E Diel, 1 Nëntor 2026

Koroveshi: Mëkat për Naftëtarin, nëse nuk ngjitet në të parën

Nga Arben Çepani

Pavarësisht mungesës së tifozëve në stadium, bardhezinjtë e Naftëtarit e kanë kaluar me sukses provën e vështirë me Albpetrolin. Kuçovarët e patën vërtet të vështirë përballë një kundërshtari që u mbrojt fort dhe kërkoi ta frenonte Naftëtarin, por nuk ia arriti qëllimit. Endri Koroveshi, autor i golit të dytë në atë fitore të çmuar, mendon se Naftëtari zhvilloi një lojë të mirë në të gjitha drejtimet. Sipas tij, golat vonuan për shkak të lojës krejtësisht mbrojtëse të kundërshtarit dhe terrenit të rënduar. Djali i ish-futbollistit të njohur të Naftëtarit të viteve 70-80, Mikel Koroveshit, thekson se duhet ruajtur përqendrimi për ndeshjen me Memaliajn në transfertë. ”Kemi bërë detyrën në ndeshjen e fundit, ndonëse me vështirësi. Kemi marrë një fitore të çmuar dhe vazhdojmë të jemi pretendentë për ngjitjen në kategorinë e parë. Pa dyshim, dëshira është e madhe për të kapur kreun, por kjo nuk varet nga ne. Duhet të shpresojmë në ndonjë hap të gabuar të rivalëve tanë dhe njëkohësisht të fitojmë ndeshjet tona. Kemi një sfidë të vështirë këtë javë në Memaliaj dhe duhet ta kalojmë me sukses. Po zhvillojmë një kampionat mjaft të mirë në të gjitha drejtimet dhe mendoj se do të ishte e padrejtë, nëse nuk do të ngjiteshim në kategorinë e parë. Shpresojmë që sezonin e ardhshëm të jemi një kategori më lart, ka theksuar Koroveshi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›