Plaka: Dënimi im, një masë ekstreme
Cërrikasit janë shtangur nga masa e marrë ndaj drejtorit sportiv dhe nga heqja e pikëve për Domosdovën
Nga Artan Paja
Drejtuesit më të lartë të klubit cërrikas kanë shprehur keqardhje për masën ekstreme që i është dhënë drejtorit sportiv, Thoma Plaka, nga ana e Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së. Sipas tyre, dënimi prej 9 javësh dhe gjoba prej 20 mijë lekësh është në kundërshtim me vetë rregulloren, pasi në Përrenjas gjithçka ka qenë pjesë e emocioneve të lojës dhe aq më tepër irritimi ndaj gjyqtarit kryesor. Klubi cërrikas ka mbetur i shtangur edhe nga masa të tjera ekstreme, siç është heqja e 3 pikëve për Domosdovën. ”Jemi të indinjuar për këto masa ektreme në adresën e klubit tonë. Dënimi im prej 9 javësh është dhe mbetet absurd. Natyrisht, ky dënim është i qëllimshëm dhe aspak profesional nga ana e komisionit të disiplinës. Nëse do të ishte real, bashkë me mua duhej të dënohej edhe gjyqtari kryesor. Gjithashtu, shprehim keqardhje të plotë edhe për masat që janë marrë për Domosdovën, pasi rezultati iu përgjigj lojës. Do të bëjmë ankimimin tonë pranë federatës dhe shpresojmë që të paktën një herë të vetme ajo të anojë nga e drejta. Janë persona të njohur ata që duan ta minojnë të ardhmen dhe perspektivën e skuadrës cërrikase, – u shpreh për Sportin shqiptar drejtori sportiv i Turbinës, Thoma Plaka. Sportdashësit cërrikas kanë mbetur të habitur, kur kanë mësuar masat për zyrtarin e lartë të Turbinës dhe për pikët që i janë mohuar Domosdovës. Sipas tyre, kundërshtari e meritoi fitoren, ndërsa cërrikasit shpërdoruan raste të pastra për shënim.
Erzeni i këtij sezoni, një zhgënjim total
Nga Hysen Varoshi
Eshtë folur shumë për ekipin e Erzenit të këtij sezoni, që sigurisht nuk ka bërë asgjë të mirë. Edhe tifozët më skeptikë nuk mund ta kishin parashikuar një dështim të tillë, ku ekipit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të luftojë për të mbijetuar në kategorinë e dytë. Nga sa mësohet, drejtuesit po mendojnë që tani për ndërtimin e ekipit të ardhshëm, pasi të rinjtë me perspektivë nuk i mungojnë Erzenit. Njëri prej tyre është portieri Vezi, i cili ka ardhur nga të rinjtë dhe është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te shijakasit. Nuk mund të gjesh alibi për situatën që po kalon Erzeni, që këtë javë pret Olimpikun dhe fitorja është detyrim për largimin e ekipit nga zona e ftohtë. Është një ndeshje që kërkon angazhim dhe mobilizim total për të arritur fitoren, që do të kishte shumë vlera në këtë moment.