E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasik Duo instrumentale me violinë dhe piano në skenën e arteve

Në mbrëmjen koncertore do të jenë të ftuar dy artistë shqiptarë
Në sezonin e tij koncertor Klasik ka sjellë për publikun artistë të njohur të skenës shqiptare dhe asaj botërore, të cilët janë shpërblyer me duartrokitje nga publiku. Në vijim të aktivitetit të tij muzikor Klasik premton sërish për një tjetër mbrëmje koncertore me tinguj të pasur muzikorë, ku do të jenë të ftuar dy artistë shqiptarë. Një duo instrumentistësh do të japë një koncert nesër në sallën e Akademisë së Arteve. Kristi Gjezi në violinë dhe Marin Gjollma në piano do të interpretojnë pjesë të ndryshme muzikore për të pranishmit. Programi i këtij koncerti përmban muzikë nga Faure, Debussy, Franck, Peçi etj. Ky koncert jepet në kuadrin e edicionit te 9-të të sezonit koncertor ndërkombëtar i muzikës Klasik. Sezonet koncertore ndërkombëtare të muzikës, organizohen nga shoqata kulturore Syri Blu dhe shoqata Miqtë e Muzikës.
Artisti Kristi Gjezi ka një aktivitet të larmishëm muzikor, ku është vlerësuar me çmime brenda dhe jashtë vendit. Pas largimit nga Shqipëria , në vitin 1994 familja e tij u vendos në Francë në Bordo. Kristi mori nënshtetësinë franceze në vitin 2003. Mësimet e para në violinë i mori qysh në moshë 4 vjeç e gjysmë nga i ati tij Pirro Gjezi ish violinist solist i famshëm shqiptar pranë Teatrit të Operës në Tiranë, aktualisht profesor për violinë në Bordo. Debutimi i parë i Kristit në skenë fillon në moshën 6 vjeçare ku ai luajti vepra nga Vivaldi. Në moshën 9 vjeçare ai luajti koncertin nr 3 të Saint Saens. Pas këtij debutimi ai dha recitalin premierë në Chapelle de Bègles, ku ai luajti vepra nga Bach, Mozart, Paganini, Schubert. Në vitin 2004 mori çmimin për violinë. Marc Bourgeois të fondacionit. Në vitin 2002 ai mori pjesë në akademinë e Biarritz në klasën e prof. Gérard Poulet. Në 2001 ai fiton çmimin e parë në konkursin e violinës për interpretët e rinj Canet-en-Roussillon. Në 1999 pasi u diplomua në kategorinë Excellence në konkursin e harqeve të Arta në Léognan. 1997 dhe 1998, ai mori çmimin e parë në unanimitet medalje ari në Tournoi i Royaume de la musique : Çmimin Radio Francë. Në vitin 2004 Kristi mori pjesë në festivalin e verës së Gironde, më pas ai interpreton si solist me orkestrën e dhomës Collegium Musicum d'Aquitaine, në program Carmen Fantasy de Sarasate. Në tetor 2003 dha koncert prive në Château d'Abzac (Bordeaux). Në program vepra nga Brahms, Bazzini, Ysaye, Paganini. Një muaj më pas ai fillon studimet në Conservatoire National Supérieur de Musique de Paris në klasën e prof.Patrice Fontanarosa. Më pas ai fiton Medaljen e Arit të qytetit të Bordos nën titullin me unanimitet nga juria. Në 2003 ai mbaroi ciklin e perfeksionimit pranë konservatorit të Bordos në klasën e Vladimir Nemtanu. Një vit më pas ai fiton medaljen e ari të konservatorit të Bordos. Në vitin 2007 Kristi mbaroi ciklin superior në Conservatoire National Supérieur de Paris me diplomë cilësuar Shumë mirë. Më pas ai interpreton në shtator në Teatrin e Durrësit A. Moisiu me program: Bach, Ysaye, Paganini. Ai është fitues i çmimit të parë të konkursit ndërkombëtar të violinës në Avignon 2005 dhe aktualisht ai luan me violinë Gagliano të vitit 1703 huazuar nga Fondation Zilbe. Ai është laureat i konkursit T.Varga 2008, ku ai luajti koncertin e Brahms me orkestrën e Zurich.
Marin Gjollma nga viti 1988-1996 ndjek Shkollën 8 vjeçare Kongresi Përmetit sot Servete Maçi në klasën e mësueses së pianos Vasilika Petrela. Në vitin 1996,fiton të drejtën për të vazhduar studimet e Pianos në Liceun Artistik "Jordan Misja",në klasën e mësuesit Vladimir Kapo. Në vitin 2000 diplomohet shkëlqyeshëm dhe fiton të drejtën për të vazhduar Akademinë e Arteve të Bukura në degën e pianos me Prof.Nora Çashku. Në vitin 2001,fiton të drejtën për të vazhduar studimet në Shkollën e Lartë Shtetërore të Muzikës, Karlsruhe - Gjermani, në Klasën e Prof.Fany Solter dega Piano. Nga viti 2001-2002, merr mësime të rregullta nga Prof.Gerard Fremy ishstudent i Pedagogut legjendar "Friedrich Neuhaus". Në vitin 2006,diplomohet me gradën Akademike "Muzikant" duke u vlerësuar me notën maksimale. Nga viti 2006-2008 kryen specializimin 2-vjeçar në kuadrin e Muzikës së Dhomës,në të njëjtin Universitet Dega Piano. Në kuadrin e muzikës së dhomës, ka një bashkëpunim të mirë me violonçelistin e njohur Gjerman, Martin Ostertag. Në Qershor të vitit 1998,në konkursin kombëtar Pianisti i Rii organizuar nga shoqata EPTA- Tiranë, fiton çmimin e dytë. Në qershor të vitit 2000, i jepet çmimi special "Lola Gjoka". Në maj të 2006,merr pjesë në konkursin ndërkombëtar për Pianoforte "Citta di Cantu"-Itali, ku kualifikohet në Gjysmëfinale. Nga viti 1996-2009, Marin Gjollma ka një aktivitet të larmishëm koncertal. Në rangun koncerteve solistike dhe muzikës së dhomës vlejnë të përmenden: Në Tiranë- Shqipëri, në hollin dhe në sallën e TOB-it, në sallën e Akademisë së Arteve. Në Gjermani,salla e koncerteve Karlsruhe, salla e "Majolika" Karlsruhe salla e koncerteve në Shkollën e lartë Shtetërore Karlsruhe, salla e Galerisë si dhe salla e kulturës Shtutgart, salla e komitetit olimpik në Frankfurt, salla e Biliotekës Kavala-Greqi etj. Ka kryer masterklase me profesorë të shquar si: Gerard Fremy,(Paris) Arbo Valdma (Këln). Në aktivitetet kulturore të tij Klasik ka sjellë në skenat shqiptare emra të talentuar artistësh, të cilët janë pëlqyer dhe duartrokitur nga publiku. E tillë ishte dhe mbrëmja muzikore me piano dhe violinë e sezonit koncertor të  Klasik. Koncerti, i cili u zhvillua në skenën e Akademisë së Arteve kishte protagonistë dy instrumentistët shqiptarë Silvana Skënderi dhe Rezart Kapetani. Nën tingujt e pianos dhe violinës u interpretua një program i pasur me veprat autorëve të njohur botërorë. Për publikun u interpretuan pjesë si: Souvenir d`un lieu cher nga Çajkovski, Sonata për violinë dhe piano nga Poulenc, Le grand Tango nga Piazzolla, Fantasie brillante nga Jeno Hubay, etj. Dy instrumentistët e ftuar në këtë koncert përfaqësojnë përkatësisht Shqipërinë dhe Spanjën Sezoni i koncerteve Klasik është vazhdim i sezonit Allegreto Albania dhe vjen në Shqipëri nën menaxhimin e Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe disa ambasadave të huaja në Shqipëri.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›