëndetësi. Për Europën mjedisi është prioritet ndaj dhe kjo është arsyeja që BE ka investuar 100 milionë euro në Shqipëri, në përgjithësi për ujin dhe shëndetësinë. Tani kemi në proces dy projekte këtu, një prej 4 milionë euro që po ndikon në hartimin e legjislacionit ekologjik dhe projekti tjetër, ai prej 2 milionë eurosh që po mbështet monitorimin e mjedisit. Është koha për veprim për të reduktuar rreziqet mjedisore, u shpreh Ettore Sequi, ambasador i BE-së në Tiranë.
Menaxhimi i mbetjeve
Ndërsa Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka përmendur dhe një herë se menaxhimi i mbetjeve në burim është çelësi për një mjedis të pastër. Ndarja e mbetjeve që në burim tashmë ka filluar. Po ju marr dy shembuj praktik institucional në Shqipëri, Bashkinë e Tiranës, e cila vetë po implementon ndarjen në burim të mbetjeve. Menaxhimi i mbetjeve është një proces që kërkon pa dyshim investime dhe kërkon planifikime në buxhet. Një nga elementet që mund ta përshpejtojë zgjidhjen e kësaj çështje është partneriteti publik me atë privat, tha Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit. Në kryeqytet janë vendosur prej rreth një viti disa aparatura monitorimi në pikat më problematike, ku matet çdo ditë cilësia e ajrit. Pavarësisht përmirësimeve të lehta, ende zona si 21 Dhjetori, Stacioni i Trenit dhe Qendra e Tiranës, kanë nivele të ndotjes disa herë më të lartë se normat e lejuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›