Kleçka, prokurori Salustro pritet si dëshmitar

Fatmir Limaj duke hyrë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë
PRISHTINE- Trupi gjykues do të vendosë sot nëse prokurori Mauricio Salustro do të ftohet si dëshmitar. Kjo është edhe kërkesë unanime e mbrojtjes, të cilët kërkojnë që Salustro të përgjigjet në akuzat e dëshmitarit Agim Zogaj dhe bashkëshortes së tij.
Avokatët mbrojtës të të akuzuarve në rastin Kleçka dhanë arsyet që Mauricio Salusstro të merret në pyetje si dëshmitar. Avokatët për këtë bazohen në akuzat që tashmë i ndjeri Agim Zogaj ia ka bërë prokurorit si dhe në bazë të një kallëzimi penal që bashkëshortja e të ndjerit Ganimetja ka deponuar kundër prokurorit Salustro.
Avokatët një nga një dhanë argumentet e tyre pse prokurori duhet të merret në pyetje lidhur me trajtimin që i është bërë dëshmitarit X, i cili edhe ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues i gjykatës.
Dyshimet se prokurori kishte bërë presion ndaj dëshmitarit, avokati Haxhi Millaku i lidh me atë së kur në korrik të vitit të kaluar mbrojtja e kishte marrë në pyetje dëshmitarin dukej se ishte nën sqetullat e hetuesve dhe ajo sjelljes, sipas Millakut, i ngjasonte stilit të Gestapove.
Millaku tha se do të ishte mirë që prokurori të paraqitej vullnetarisht që të dëshmojë. Kjo do të ishte më rëndësi edhe për EULEX-in, tha Millaku. (Express)