Vajza e dehur, qëllon me plumb në zemër nënën
POGRADEC - Ka ndodhur shpesh që të dëgjohet se vëllai vret vëllanë, djalin babanë ose e kundërta, por të pakta janë raste kur vajza vret nënë e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Pogradecit, ku 29 vjeçarja Anila Angjo ka qëlluar me pistoletë nënë e saj, 62-vjeçaren Shpresa Angjo. Edhe pse ende nuk ka një version zyrtar të ngjarjes, mësohet se autorja ka qëlluar mbi nënë e saj birësuese, nën efektin e alkoolit ose të lëndëve narkotike, pasi, sipas burimeve zyrtare Anila Angjo, ishte e njohur në këtë qytet si konsumatore e lëndëve narkotike dhe kontingjent i policisë. Madje, policia bën të ditur se ajo njihej dhe si grabitëse makinash dhe kishte përfunduar në qelitë e komisariatit të qytetit më shumë se një herë.
Ngjarja
Krimi mësohet se ka ndodhur rreth orës 9:00 të mëngjesit të djeshëm. Komshinjtë e familjes Angjo, sapo kanë dëgjuar të shtëna, kanë njoftuar menjëherë policisë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar autoren. Paraprakisht, bëhet me dijeni se akti i rëndë ka ndodhur për shkak të një zënke mes nënës dhe vajzës së saj, ku kjo e fundit e ka qëlluar më pas me një pistoletë. Forcat policore kanë pohuar se vajza 29-vjeçare, autore e krimit të rëndë, ka dashur të largohet nga vendngjarja, por nuk ka mundur pasi është kapur prej tyre. Vajza 29-vjeçare, e cila vrau nënën e saj mëngjesin e djeshëm mësohet se vuante nga depresioni dhe ishte konsumatore e alkoolit dhe lëndëve narkotike. Një fakt të tillë e kanë konfirmuar në mënyrë paraprake burimet policore. Ndër të tjera, po të njëjtat burime shtojnë se vajza në fjalë, në fakt, ka qenë e adoptuar prej nënës së saj në një shtëpi fëmije në Shkodër, ndaj së cilës kreu edhe krimin makabër pas një konflikti në mjediset e shtëpisë. Ekspertët e policisë kanë marrë në pyetje vajzën e cila kreu krimin, pasi e ka shoqëruar atë në mjediset e komisariatit, e cila ka pranuar autorësinë e krimit.
Shkaqet
Policia e Pogradecit, menjëherë pas ngjarjes nisi hetimet për ta zbardhur atë. Sipas uniformave blu të këtij qyteti mësohet se vajza e shtëpisë, e adoptuar që fëmijë në këtë familje ka mbërritur e dehur në banesë dhe është grindur me nënë e saj, Shpresën. Konflikti ka nisur që në orët e para të mëngjesit. Më pas ajo ka rrëmbyer një pistoletë që vajza duket se e mbante në shtëpi prej kohësh, me të cilën ka qëlluar në zemër nënën e saj birësuese. Kanë qenë fqinjët të parët që kanë dëgjuar krismën e armës dhe kanë lajmëruar policinë. Dyshohet vajza mund të ketë qenë në nën efektin e alkoolit në kohën që ka kryer krimin. Policia e qytetit të Pogradecit e identifikon 29 vjeçare si tip problematik për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit dhe lëndëve narkotike. 29 vjeçarja njihej dhe si grabitëse makinash dhe kishte përfunduar në qelitë e komisariatit të qytetit disa herë. Të njëjtin konstatim kanë bërë edhe fqinjët e familjes ku ndodhi ngjarja. Sipas tyre, vajza e ka keqtrajtuar shpeshherë nënën e saj, sillej në mënyrë të dhunshme me të dhe largohej pa e pyetur. Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime në radhët e banorëve të zonës dhe të gjithë qytetit të Fierit.
Arrestohen 4 shqiptar të akuzuar për trafik kokaine
ITALI – Katër shqiptarë janë arrestuar në Itali me akuzën e trafikut të kokainës. Policia tha se ka ushtruar dhjetëra kontrolle banesash në Pordenone dhe në Treviso për arrestimin e shqiptarëve dhe gjetjen e provave kundër tyre. Hetimet filluan në shtator 2009 pas kapjes së një transportuesi të kokainës. Dy shqiptarë, vëllezër binjakë, si dhe dy emigrantë të tjerë po nga Shqipëria janë arrestuar me akuzën e kontrabandimit, posedimit dhe shpërndarjes së kokainës. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publikë ndërsa policia tha se ata janë të moshës 25-30 vjeç, të gjithë me leje qëndrimi në Itali dhe punonjës të fabrikave në zonat e tyre të banimit, kryesisht në Pordenone. Me ndihmën e qenve gjurmues, policia sekuestroi në banesat e shqiptarëve rreth 1.3 kilogramë kokainë. Të implikuar në rrjet ishin edhe disa shtetas italianë.
Vrasja e shqiptarit, 7 në pranga
ITALI – Shtatë persona u arrestuan nga policia italiane me akuzën e përfshirjes dhe shkaktimit të vrasjes së shqiptarit Altin Avrami, i cili u ekzekutua dy ditë më parë me armë zjarri në një lokal në Milano. Mediat italiane bëjnë të ditur se identifikimi i autorëve të krimit është bërë me anë të shqyrtimit të kasetave filmike të barit ku ndodhi vrasja e shqiptarit 38-vjeçar Altin Avrami. Të ndaluarit janë katër shtetas shqiptarë dhe tre shtetas italianë, të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Policia tha se të ndaluarit janë të moshës 30-40 vjeç ndërsa mes tyre mësohet se është edhe pronari i lokalit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit. Vrasja e emigrantit Altin Avrami ndodhi ditën e djeshme. Sipas policisë sherri ka nisur për një femër të cilën viktima e kishte komplimentuar ndërsa pala tjetër ka reaguar ashpër duke hyrë në konfliktin që përfundoi me përdorimin e armëve dhe vrasjen e emigrantit si dhe plagosjen e dy personave të tjerë.
Vdes nga korrenti, ishte i vetëm në banesë
SHKODËR - Një 40-vjeçar nga Barbullushi i Shkodrës mësohet të jetë ndarë nga jeta pasi ka rënë në kontakt direkt me energjinë elektrike. Lajmi konfirmohet nga Policia e Shkodrës, e cila bënë të ditur se viktima është Ilir Faslija, banues në Barbullush, i cili me gjithë ndihmën e dhënë ka humbur jetën në spital pas këtij aksidenti. Bëhet me dijeni, ndër të tjera, se ai është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Shkodrës, por nuk ka arritur që të shpëtojë dot jetën. Grupi hetimor ka kryer veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe nga këqyrja e vendin te ngjarjes rezultoi se aksidenti me pasojën e vdekjes ka ndodhur në një punishte hekuri, e cila ndodhej brenda territorit të banesës së viktimës, ku ai punonte si saldator e për pasojë ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Në momentin e ngjarjes aty pranë nuk ka qenë i pranishëm asnjë person, ndërsa materialet iu kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës.
27 Janar 2010