Komenti/ Vetëm qyqet s’kanë fole

Që partia Socialiste ishte një fole grerëzash nuk ishte ndonjë sekret, por që brenda folesë të gjendej një “Qyq” kjo po që ishte krejt e panjohur. Në një postim në rrjetin social facebook, deputeti i Beratit Erjon Braçe e ka quajtur kreun e PS-së, dora vetë Edi Ramnë një “Qyq” që po tërhiqet zvarrë nga kryeministrit Berisha për çështjen e imunitetit. “Berisha po të tërheq zvarrë pas imunitetit, or Qyq! Boll deri këtu!”, ka shkruar deputeti Braçe në një mesazh drejtuar militantëve opozitar dhe sidomos kryetarit të partisë Socialiste.
Këndvështrimi i deputetit të Beratit për kontributin e shefit të opozitës në një reformë integruese, siç është ajo e kufizimit të imunitetit të parlamentarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë, shpreh një pakënaqësi të dukshme.
Sipas Braçes, Edi Rama duhet të flasë e të sulmojë për 21 janarin.
Sigurisht kjo thirrje e brendshme e një pjesëtarë të grupit parlamentar të opozitës dëften për tik-un radikal që ka një pjesë e përfaqësuesve të saj.
Nxjerrja e tezës së 21 janarit si justifikim për të mos votuar draftin që kufizon Imunitetin në seancën parlamentare të 6 gushtit dëften tundimin e opozitës për t’u kthyer në një agjendë konfliktuale me maxhorancës. Pikëndalesat e kësaj agjende janë bojkoti, protestat, bllokimet e rrugëve, greva e urisë dhe demonstrata e dhunshme.
Ndërkohë, kreu i opozitës, Edi Rama edhe pse thotë se PS-ja do të bëjë gjithçka për integrimin, me veprime refuzuese del kundër asaj çfarë deklaron. Ky dyzim i Ramës shfaqet sa herë PS-ja kthehet në një “tenxhere presioni” ku ziejnë elementë politikë me interesa personalë të disa deputetëve.
Kuptohet vetiu “kushti” i PS për të votuar kufizimin e imunitetin bashkë me zgjedhjen e kryeprokurorit të përgjithshëm të Republikës apo gjyqtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë fsheh prapa saj një sipërmarrje të rrezikshme për thelbin e reformave integruese. “Kërkesa” e PS për votim me shumicë të cilësuar, pra me 84 vota, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë përkthehet në realitetet me një kërkesë për “pazar” të dy palëve në sistemin, çka mund të kthehet në një Imunitet të ri për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë. Sepse po ta mendosh se një përfaqësues i lartë i drejtësisë (prokuror, gjykatës, etj) i dalë nga “konsensusi” partiak i të dy palëve nuk është më i pavarur dhe nuk do të jetë me siguri një “kundërshtar” i palëve, përkundrazi. Madje në sytë e opinionit publik do të jetë i paragjykuar në nisje të punës së tij, çka mund të ndikojë në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Në planin politik vendosja e kërkesave të cilat realisht nuk lidhen aspak me draftin e propozuar bashkërisht dhe me “kushte” siç thamë ma lart padyshim e bëjnë të paimplementueshëm reformën. Ka disa politika për të bllokuar një nismë ligjore: një politikë është ta bllokosh direkt siç ka bërë Rama shpesh herë, një politikë është të vendosësh një numër të madh kushtesh. Pra sa më shumë kushte të vendosësh aq më shumë mund ta pengosh nismën parlamentare.
Sidoqoftë një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, një gjë është e sigurt: partia Socialiste është e papërgatitur për t’u ndeshur me forcën e maxhorancës. Opozita është konfuze në qëndrimet e saj politike, jo vetëm për aleancat jo funksionale, por dhe në ofrimin e alternativës së saj qeverisëse. Edi Rama po tenton të forcojë radhët me çështjen e Imunitetit sepse një deputetët miliarderë pa “mbrojtjen” publike të Ramës janë të përgjegjshëm për veprimet e tyre.
L. Lita