E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet kreu i PS, Rama afrohet me Nanon: E vlerësoj pozitivisht

Kryetari i PS flet për paraardhësin e tij: Qëndrimet nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, procesi është dinamik.

Kreu i PS: Braçe ka admirimin e socialistëve.

“Ato që janë thënë, se ka pasur një skemë për të ushtruar dhunë më 21 janar, janë shpifje

Kreu socialist, Edi Rama, i ftuar në emisionin 5 pyetje nga Babaramo, në News 24, vlerësoi heshtjen e kohëve të fundit të Fatos Nanos, duke evidentuar një ndryshim në sjelljen e tij.
Ai kërkoi një proces dakordësie me maxhorancën për emrin e ri të Presidentit, për një President që të mos i takojë asnjë pale. Duke folur për ngjarjet e 21 janarit, Rama hodhi poshtë të gjitha pretendimet dhe komentet se edhe opozita ka përgjegjësinë e vet në humbjen tragjike të katër jetëve gjatë demonstratës. Ai i konsideroi shpifje të gjitha komentet që bëjnë përgjegjëse opozitën.
Zoti Rama, një vit pas 21 janarit, çfarë do të ndryshonit në qëndrimet tuaja? A do të keni një brejtje ndërgjegjeje për atë tragjedi që ndodhi?
E kam dëgjuar këtë version të mundshëm të qasjes ndaj 21 janarit, por dua të rinënvizoj se masakrën e 21 janarit nuk e bëri opozita, por qeveria. Është qeveria ajo që vrau, me pushkët e Gardës së Republikës dhe me përgjegjësinë direkte të Kryeministrit dhe ish-ministrit të Brendshëm. Asgjë nuk mund ta justifikojë dhe ta balancojë në asnjë lloj mënyre këtë krim.
Çmendim keni për deklaratën e ambasadorit Arvizu, kur tha se ndoshta do të ishte më mirë që edhe ju të kërkonit ndjesë për ngjarjen e 21 janarit, që i çuat njerëzit në atë protestë të dhunshme?
Së pari, njerëzit në atë protestë apo demonstratë kanë dalë me vullnetin e tyre të lirë. Të gjitha ato që janë thënë, se ka pasur një skemë për të ushtruar dhunë apo ka pasur grupe të paguara për të krijuar këtë situatë, janë shpifje. Aty janë derdhur lumë në bulevardin Dëshmorët e Kombit qytetarë dhe qytetare të këtij vendi që nuk pranojnë të ulin kokën dhe as të bashkëjetojnë me një qeveri, e cila nuk e meriton të qeverisë shqiptarët për një mijë e një arsye. Nga ana tjetër, më lejoni ta rinënvizoj se asgjë në botë nuk mundet dot të përdoret si arsye për të ulur frymën e protestës në një shoqëri të lirë, që pretendon të jetë edhe demokratike.
Edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë është thënë se shumë militantë të Partisë Socialiste shkuan për të protestuar, por ndërkohë, një grup prej 200 vetash, që ishin në krye, ishin me një axhendë tjetër, ata që sulmuan, apo më saktë provokuan policinë. Këta ishin militantë të Partisë Socialiste, apo…?
Ka pasur një hetim të thellë gjithëpërfshirës, të pavarur dhe të paanshëm edhe për këtë aspekt të 21 janarit. Janë ndaluar dhe janë gjykuar shumë protestues dhe asgjë e tillë nuk ka rezultuar.
Zoti Rama, të flasim pak për çfarë ndodh sot në Partinë Socialiste…
Po pse?
Sepse ju jeni kryetar i Partisë Socialiste.
Po. Por ju nuk jeni anëtar i Partisë Socialiste dhe ajo që ndodh në Partinë Socialiste sot është problem i brendshëm i saj. Ne flasim çdo ditë me të gjithë socialistët, dhe sot që flasim të gjithë drejtuesit e PS kanë qenë në kontakte intensive në të gjithë territorin.
Do ta përjashtoni zotin Braçe, që nuk zbaton urdhrin për të mos shkuar si i deleguar në Korçë?
Erjon Braçe është një opozitar, i cili ka të gjithë admirimin e socialistëve dhe timin personalisht. Nuk hyj në një telenovelë të stimuluar fuqishëm nga të gjitha ekranet dhe gazetat që kanë interes të çorodisin publikun lidhur me PS.
Lidhur me reformën zgjedhore, aleatët tuaj ju kanë vënë kusht për korrektimin e sistemit zgjedhor. Do ta mbështesni këtë kusht të tyre?
Jemi plotësisht dakord dhe kemi një qëndrim të unifikuar të tryezës së koalicionit për një përmirësim të sistemit të sotëm zgjedhor duke e konsideruar korrektimin kombëtar si një element që u jep mundësi të gjitha partive të përfaqësohen proporcionalisht nga votat që marrin.
Nëse PD do të refuzojë të japë votat e saj për korrektimin kombëtar, a ka një plan B nga opozita për ta realizuar këtë?
Sigurisht që ka një plan B, por jo për tu thënë sot në këtë emision.
Nëse nuk ka një korrektim proporcional kombëtar, a do të jenë zoti Milo, Gjinushi dhe Koçi pjesë e listës së deputetëve të PS në zgjedhjet e ardhshme?
Listat e Partisë Socialiste janë të Partisë Socialiste dhe jua thashë që ne kemi dhe një plan B, të cilin kemi nisur ta diskutojmë me aleatët.
A rrezikon koalicioni juaj të shpërbëhet nëse nuk realizohet korrektimi kombëtar?
Nuk mendoj se koalicioni mund të shpërbëhet, përkundrazi, do të zgjerohet me forca të tjera dhe, mbi të gjitha, me forcat e shoqërisë. Në këto zgjedhje, koalicioni ynë nuk do të jetë mbi bazën e partive, por me të gjitha grupet e interesit dhe individë që kanë dëshirën ti kundërvihen kësaj qeverie dhe këtij pushteti.
Si do të veproni për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, do të ketë një listë si në 2007-n, apo një emër të vetëm nga PS?
Sikundër e kemi thënë, ne jemi të bindur që Shqipërisë i duhet një President që të mos varet as nga njëra palë dhe as nga pala tjetër, të përfaqësojë unitetin kombëtar dhe të bëhet garant i Kushtetutës dhe i të gjitha funksioneve që duhet të kryejë kreu i shtetit.
Zoti Nano e plotëson këtë kriter?
Nuk po flasim për emër dhe nuk vendosim asnjë kusht për të diskutuar me palën tjetër dhe për ta gjetur përmes rrugës së arsyes dakordësinë me palën tjetër për të gjetur një President të të gjithë shqiptarëve, dhe jo një President të një pale.
Pesë vjet më parë, ndoshta dhe me herët, zoti Nano ishte tejet agresiv ndaj jush, ndërkohë sulmet e tij kanë pushuar ndaj jush. Çfarë ka ndodhur?
Duhet të pyesni zotin Nano për këtë, por unë këtë e vlerësoj pozitivisht.
Dhe reflektoni mbi këtë për të ndryshuar qëndrim ndaj tij?
Qëndrimet nuk janë asnjëherë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por janë vullnete palësh dhe individësh në një proces politik, që është një proces i gjatë, i cili është dhe dinamik.
Nëse nuk zgjidhet zoti Nano President i Republikës, siç dhe ka shprehur ambicien e tij, do të jetë në listat e deputetëve të PS në zgjedhjet e ardhshme?
Mendoj që në të gjitha rastet, Fatos Nano e ka kaluar atë fazë politike.
Pra nuk do ta propozoni?
Këtu nuk jemi duke bërë listat e Partisë Socialiste, unë fola në parim.
Ju keni qenë në Vjenë javën e shkuar dhe nuk shkuat vetëm për të takuar Vranickin, besoj. A takuat ndonjë kancelar tjetër shqiptar, për zotin Nano e kisha fjalën?
Kam takuar shqiptarë, kam takuar përfaqësues të Partisë Socialiste austriake dhe ka qenë një vizitë e organizuar nga Partia Socialiste austriake.
Zoti Nano ishte i ftuar në këtë aktivitet?
Po të kishte qenë i ftuar do ta kishit dhënë me kohë këtë lajm. Takimet kanë qenë të hapura dhe për mediat. Janë transmetuar dhe në Shqipëri.
Jeni takuar privatisht me zotin Nano në Vjenë?
Jo.
Flasim për koalicionin e mundshëm. Zoti Topi ka lënë të kuptohet se do të krijojë një parti pas mandatit të Presidentit. E shikoni si një aleat të mundshëm, ashtu siç është sot aleat dhe zoti Meta, një i majtë me zotin Berisha?
Zoti Topi është i djathtë, i përket së djathtës dhe nuk ka asnjë lidhje as me PS, as me alternativën tonë qeverisëse.
Po me zotin Spahiu?
Po ashtu dhe me zotin Spahiu, ai është një shprehje e pakënaqësisë brenda kampit të djathtë dhe, si i tillë, është larg Partisë Socialiste.

ILIR BABARAM

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›