E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për festën e fundvitit, në gatishmëri edhe grupe të posaçme të repartit RENEA

Policia e kryeqytetit blindon ambasadat e huaja për festat e fundvitit. Veç tyre, policia ka marrë në mbrojtje gjithë objektet e rëndësisë së veçantë, ku janë përforcuar shërbimet, me qëllim parandalimin e çdo ngjarje. Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në zbatim të përgjegjësive ligjore, kanë planifikuar dhe marrë masa për parandalimin e ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cenojnë rendin e qetësinë publike. Masa të veçanta janë planifikuar në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale. Gjithashtu, nuk është lënë mënjanë edhe rritja e sigurisë në rrugë dhe parandalimi i ngjarjeve aksidentale.
Policia e kryeqytetit bëri të ditur se veç tyre është kryer sigurimi i rendit dhe qetësisë publike në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në qendrat tregtare, bulevardet e sheshet kryesore, si edhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve. Një hapësirë e veçantë për këto masa është ajo e sigurimit të ambasadave, rezidencave të tyre, si edhe objekteve të rëndësishme, duke përfshirë edhe nënstacionet elektrike e depot e ujit. Për ambasadat e huaja dhe rezidencat e tyre, policia shpjegoi se veç shërbimeve të ruajtjes së objekteve, janë shtuar edhe ato të rendit. Gjithashtu, policia shpjegoi se një grup i veçantë do të jetë i gatshëm edhe në repartet speciale, duke përfshirë edhe RENEA-n. Nga ana tjetër, po bashkëpunohet edhe me shërbimet e emergjencës, si ambulancat, zjarrfikëset dhe shtabet e ngritura pranë prefekturave.
Ndërkohë, Policia e Tiranës, duke marrë shkas nga aksidenti automobilistik i datës 27 dhjetor 2009, ka planifikuar masa dhe do të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkoolike. Ndërkohë, ajo vë në dispozicion për qytetarët numrat telefonikë pa pagesë Nr. 129 dhe Nr. 126 për të denoncuar çdo veprim të paligjshëm apo ngjarje aksidentale. “Detyra të veçanta janë përcaktuar për mbajtjen nën kontroll të elementëve me precedent kriminal, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e shpejtë dhe në kohë të ngjarjeve kriminale. Po ashtu është kërkuar edhe realizimi i analizave të shpejta dhe vlerësimi i informacioneve për konflikte të mundshme dhe si rezultat i ardhjes së emigrantëve, duke marrë masa me karakter parandalues”, shpjegon policia.
Ndërsa me qëllim planifikimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, do të bashkëpunohet me autoritetet vendore për t’u njohur me programet apo aktivitetet e festimeve që do të zhvillohen gjatë fundvitit. Krahas masave, nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim edhe me punonjësit e Doganave, si dhe struktura të tjera, po punohet me qëllim bllokimin e hyrjes në Shqipëri të fishekzjarrëve të rrezikshëm për jetën. Ndërsa për sigurimin e ndihmës për shtetasit në nevojë, Drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe Komisariatet e Policisë janë porositur të marrin masa për afishimin në vende të dukshme të numrave telefonikë të shërbimeve të sallave operative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›