E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visar Zhiti, një damar elegant i optimizmit



Po qe se akoma nuk e keni lexuar romanin e Visar Zhitit “Funerali i pafundmë”, nxitoni të gjeni një kopje. Po qe se libri nuk është më në qarkullim, i shkruani botuesit menjëherë që të botojë kopje të tjera, mundësisht sa më shumë. Po qe se ribotimi do të marrë kohë, më shkruani që t’ju dërgoj kopjen time.

Sa më herët që ta lexoni këtë vepër, aq më shumë do të përfitoni. Sa për sqarim – ky roman nuk është argëtues. Megjithatë, pavarësisht nga kjo ose më saktë, pikërisht për këtë gjë, ju duhet ta lexoni këtë libër dhe sa më parë. Po qe se nuk e ndiqni këshillën time, ka të ngjarë që pa dijeninë tuaj, ju do të vazhdoni të jeni pjesëtarë sonambulistë të një funerali, të cilit ju ngjitet ndoshta që kur lindët. Ndoshta ju keni lindur në këtë funeral. Ndoshta ky është funerali juaj. Ndoshta ju jeni kufoma që të tjerët përcjellin në varr. Ndoshta ju jeni kufoma dhe një nga pjesëtarët e korteut në të njëjtën kohë.

Në këtë roman Zhiti na rrëfen ne shqiptarëve gjëra që tradicionalisht nuk na pëlqejnë t’i dëgjojmë, shikojmë dhe pranojmë, veçanërisht kur bëhet fjalë për mëkate të përbashkëta.

Ky roman ju ofron lexuesve një trajtim terapeutik që do t’i ndihmojë ata ta njohin vetveten ndoshta më tepër se nga çdo libër tjetër që kanë lexuar deri tani.

Shkrimtarë si Visar Zhiti janë shumë të talentuar për t’u liruar nga burgu. Edhe kur artistë të tillë e kryejnë dënimin “e merituar” për “komplotet” që thurin duke “manipuluar” fjalën, armën më të rrezikshme që disponojmë ne njerëzorët, ata duhen flijuar me ngujim të përhershëm në kullën e harresës. Për këtë të fundit ne kemi merita, veçanërisht kritika letrare shqiptare.

Kritika shqiptare do ta ngrinte në qiell këtë roman, po qe se do të kishte tërhequr vëmendjen e kritikëve në Perëndim. Tani për tani, kjo nuk ka të ngjarë, sepse Zhiti nuk është i interesuar të trajtojë tema folklorike dhe ekzotike që perëndimorët e interesuar për Shqipërinë dhe hapësirat shqiptare, si gjithmonë, vazhdojnë t’i kenë aq shumë për zemër. Zhiti është shkrimtar shumë serioz që di të shkruajë vetëm me qëllim që të tërheqë vëmendjen dhe të sigurojë aprovimin e kritikës së huaj. Disa shkrimtarë shqiptarë, me eksperiencë apo edhe pinjollë të rinj, që me sa duket e masin suksesin kryesisht me kutinë e vlerësimeve të befta që vijnë nga përtej Adriatikut, duhet të mësojnë nga dinjiteti dhe integriteti profesional i Zhitit.

Deri diku, kjo vepër e Zhitit vërtet është një roman anti-diktaturë. Diktatura që Zhiti demaskon pamëshirshëm, megjithatë nuk është thjesht ajo komuniste. Si çdo shkrimtar, Zhiti pasqyron në veprat e tij eksperiencën personale. Si çdo shkrimtar i madh, ai nuk është rob i saj, por e përdor atë si platformë për të trajtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kombin shqiptar. Dhe jo vetëm me të. Romani i Zhitit përqendrohet, ndër të tjera, në çështjen thelbësore të marrëdhënieve të njeriut me shtetin si një instrument force, indoktrinimi dhe totalitarizmi. Këto tipare janë karakteristika të shtetit në çdo sistem shoqëror, përfshirë shtetet demokratike.

E veçanta e këtij romani-poemë është se edhe pse simbolizon jetën si një korte kotësie (ndoshta “Korteu i Kotësisë” do të ishte një titull më domethënës për këtë vepër), Zhiti nuk e humb besimin te njerëzimi, tek vitaliteti ynë si qenie njerëzore për të ngadhënjyer në situata kur arsyeja duket se ka vdekur. Zhiti gjen kuptim dhe kthen në art anët më të errëta të realitetit njerëzor. Si çdo kryevepër që përqendrohet në temën e pesimizmit, atë e përshkon një damar elegant optimizmi.

Universiteti i Birmingham-it, Angli

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›