E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, me shef të ri të Qarkullimit



Organizimi dhe drejtimi i qarkullimit në Qarkun e Tiranës do të ketë një drejtues të ri. Ditën e djeshme u bë prezantimi i shefit të ri të kësaj strukture, si dhe emrat e rinj pas “lëvizjeve” të paralajmëruara më parë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut më të madh në vend. Ndërkohë që ndryshime emrash pati edhe në sektorin e Rendit dhe të Sigurisë Publike në këtë qark. Edhe në Komisariatin e Policisë së Rinasit do të ketë një drejtues të ri, pas vendimit për të ndryshuar shefin e mëparshëm. Prezantimi i efektivave u krye në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Në bazë të vendimit të marrë, vendin e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, e mori kryekomisar Fatos Kokalari. Detyra e tij e mëparshme ka qenë si specialist në Sektorin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore, në Departamentin e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ndërkohë që komisar Artan Osmani transferohet dhe caktohet shef Sektori i Policisë Rrugore pranë Drejtorinë së Policisë së Qarkut Tiranë. Këtë pozicion më parë e mbante kryekomisar Shkëlqim Doda. U vendos që ai të transferohet dhe caktohet shef Sektori pranë Drejtorisë Rajonale Kufirit dhe Migracionit në Durrës. Lëvizjet prekën edhe kryekomisar Krenar Ahmetin. Në bazë të vendimit të marrë, ai do të lërë detyrën si shef i Sektorit të Forcës së Posaçme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe u caktua shef i Sektorit të Rendit e Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Ky pozicion më parë mbahej nga kryekomisar Ervin Hoxha, i cili transferohet dhe caktohet shef Sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. Edhe komisariati i Rinasit do të ketë një drejtues të ri. Në bazë të vendimit të drejtuesve të policisë, kryekomisar Urim Rexhepi do të lërë këtë detyrë dhe do të caktohet shef i Sektorit të Forcës së Posaçme në këtë drejtori. Në ditët në vijim në drejtoritë e policive në qarqe priten lëvizje të tjera të paralajmëruara. Specialistët në Policinë e Shtetit kanë kryer një studim për rialokimin e burimeve njerëzore, ku në thelb ka qenë forcimi i sektorëve për të cilët do të kihet më shumë nevojë. Kjo bëhet për një efektivitet më të madh të Policisë së Shtetit në shërbim të komunitetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›