Masakron me thikë biznesmenin, pranga autorit
LUSHNJE - Masakrohet me thikë një tregtar në Lushnjë, ndërsa policia arreston autorin e dyshuar të krimit. Ngjarja ndodhi dje pas mesditës kur Artan Murati dyshohet të jetë qëlluar me thikë nga Mustafa Lame. Murati ishte pronar i një mini-marketi në qytetin e Lushnjës dhe ndodhej në të kur mes tij dhe një kalimtari, i cili dyshohet të jetë Mustafa Lame, ka nisur një sherr për motive të dobëta. Pas fjalëve fyese, Lame ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur disa herë tregtarin, duke e lënë të vdekur në vend. Policia e Lushnjës, e sinjalizuar për ngjarjen, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të zbuluar shkaqet dhe autorin e krimit. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar i cili rezulton të jetë Mustafa Lame. Ndërkohë, të njëjtat burime thanë se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur me saktësi shkaqet e këtij ekzekutimi. Për tregtarin ka qenë e kotë ndërhyrja mjekësore pasi ai ndërroi jetë vetëm pak minuta pasi u godit me thikë. Gjatë gjithë këtyre viteve janë regjistruar disa raste të shantazheve, pengmarrjes dhe vrasjeve të sipërmarrësve. Pak javë më parë policia arrestoi disa të rinj, të cilët iu vinin gjoba biznesmenëve të ndërtimit.
27 Janar 2010