E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasikët e partisë

Në një hark kohor prej 55 vitesh, njeriu i arkivit, Zamir Këlliçi, flet për gjithë drejtorët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Si u njohën të mëdhenjtë dhe si gabuan më të paaftët, komisarët e vendosur nga partia? Si u pezullua repertori i klasikëve të mëdhenj botërorë dhe në vend të tyre mbinë klasikët e soc-realizmit. Të gjitha këto priten të përfshihen në një botim të posaçëm që del në kuadër të 55-vjetorit të themelimit të Operës. Historia më e zymtë, sigurisht që i takon kohës së diktaturës. Këlliçi tregon se ambiciet klasike u përmbysën. Dy kulmet e Operës, themeluesi Albert Paparisto dhe drejtori aktual, Zhani Ciko

Klasikët e partisë

Suela Furriku

Teatri i Operës dhe Baletit është nga ato institucione që nuk e kanë të lidhur historinë me emra personalitetesh, por me kohën. Viti 1953 shënon momentin kur për herë të parë në vend filloi të flitej për Opera, për gurin themel të së cilës njihet muzikologu Albert Paparisto. Në një hark kohor prej 55 vitesh, kur mbush në mesin e muajit nëntor ky institucion, njeriu i arkivit, Zamir Këlliçi, flet për gjithë drejtorët e Operës, si u njohën të mëdhenjtë dhe si gabuan më të paaftët, si iku repertori i klasikëve të mëdhenj botërorë dhe në vend të tyre mbinë klasikët e soc-realizmit. Të gjitha këto priten të përfshihen në një botim të posaçëm që del në kuadër të 55-vjetorit të themelimit të Operës. Historia më e zymtë, sigurisht që i takon kohës së diktaturës. Këlliçi tregon se si ambiciet klasike u përmbysën. E bërë tashmë si normë zakoni në periudhën e monizmit, censura trokiti dhe në Opera. Urdhri ishte i prerë për të pezulluar të gjithë repertorin e veprave klasike. Viti 1966, kohë kur u fshinë të mëdhenjtë klasikë dhe në opera nisi të vihej në skenë “prodhimi” vendas, pra “klasikët” e partisë.

“Nuk ishte një akt normal, sepse një teatër i operës nuk mund të mbahet vetëm me vepra shqiptare. Gjatë këtyre viteve opera mori një goditje shumë të madhe nga Pleniumi i katërt kur u dënuan artistë si Todi Lubonja, Fadil Paçrami etj. Ndërsa ishte shumë i rëndë pezullimi i repertorit klasik në Teatrin Kombëtar, nëpër rrethe, apo qoftë edhe në emërtime librash, shkollat e artit etj.”, - tregon Këlliçi.

Kjo shënon groposjen e Teatrit të Operës.

Gjatë këtyre viteve u vunë në skenë operat “Palaçot”, Zhizel, “Kavaleria e Rustinake”, “Don Kishoti” etj. Sikur mos të mjaftohej pezullimi i shumë klasikëve nisën redaktimet e tmerrshme, për shkak të përplasjes së interesave me sistemin. Teatri i Operës është themeluar në vitin 1953 dhe nga ky vit deri në 1958 godina e tij ishte aty ku sot është Teatri Kombëtar. Drejtoi i parë i këtij institucioni ishte muzikologu Albert Paparisto, i cili vuri themelet e kësaj gjinie të re për Shqipërinë. Ndërsa mes viteve 1958-1966 u transferua në një tjetër godinë, ku sot njihet ndryshe Akademia e Arteve. Me ngritjen e Pallatit të madh të Kulturës brenda u përfshinë tre institucione, Biblioteka Kombëtare, Pallati i Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Gjatë këtyre viteve, TOB do të drejtohej nga një tjetër titullar, Koço Vasili.

“Gjatë kësaj kohe opera filloi të drejtohej jo më nga njerëz kompetentë dhe profesionistë, por nga “teoria” e komisarëve politikë”, - thotë Këlliçi. Rrëfenja e arkivistit vazhdon me një tjetër drejtor, titullar jo i profesionit, Mustafa Gërçaliun. Mandatin e merr pas tij udhëheqës i TKOB-së, Xhemil Simixhiu, një ish-balerin i cili kishte studiuar për koreografi në ish-Bashkimin Sovjetik. Më pas ai u zëvendësua nga Riza Hajro, një mësues i gjuhës ruse.

Pas viteve ’90 opera merrte tjetër frymë, por edhe këtë me dhimbje, - pohon Këlliçi. Shumë artistë filluan të largoheshin për arsye ekonomike. “Në fillim të viteve ‘90 një artist merrte rreth 50 dollarë, ndërkohë që në skenat ndërkombëtare ai kishte mundësinë të paguhej me pothuajse dhjetëfish më shumë”.

Pas ndërrimit të sistemeve edhe drejtorët e operës u zëvendësuan, duke sjellë në vend një nivel më të lartë të profesionalizmit, si dhe titullarë më të përshtatshëm dhe kompetentë. “Çdo gjë filloi të shkonte në vendin që i takonte sidomos pas emërimit të drejtorëve të rinj si Feim Ibrahimi, kompozitor; Agron Xoxe, pianist; Vaso Tole, kompozitor”. Pas tyre vjen Zana Çela, pa “backgraund” operistik, pas drejtimit të një prej emisioneve televizive ajo vihet politikisht në krye të Operës, ku të gjithë e pranojnë se ky institucion pësoi një degradim të vogël, duke qenë larg profesionalizmit. Çela si në kohën e diktaturës, kur bëheshin emërime politike, kishte mbaruar për mësuese letërsie. “Për mua mund të jesh amator i mirë, por sërish i tillë mbetesh, thjesht amator, kështu që nuk mund të drejtosh një institucion elitar. Çela ishte në një moshë të re, por edhe ajo mbahet mend për një opera të njohur dhe me sukses siç ishte “Norma””, - tregon arkivist Këlliçi. Ndërsa me emrin e Çelës lidhet historia më e dhimbshme e Operës pas diktaturës që do mbahet mend për grevën e artistëve – një precedent i padëgjuar ndonjëherë. Në emër të “ligjit për teatrin”, Zana Çela jo vetëm hyn në konflikt me artistët, por pushon pesë artistë nga puna si dirigjentin e njohur, Bujar LLapajn, mjeshtren e korit, Zana Turkun, pianistin Agron Xoxe etj.

Ndërkohë që në 2003, postin e drejtimit e merr dirigjenti Zhani Ciko. “55-vjetorin e TKOB unë e cilësoj si të tillë, ku titullarët më të përshtatshëm kanë qenë dy polet e drejtimit, ai që e themeloi, pra Albert Paparisto, si dhe ai që po e drejton momentalisht, Zhani Ciko”.

Sot flitet për një stinë tjetër për Operën, ku tenorë e soprano kanë shpërthyer dhe njihen në skenat evropiane. “Sot gjendja e teatrit është më e mirë meqenëse edhe repertori është më i zgjedhur. Ky teatër në këtë 55-vjetor ka një bilanc tjetër, jo vetëm për përvojën, por dhe me njohjen”. Ish-drejtori Agron Xoxe mbahet mend për veprimtaritë e operës jashtë vendit, turnetë e shumë të ndërmarra dhe pas tij, muzikologu Vaso Tole vlerësohet duke vazhduar këtë traditë, por e përqendroi së tepërmi vëmendjen në anët teorike. Konkretizimi i saj është ngritja e një muzeu të Teatrit të Operës, që aktualisht nuk funksionon më, me pretendimin se do të ngrihet një tjetër më i madh. Ndërsa njihet si koha e promovimit të librave mbi muzikën dhe artin. Si stina e lulëzimit të operës njihet kjo e drejtorit aktual, Zhani Ciko, ndonëse kaloi një periudhë të vështirë sezonin e kaluar, për shkak të një kolapsi politik të funksionimit të marrëdhënieve me dikasterin e lartë të kulturës, në këtë institucion njihen 15 premiera të vëna në skenë për herë të parë. “Para ‘90-s kur luhej një premierë ishte eveniment në Tiranë, ajo shkonte gjashtë muaj, e shpesh edhe një vit, sepse do të aprovohej, do të kalohej në duar të disa komisioneve e kështu me radhë. Ndërsa sot nën udhëheqjen e Cikos një premierë vihet për një muaj. Janë thyer rekordet kohore”, - tregon arkivisti Këlliçi.

Kulmin e operës, arkivisti shënon se njihet fillimi i saj dhe ditët e sotme që është hapur me baletin “Esmeralda”, “Traviata”, “Romeo dhe Julieta”, “Berberi i Seviljes” dhe me operën shqiptare “Mrika” etj. Ndërsa është vënë për herë të parë në skenën në vitin 1956, opera “Traviata” e Verdit, në ditët e sotme shënon një nga sukseset më kulmore të TOB-it, duke u rivënë në skenë mbi dhjetë herë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›