E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderaj dhe Çako ndezin shqiptarët e Torontos



Një harmoni e përkryer e një publiku të kulturuar dhe dy yje të muzikës shqiptare në një natë toronteze. Jehona e koncertit ka qenë ndoshta ndër më të rrallat që ka “pushtuar” ndjeshmërinë e shqiptarëve në diasporë, duke ia dedikuar këtë pjesëmarrjes në një traditë dyvjeçare të takimit me këngëtarë nga Shqipëria.

Ndërsa, ka ndezur shqiptarët në këtë mbrëmje në Toronto koncerti i dy këngëtarëve Alban Skënderaj dhe Pirro Çako.

Ish-regjisori RTV shqiptar, Gjergj Rita, i mirënjohuri i festivaleve të pranverës, të cilat u bënë preludi i pranverës shqiptare me shtegtimet e tij në qytetet kryesore të Shqipërisë, si dhe në Kosovë e Maqedoni, ka krijuar tashmë një traditë tjetër të pranverës shqiptare, në një kontinent tjetër të largët e përtej oqeanit, në Kanada.

Në mbrëmjen e 5 prillit në një nga sallat e Paradise Banquet & Convetion Centre (në kapacitetin maksimal të qindra pjesëmarrësve), interpretimi live i dy yjeve të muzikës moderne shqiptare, Pirro Çako dhe Alban Skënderaj, çoi në emocione ngazëlluese edhe argëtuese për shqiptarët në një mbrëmje toronteze.

Një ambient elegant dhe intim, me muzikë live, dancim dhe shampanjë, ishte konturimi artistik që ish-regjisori Rita konceptoi një “show” ku tradita shqiptare dhe standardi amerikano-verior, me një publik të kulturuar u ndërthurën në një harmoni të dimensionit modern.

Bashkëpunimi i ish-regjisorit Rita shtrihet gjithashtu edhe me ish-kolegun e tij të RTV shqiptar me banim në Montreal, Mishel Koçiu, i cili gjatë koncertit bëri një prezantim profesional të artistëve përpara një publiku dinjitoz.

“Pirro Çako afirmoi edhe një herë talentin dhe profesionalizmin artistik me një interpretim dinjitoz, duke i dhuruar publikut shqiptar në Toronto një natë të paharruar”.

Pritje pa fund të adhuruesve me dëshirën për të marrë një autograf ose një foto si kujtim. Dancim nën tingujt e motiveve të mirënjohura si “Engjëll apo djall”, “Me lot krokodili”, “Ah moj dashuria ime” etj....

Alban Skënderaj ishte surpriza befasuese për spektatorët e Torontos.

Me interpretimin e ngrohtë dhe talentin e tij, Skënderaj afirmoi përpara publikut shqiptar në Toronto imazhin e një artisti të talentuar dhe të edukuar duke mos njohur kufijtë e moshës. Interesimi i publikut për CD-të e Pirros dhe Albanit ishte i mahnitshëm – vetëm brenda disa minutash u shitën të gjitha CD-të e albumeve të tyre.

Sipas Skënderajt, në përvojën e tij si artist, është unike dhe shumë impresionuese, që një publik kaq i largët fizikisht në kontakt dhe ekspozimin me muzikën e tij, të tregojë këtë interes të jashtëzakonshëm për CD-në.

Një bashkëbisedim i hapur dhe i ngrohtë me pyetje dhe përgjigje të publikut për të dy artistët e ftuar i drejtuar nga ish-gazetari i TV shqiptar, Mishel Koçiu.

“Unë kam bërë me qindra koncerte, por kjo për mua sot është e para e këtij standardi”, - është shprehur Albani. Ndërsa këngëtari Pirro Çako thotë: “Do dëshiroja të bëja pak koncerte, por në cilësinë e koncertit të kësaj nate”.

Ish-regjisori i TVSH-së, Gjergj Rita, njihet si një nga kontribuuesit e spikatur të komunitetit shqiptar në Toronto për ta dhënë identitetin shqiptar, duke e shndërruar rutinën e zakonshme në angazhimin e tij në një nga stacionet televizive kanadeze.

Mbajtja gjallë e një tradite kulturore në një vend të huaj, duke e shkrirë kulturën e vendit ku jetojnë me fizionominë e artit shqiptar, krejtësisht moderne, ka qenë “Music Hall”. Është një bashkëpunim me artistët shqiptarë me banim në Toronto edhe përfshirja e instrumentistit të mirënjohur përtej kufijve shqiptarë, Jani Papadhimitri, dhe dy vajzat e tij artiste, Sofia dhe Livia, sopranoja e talentuar e muzikës operistike, Mirela Tafaj, balerinët e dancimit klasik dhe modern, Resmi Malko dhe Denajda Dhrima.

Ky koncert është vijim i një tradite disavjeçare ku artistët e ftuar si Ermira Babaliu, Irma Libohova, Bleona Qerreti, Edi Xhani etj. i kanë dhënë publikut shqiptar në Toronto domosdoshmërinë shpirtërore, nostalgjinë, atë që shpesh bashkatdhetarët e quajnë në një fjalë: mall, duke i kthyer koncertet e këtij lloji në një celebrim festiv të natyrës “Albanian Gala” në Toronto.

Familja Rita dhe artistët, sipas Koçiut, në përgjithësi ekziston ideja që prapa evenimenteve të tilla artistike qëndron gjithmonë një agjenci e specializuar showbiz-i. Kurse në fakt është thjesht një regjisor (Gjergji) dhe familja e tij. Është pak të thuash përkushtim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›