E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasa politike të votojë ligjin për Gjykatën e Lartë

10-10-2012 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, apelon nga Fieri

“Ndihemi të gjithë të ngazëllyer për festimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu i ka kërkuar klasës politike miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë. Gjatë takimeve në Këshillin e qarkut Fier, ambasadori amerikan ka bërë me dije se pas njohjes nga afër të debatit, i cili ka kushtëzuar votën e Partisë Socialiste për ligjin në fjalë, kjo çështje do të ndiqet tashmë në Tiranë.
“Duhet vullnet për miratimin e Gjykatës së Lartë. Po shikojmë nga afër debatin për Këshillin e Qarkut, ku u takova me të gjitha palët. Çështja e Fierit do ndiqet në Tiranë”, deklaroi Arvizu.
Në një prononcim për mediat, pas takimeve që diplomati i lartë amerikan pati dje me drejtuesit e pushtetit vendor në Fier, Arvizu u përqendrua në dy nga çështjet e politikës së sotme, në atë të ngërçit në Këshillin e Qarkut të Fieri, ku, sipas tij, nuk është zbatuar vullneti i zgjedhësve dhe në problemin e grevës së urisë të ish-të përndjekurve politikë.
Arvizu deklaroi se mori një informacion për problemin e Këshillit të Qarkut të Fierit, të cilin, tha ai, do ta diskutojë më gjerësisht në Tiranë, me personalitetet e larta të politikës shqiptare.
“Mendoj se do të vazhdojmë më tej me disa shqyrtime të tjera në Tiranë, por, pika që doja të vija në duke është kjo: ja ku jemi, një ditë para publikimit të shumëpritur të Raport-progresit të BE-së në Bruksel mbi statusin e shpresuar të Shqipërisë si vend kandidat për në BE. Sigurisht, dua t’ia lë këtë kolegut tim Ambasadorit Sequi i cili do t’i trajtojë elementet specifike në mënyrë më elokuente, ashtu siç bën gjithnjë, por, ka një pikë specifike që doja të vija në dukje. Kam lexuar me shumë vëmendje të gjitha deklaratat e dala nga Brukseli, nga Komisioneri Fule dhe të tjerë dhe diçka që vërej, gjëja për të cilën flasin gjithë kohën, është ‘masa kritike e punës’ për rekomandimet që janë dhënë”, u shpreh Aarvizu.    
Sipas tij, e rëndësishme është konstatimi i problemit, aq më shumë kur Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të pranverës së vitit 2013.
“Dua të ofroj, për aq sa vlen, interpretimin tim të ‘masës kritike të punës’. Përshtypja ime është se kjo i referohet specifikisht individëve dhe akteve, legjislacioneve specifike, për shembull, rishikimit të Kodit Zgjedhor, të rregullave të procedurës parlamentare, heqja e imuniteteve, ligji për Gjykatën e Lartë. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme; askush nuk po e mohon këtë, por mua më duket se ajo që nënkuptohet me ‘masë kritike’ shkon përtej kësaj. Ajo nënkupton vullnetin politik për të ekzekutuar, për të zbatuar vendime, që gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur, të lirë nga ndikimi politik, në mënyrë që vendimet që jepen të jenë transparente dhe objektive dhe të reflektojnë me vërtetësi vullnetin e popullit. Ky nuk është një vend i madh. Është një vend i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Është pothuajse e pamundur për të mbajtur sekrete nga të tjerët. Kështu, unë dua t’i shtoj zërin tim, dhe zërin e Shteteve të Bashkuara, atyre në Europë që shpresojnë seriozisht që të ketë përparim të vazhdueshëm këtu, për forcimin e shtetit ligjor, për forcimin e institucioneve të pavarura. Kjo nuk është një përpjekje politike, nuk mbështet një parti më shumë se një tjetër. Gjëja më e rëndësishme është që është në interesin e qytetarëve shqiptarë”, vijoi Ambasadori amerikan.
Ai i bëri apel sistemit të drejtësisë që të jetë më transparent, më i hapur, më i qartë dhe të japë vendime të drejta në interes të komunitetit.
Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Fierit, Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, u shpreh se edhe pse nuk ka një qëndrim të tij personal apo të SHBA-së lidhur me grevën e ish- të përndjekurve politikë, e rëndësishme është ana humane në zgjidhjen e problemit.
“Duhet të dëgjohen kërkesat, ankesat dhe problemet e tyre, duhet ulur në diskutime me ta dhe duhet gjetur një zgjidhje”, tha Ambasadori Arvizu.
Lidhur me grevën e ish-të përndjekurve politikë, Arvizu tha se i  ka vizituar dy herë grevistët dhe mbrëmë ka marrë takim me bashkëshorten dhe miqtë e afërm të Gjergj Ndrecës.
Gjithsesi, ai nuk e përligji veprimin e vetëflijimit, apo të sakrifikimit të të tjerëve. Ambasadori amerikan tha se, “i gjithë populli shqiptar ka qenë i persekutuar nga regjimi komunist, por persekutimin më të madh askush nuk mund ta krahasojë me persekutimin e individëve që kanë vuajtur dënimin politik”.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Fierit dhe takimeve me kryebashkiakun e Fierit, si dhe prefektin e qarkut, Ambasadori amerikan u interesua për kalendarin e veprimtarive që pushteti vendor në Fier do të organizojnë në kuadër të festimeve të 100 -vjetorit të Pavarësisë.
“Ndihemi të gjithë të ngazëllyer për festimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, u shpreh Arvizu.
Prefekti i Qarkut të Fierit, Robert Bitri, i bëri të ditur diplomatit të lartë amerikan se “lidhur me këtë ngjarje janë programuar dy ekspozita fotografike, me punime kushtuar figurave të njohura patriotike nga Fieri, pjesëmarrës në nënshkrimin e aktit të Pavarësisë në vitin 1912, si dhe patriotëve të tjerë që ndihmuan Ismail Qemalin në rrugëtimin e tij për ngritjen e flamurit shqiptar në Vlorë”.
Gjithashtu në këtë kuadër, Bitri tha se do të mbahet edhe një simpozium shkencor kushtuar kësaj ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare
Prefekti i Fierit e informoi Ambasadorin Arvizu se në ditën e festimit të kësaj ngjarjeje të madhe do të jenë të pranishëm edhe miq të çmuar nga SHBA, e cila ka dhënë një kontribut të madh për ruajtjen e Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Ai e konkretizoi këtë kontribut me Konferencën e Paqes, si dhe fjalën dhe mbrojtjen që Presidenti i atëhershëm i SHBA, Thomas Woodrou Willson, bëri në këtë konferencë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›