E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti BE-së, Arsimi profesional, nënshkruhet marrëveshja për partneritet publik-privat

Nënshkruhet marrëveshja për partneritetin publik-privat në funksion të arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Partnerët e marrëveshjes, qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat, kanë rënë dakord që të përmirësojnë bashkëpunimin mes shkollave, qendrave të formimit, zyrave të punës dhe ndërmarrjeve, jo vetëm në nivele rajonale por edhe në nivele sektorësh. Po ashtu, palët përfaqësuese kanë rënë dakord të marrin përgjegjësi të përbashkëta në nivel kombëtar, sektorial dhe rajonal për arsimin dhe formimin profesional. Me mbështetjen e Projektit CARDS AFP të Bashkimit Europian, këta partnerë të përfaqësuar nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës, Konfederata e Këshillave të Organizatave të Punëdhënësve, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Konfederata e SME-ve, si dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët për të ardhmen e arsimit dhe formimit profesional. Kjo marrëveshje do të nënshkruhet në dy faza, fillimisht me partnerët socialë dhe më pas me finalizimin e nënshkrimit nga ministrat e linjës. Synimi i kësaj marrëveshjeje është që partnerët të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit që nxjerr njerëz me aftësi për të përballuar tregun e punës dhe për të luftuar papunësinë. Duke qenë së arsimi e formimi profesional ndikon në rritjen cilësore të ekonomisë dhe zhvillimi i tij është në interesin e të gjitha palëve të përfshira, duket qartë se në këto momente të krizës ekonomike botërore, harmonia dhe sinergjia mes partnerëve nevojitet më shumë se kurrë. Prandaj, partnerët socialë kanë nënshkruar këtë marrëveshje që do të ketë në thelb një plan fillestar pune. Nëpërmjet tij, partnerët socialë do të punojnë për të identifikuar mundësi dhe masa për t’u ndërmarrë në arsimin e formimin profesional, si: identifikimi i profesioneve me perspektivë; shqyrtimi i marrëveshjeve ekzistuese për negociata kolektive mbi çështjet e punësimit; krijimi i një plan veprimi për trajnime dhe stazh pune duke përdorur sistemin e AFP; sistemi i informacionit të tregut të punës; analizë e tregut të punës; sistemi i standardeve profesionale, etj. Të gjitha këto do të shërbejnë për të përmirësuar aftësitë e forcave të punës dhe luftën për uljen e papunësisë.

27 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›