E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasa X, sistemi i ri i vlerësimit përplas të rinjtë me drejtuesit e shkollave

Jonida Tashi

Sistemi i ri i vlerësimit të nxënësve të klasës së dhjetë në gjimnaz ka ngjallur reagimet e këtyre të fundit. Megjithëse sipas drejtuesve të shkollave të mesme, për vlerësimin e njohurive të nxënësve nuk duhet të përdoret më mesatarja aritmetike, për të nxjerrë një rezultat përfundimtar, të rinjtë nuk bien dakord më ketë metodë vlerësimi, pasi mendojnë se dëmtohen pa të drejtë.
Vlerësimi
Për vlerësimin e nxënësve në gjimnaz duhet të vendoset një sistem vlerësimi me një mesatare të re, e cila përdoret nga vendet europiane. Kjo deklaratë është bërë dje nga drejtoresha e gjimnazit “Partizani” në kryeqytet, Luljeta Basha, e cila është dhe një nga propozuesit e këtij sistemi të ri. “Ideja është që nota të mos nxirret më mesatare aritmetike, por me mesatare të ponderuar. E reja do të ishte që këto nuk mund të jenë njëlloj. Nuk mund të jetë njëlloj si një punë të cilën një nxënës ndoshta edhe e kopjon dhe ne prapë e vlerësojmë, por nuk është e njëjta notë me atë të testimit. Pra, që ato të kenë koeficiente të ndryshme kur të nxirret mesatarja”,- tha Luljeta Basha. Aktualisht në drejtoritë e gjimnazeve ka mbërritur një udhëzim i posaçëm, që i lejon drejtuesit e tyre ta përdorin këtë sistem të ri vlerësimi, por deri tani ai nuk ka filluar të zbatohet. “Vlerësimi me mesatare të ponderuar është një vlerësim shumë më real se me mesatare aritmetike. Unë jam dakord që të zbatohet që këtë vit”,- pohoi Basha.
Reagimet
Ditën e parë të mësimit të kësaj jave, nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë e nisën duke protestuar për këtë mënyrë të re vlerësimi. Një pjesë e mirë e nxënësve të shkollës “Qemal Stafa” braktisën orët e mësimit, duke protestuar para shkollës së tyre dhe Ministrisë së Arsimit në shenjë proteste për një urdhër të ri të këtij dikasteri, që atyre iu është komunikuar në shkollë. Ky sistem vlerësimi parashikon ndryshime në mënyrën e vlerësimit të nxënësve, ku përqindjen më të madhe të notës e zënë
provimet, si dhe mungesat, ku nëse bëjnë njëzet për qind nuk kualifikohen në një lëndë, megjithëse nuk e humbin vitin shkollor. Bazë e këtij sistemi janë kreditet, sistem me të cilin nxënësit nuk bien dakord, madje mendojnë se dëmtohen me pa të drejtë. Megjithëse drejtoresha e “Qemal Stafës” ka pohuar se nxënësve u është komunikuar një urdhër i dytë, që anulon të parin, të rinjtë shprehen se nuk u është komunikuar asnjë urdhër i dytë. Nga ana e saj, Drejtoria e shkollës e ka cilësuar protestën e nxënësve si një arsye për të braktisur mësimin, ndërsa vetë nxënësit thonë se për këtë çështje janë të shqetësuar dhe familjet e tyre.

Gjimnazet, skema e vlerësimit të njohurive të nxënësve

Këtë vit, skema e vlerësimit të njohurive të nxënësve të viteve të para në gjimnaz do të jetë ndryshe nga ajo e përdorur më parë. Sipas rregullave të reja, në skemën e re të korrigjimit të njohurive të nxënësve, vlerësimi minimal nuk do të nisë më nga nota katër, por do të zbresë deri në notën zero. Aktualisht në të gjitha gjimnazet e vendit janë shpërndarë udhëzuesit që mësuesit do të duhet të përdorin në mbyllje të semestrit për nxjerrjen e notave përfundimtare të secilës lëndë. Konkretisht, përdorimi i kushteve të reja të vlerësimit do të zbatohet duke filluar nga ky vit te nxënësit e viteve të para. Sipas rregullave të reja, mësuesi do të vlerësojë nxënësin për katër tregues, ku do të përfshihen: vlerësimi ditor, provimet me shkrim, vlerësimi i punimeve dhe detyrave në grupe si dhe provimi përfundimtar. Që një nxënës të marrë notën maksimale, duhet të arrijë të plotësojë këto kushte: të përmbushë vlerësimin ditor, që përcakton 10 për qind të notës semestrale të lëndës. Ky tregues plotësohet me notat e marra nga nxënësi sa herë që është ngritur në mësim. Rreth 50 për qind e notës do të përcaktohet nga provimet me shkrim të cilave u është nënshtruar nxënësi në mënyrë periodike. Ndërsa provimi përfundimtar, që zhvillohet në mbyllje të secilit semestër, do të ketë 25 për qind të peshës në përcaktimin e notës semestrale. Treguesi i fundit, vlerësimi i punimeve dhe projekteve, do të mbështet në punën në grup apo individuale që nxënësit kanë zhvilluar për tema të veçanta mësimore të përcaktuara nga mësuesi i lëndës. Po ashtu, ky tregues do të ketë rol të rëndësishëm në përcaktimin e notës përfundimtare (në masën 15 për qind). Brenda këtyre ditëve të mbetura nga muaji janar mësuesit e lëndëve përkatëse duhet të zhvillojnë edhe provimin përfundimtar të testimit të njohurive të nxënësit. Këto rezultate do të përdoren më pas në nxjerrjen e notës përfundimtare. Duke qenë se zbatimi i skemës së re të vlerësimit të nxënësve kërkon kohë, është propozuar që në mbyllje të semestrit, mësuesve t’u jepen tri ditë pushim, në mënyrë që të kenë kohën e mjaftueshme për llogaritjen e këtyre treguesve për secilin nxënës. Nota mesatare do të llogaritet me dy shifra pas presjes dhjetore. Pas përcaktimit të notës mesatare për secilin tregues, mbledhja e rezultateve do të nxjerrë dhe notën përfundimtare, me të cilën do të vlerësohet nxënësi për këtë semestër. Ndërkohë që rezultatet e nxjerra nga mësuesit do të kontrollohen edhe nga ekspertët e drejtorive arsimore.

Skema e vlerësimit të nxënësve në shifra
0 (zero) do të jetë nota prej ku do të fillojë vlerësimi i nxënësve
15 për qind të notës do të ketë përvetësimi ditor i njohurive
50 për qind të notës do të kenë provimet me shkrim për lëndët përkatëse
15 për qind të notës do të ketë vlerësimi i punimeve dhe projekteve
25 për qind të notës do të ketë provimi përfundimtar për çdo lëndë

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›