E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasat e katërta, 15 fëmijë në 100 janë mbi peshë



Fëmijët sot më shumë se kurrë rrezikohen nga mbipesha dhe obeziteti. Organizata Botërore e Shëndetësisë referon se në botë janë rreth 20 milionë fëmijë obezë nën 5 vjeç dhe se brenda 2010-s, 1/10 e fëmijëve pritet të jetë obezë që do të thotë më të predispozuar për të zhvilluar diabet të tipit 2, hipertension, pagjumësi, çrregullime psikologjike dhe sociale. Jolanda Hyska, specialiste e departamentit të Nutricionit në Institutin e Shëndetit Publik, deklaron se mbipesha dhe obeziteti janë problem edhe për fëmijët shqiptarë. Hyska thotë se së fundmi është bërë edhe një studim në 12 qarqet e vendit me fëmijët e klasave të 4-a në lidhje me këtë çështje. Në një intervistë për “standard” specialistja Jolanda Hyska tregon për të dhënat e derivuara nga studimi dhe problematikat e evidentuara.

Hera e parë që kryhet në vendin tonë një studim mbi obezitetin. Cila është arsyeja që ju shtyu të ndërmerrni këtë studim?

Studimi synonte vlerësimin e prevalencës kombëtare së obezitetit dhe mbipeshës tek fëmijët e moshës 9-10 vjeç me qëllim specifik modifikimin e sjelljeve ushqimore jokorrekte. Ky studim u shtri në 12 qarqe të vendit, nga ku u përzgjodhën gjithsej 4000 fëmijë në të gjithë Shqipërinë. Në total ishin 1438 shkolla 9-vjeçare shtetërore dhe 91 shkolla 9-vjeçare private, prej të cilëve 108 me vendndodhje në qytet dhe 92 shkolla në fshat. Nga shkollat e qytetit, 10 prej tyre ishin private dhe pjesa tjetër publike, ndërsa për sa i përket raportit të gjinive, ishte i njëjtë.

Çfarë rezultoi nga ky studim?

Rezultoi se nga prevalenca kombëtare e mbipeshës tek fëmijët 9-10 vjeç në vend është në vlerën e 15.2% dhe prevalenca e obezitetit 3.8%. Nga të dhënat rezultoi gjithashtu se prevalencë të peshës trupore më të lartë në zonën urbane në raport me ato rurale, pasi për çdo fëmijë obez në fshat gjenden 4 fëmijë obezë në qytet. Numri i fëmijëve mbi peshë në shkollat private rezulton 2 herë më i lartë se në shkollat shtetërore, ku rreth 2.5 herë më e lartë është diferenca e fëmijëve obezë në shkollat respektive. Të dhënat tona evidentojnë se 15.2% e fëmijëve janë mbi peshë dhe 3.8 për qind janë obezë dhe sipas grupmoshave të marra në studim për fëmijët 10 vjeç rezulton 13.5% mbi peshë dhe 3.5% obezë, ndërsa për fëmijët 9-vjeç rezulton 16.3% mbi peshë dhe 4% obezë. Prevalenca e mbipeshës është dukshëm më e lartë në qytet sesa në fshat, tek meshkujt në raport me femrat dhe në shkollat private në raport me ato publike. Duke e krahasuar me prevalencën e 25 shteteve të Bashkimit Evropian 16-22% mbi peshë dhe 4-6% obezë si dhe duke marr[ parasysh trendin e prevalencës së mbipeshës në vite në Evropë, vëmë re të njëjtën tendencë të prevalencës së mbipeshës dhe obezitetit edhe për vendin tonë.

Si e përjetojnë fëmijët këtë gjendje? Janë të ndërgjegjshëm për imazhin e vetvetes?

Është interesant fakti se fëmijët, ndonëse në moshë fëmijërore, kanë një perceptim të saktë të imazhit të tyre trupor. Kështu, të gjithë fëmijët që ndihen nën peshë, duan të ruajnë këtë imazh. Gjithashtu vihet re se ka nga ata të cilët nuk ndihen mirë me pamjen e tyre dhe do të dëshironin të përmirësonin atë. E dukshme është kjo dëshirë veçanërisht tek fëmijët obezë, nga ku rreth 72% e obezëve vetëm 13.7% e tyre janë të kënaqur me imazhin e tyre trupor, ndërkohë që pjesa tjetër dëshirojnë të jenë në peshë normale ose nënpeshë.

Çfarë problematikash sjell mbipesha dhe obeziteti tek fëmijët?

Aspekti më shqetësues i problemit është se këta fëmijë mbeten obezë edhe në moshë adultë, duke zhvilluar kështu patologji më të rënda që kanë tendencë të çojnë në reduktimin e cilësisë së jetës dhe jetëgjatësisë së tyre. Kështu parashikohet që pritshmëria e jetës për njerëzit të zvogëlohet me 5 vjet brenda 2050, nëse persistojnë të tilla nivele të obezitetit. Prandaj parandalimi dhe frenimi i rritjes së obezitetit në moshën fëminore paraqet sot një sfidë për shëndetin publik pasi është shumë e vështirë trajtimi i obezitetit të instaluar, është shumë i lartë probabiliteti i të qenit një adoleshent adult obez, është e vështirë korrigjimi i zakoneve të gabuara ushqyese në moshë të rritur, të fituara që në fëmijëri. Mbipesha dhe obeziteti në vendin tonë janë një problem evident i shëndetit publik, si për efektet potenciale, nëse mendojmë lidhjen me zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, ashtu edhe për ato psikike, ndërmjet të cilave përjashtimi i mundshëm nga grupi shoqëror apo humbja e vetëvlerësimit, që ato mund të provokojnë. Duke e konsideruar parandalimin si mënyra me raportin më të mirë kosto-përfitim për kontrollin e mbipeshës dhe obezitetit në moshën pediatrike e në të ardhmen, të moshës adulte, edhe në vendin tonë është e nevojshme një punë në rrjet për parandalimin, duke qenë obeziteti një sëmundje multifaktoriale për të cilën ndërhyrjet parandaluese duhet të vendosen në të gjithë faktorët shkaktues. Nëse shkollat janë motor kryesor i ndërhyrjes edukative, programi i promocionit të shëndetit nuk mund të funksionojë nëse nuk futet në një strategji më të artikuluar që përfshin të gjithë komponentët e shoqërisë, personelin sanitar, pedagogët, nxënësit, fëmijët dhe institucionet. promovimi i një dietë të shëndetshme duhet të konsiderohet elementi primar për ruajtjen e një peshë optimale, i kombinuar domosdoshmërish me rritje të shpenzimit energjetik, duke promovuar aktivitetin fizik dhe sport.

Cilat janë shkaqet e kësaj epidemie botërore që po përfshin edhe vendin tonë ?

Shkaqet e epidemisë së obezitetit janë komplekse, struktura e shoqërisë sot, politikat dhe zhvillimi socio-ekonomik kanë kontribuar në krijimin e një ambienti obezogjen që inkurajon sjelljet me risk drejt obezitetit. Një shkak tjetër i dukshëm i rritjes së obezitetit është edhe moskryerja e mjaftueshme e një aktiviteti fizik dhe situata vazhdon të përkeqësohet. Mjedisi ku jeton, shpesh dekurajon aktivitetin fizik, kështu edhe distancat nën 5 km që mund të përshkruhen më këmbë ose biçikletë, preferohen të bëhen me makinë, duke reduktuar ndjeshëm mundësitë e një aktiviteti fizik të vlefshëm për një jetë të shëndetshme.

Cilat janë strategjitë që mund të luftojnë këtë dukuri?

Strategjitë për të luftuar këtë epidemi duhet të inkurajojnë zakone ushqyese korrekte, nëpërmjet reduktimit të konsumit të yndyrnave dhe sheqernave, duke e ruajtur popullatën drejt një konsumi më të lartë të frutave dhe perimeve, pa lënë pas dore edhe promovimin e një aktiviteti fizik, duke nënvizuar një dietë të ekuilibruar, por edhe në nivel ekonomik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›