E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, një autobus i sëmurë



Sislej Xhafa, një performancë befasuese për Galerinë Art Oksford. Në një nga rrugët më të rënduara nga trafiku në “Cornmarket Street” – bashkon një grup të papunësh për të shtyrë një autobus të prishur, si simbolikë e kompleksitetit të turizmit sot

Një autobus elegant, i gjatë, i vjetër, që shtyhet në mes të rrugës së një prej qyteteve të Anglisë, tërheq vëmendjen e kalimtarëve, në një trafik tepër të dendur - duke u shtyrë nga një grup njerëzish të papunë. Artisti shqiptar nga Kosova, që jeton në Nju Jork, Sislej Xhafa, ka krijuar kështu performancën shokuese, jo të zakontë për publikun londinez.

Në Oksford të Anglisë, artisti shqiptar ka konceptuar kompleksitetin e turizmit, duke paguar njerëz të papunë që të shtyjnë një autobus. Autobusi i mbuluar me ngjyrë reflektuese u shty një copë rrugë nga të papunët në “Cornmarket Street”.

Sislej Xhafës ka marrë leje që të sjellë automjetin në këtë rrugë të ngarkuar, për perfomancën rreth “kompleksiteteve të turizmit” - të quajtur autobusi elegant i sëmurë.

Galeria Modern Art Oksford pagoi shtyesit e autobusit nga 15 sterlina për pjesëmarrjen e tyre që zgjati një orë. Autobusi reflektues, që fillimisht ka performuar në Stamboll në vitin 2001, ishte caktuar të shtyhej nëpër “Cornmarket Street”, me motor të fikur deri në “Oxford Castle” në “New Street”, ku do të qëndrojë i ekspozuar deri më 21 qershor 2009. Artisti shqiptar, 38-vjeçar, Xhafa ka ekspozuar shpesh në Evropë, Azi dhe Amerikë dhe eksperimenton në skulpturë, pikturë dhe performancë.

Sislej e qartëson performancën e tij, duke u shprehur se “vepra ime, autobusi elegant i sëmurë, vë në pyetje kompleksitetet e turizmit dhe fenomenit ekonomik të tij. E shoh autobusin si një mjet të turizmit që reflekton ambientin”. Ndërsa Suzanne Cotler, kuratore e ekspozitës “Transmission Interrupted”, mbi impresionon e artistit shqiptar tha: “Sislej Xhafa është një artist bashkëkohor i vlerësuar për veprat e tij me imagjinatë të lartë në arenën publike. Ngjarja është pjesë e Artit Modern Oksford i “Transmisionit Interrupted”, ekspozitë e cila e mbështet punën në performancat me 14 artistë të kohës.

Sislej Xhafa është një prej emrave më të njohur të artit bashkëkohor shqiptar, eksperiencat e të cilit kanë qenë të bujshme nëpër botë.

Duke qenë një nga artistët më të njohur me prejardhje shqiptare, Sislej dallohet për operacionet e tij artistike të debatueshme dhe provokuese.

Ajo që shquhet e zakonshme në punët e Xhafës është se gjen përveç ironisë edhe shprehje në mënyrë ekzibicioniste të autorit.

Depërtimi i Xhafës në skenën botërore të artit erdhi në 1997, në Bienalen e Venecias, ku artisti i veshur si një futbollist me ngjyra kuqezi e me flamurin shqiptar të varur në çantën e shpinës, me një top në dorë në hapësirën e Giardini-t ftonte vizitorët që të luanin me të. Kjo formë joagresive e shprehjes, e titulluar “Ilegal Albanian Pavilion”, i bëri vizitorët të vetëdijshëm për faktin se shumë vende si Shqipëria nuk kishin pavijonin e vet.

I lindur në Pejë të Kosovës në 1970, Xhafa studioi në Shkollën e Arteve, Chelsa, në Londër. Më pas në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence nga 1993-1997, dhe në Mineapolis Kolegj, për Art dhe Pikturë prej 1994-1995. Sislej Xhafa aktualisht jeton në Nju Jork dhe Itali. Xhafa është bërë një emër i njohur i artit figurativ nëpërmjet punës zhbiruese, e cila me “ironi” u drejtohet çështjeve të realitetit social, ekonomik e politik, turizmit në relacionin gjeografik e global, duke “goditur” me gjithë forcën e artit të bukur e në mënyrë komplekse, formën moderne të shoqërisë, anembanë globit.

Sislej Xhafa është fitues i çmimit të parë “Fondacione Pistoleto”, Biella, Itali në vitin 2001. Fitues i çmimit të parë “Artista Emergente Italiano/Fondazione Querini Stampalia, Premio Querini - Furla per l’Arte”, Venecia - Itali më vitin 2000, si dhe në vitin 1999, fitues i çmimit të parë “Onufri” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Përgatiti: V.M

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›