Dita e Librit në Tiranë
Duke u quajtur si vit i Lasgush Poradecit, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, për këtë poet do të flitet edhe si fotograf dhe piktor. Është veprimtaria që nxjerr nga zyrat e Ministrisë së Kulturës projektin e parë konkret për Lasgushin, që shënon përvjetorin e 110-të të lindjes. Më në fund në këtë ditë, ndonëse e njohur si fakt, do të prezantohet botimi për herë të parë i studimit të Poradecit mbi Emineskun. Doktoratura, mbi poetin rumun e mbrojtur në Universitetin e Gracit, Austri, e zbuluar disa vite më parë nga familjarët, tani merr version zyrtar duke u financuar nga ministria. Po më datë 23 prill, “100 vjet Indro Montanelli”, është cilësuar veprimtaria më e rëndësishme gjatë kësaj dite, në kuadër të celebrimit të Ditës Botërore të Librit. Në prani të shumë personaliteteve shqiptare, është ftuar të marrë pjesë edhe historiani, gazetari Sandro Gerbi, i cili pritet të mbajë një konferencë speciale për aktivitetin e shkrimtarit Indro Montanelli. Veç kësaj, në Bibliotekën Kombëtare do të realizohet edhe një paraqitje në trajtën e një ekspozite nga vepra e këtij autori, Monatanelli, i cili është përzgjedhur si përfaqësues i kësaj dite. “Shqipëria një dhe një mijë”, është libri i cili pritet të promovohet në këtë ditë, si përkthim i vetë drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.
Ndërsa një tjetër poet ka vendosur të ndajë përvojën e tij poetike, në të gjallë, me lexuesin shqiptar pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit. Ai është Sean Thomas Dougherty, poeti amerikan që ditën e martë dhe të enjten do të tregojë në mënyrë krejtësisht specifike çfarë ndodh në laboratorin e poezive të tij.