E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klimaxi dhe klizma, kryefjala e grevës së urisë

Ditari online i deputetit grevist të çadrës së jugut

Dita pas protestës së dështuar, ka qenë më e vështira, moj grua. Jo pse, se ishte e 14-ta, por se na lëshuan forcat, për shkak se pamë se pas ditës së 14-të, mund të na vinin dhjetëra ditë të tjera (në i përballofshim), sepse kryetari nuk e ka mendjen tek ne, por tek klimaksi politik që ka pësuar. S’ngrihen më protestuesit, as më thirrje, as me mercenarë e as me para, mjaltëz, dhe pamjet që kishte kapur ai spiuni i të djathtëve tek lulishtja përballë presidentit na i hapi sytë. S’ecet më me fasadë, grua, prandaj urdhri i fundit që na ka ardhur, na kërkon të gjithëve kryerjen e klizmave, sepse, me sot, me nesër, doktorët e Berishës do ia befin në çadrat tona, e nëse nënushqyerje s’do të shfaqim, të paktën të mos shfaqemi me stomaqet plot... Hahahah, më fal, mjaltëz, por është hera e parë që e përdor fjalën “stomak” në shumës, se ne veç bashkë hamë, e dihet se ne kemi një tru, një trup e një stomak. Po do ti moj grua, se urdhri për klizmë s’e ka frikësuar fare as Shegushin e as Ilir Beqjen. Që të dy silleshin të qetë në çadrën ngjitur me ne, dhe na qesendisnin mua dhe Besnik Baren, që të tronditur thoshim me zë të ulët: “Po pse të shkarkohemi, ne të hequr, jemi nga natyra. Edhe të ngrënë, si grevistë urie ngjajmë”. Por urdhri është urdhër dhe Shegushi me Beqjen nga sqaruan se prej klizmave nuk vinte ndonjë gjë e keqe, nëse do të mundeshim ta rimbushnim mullën shpejt e shpejt me ato lëngjet që na sjellin rregullisht nga restoranti i Fidelit, pasi garantohemi se kryeministri e ka lënë zyrën e tij, apo ndodhet jashtë kryeqytetit.
Po ç’t’i bëjmë klimaxit, briti një grevist kuksian, të cilit, pas ditës së dhjetë i ka plasur cipa e s’e ka problem as për drejtues partie e as për familjaritet me Oltën e grevistet e tjera. Më foli pak Besniku për klimaksin, e më foli se këtë sindromë kronike e paskan pasë shumë në kryesinë e PS-së e karriera politike u ka ecur për bukuri, gjeti kohë të tallej kuksiani, në këtë ditë të vështirë të grevës që ngjan me të vërtetë me një grevë urie (mos harro klizmën, grua), por mua më ngeli si çekan ai vëzhgimi i klimaksit, por e kam të vështirë ta verifikoj nëse po më shfaqen simptomat e para. Unë kam një bllokim gjithsesi, mjaltëz, por duhet ta kem nga ushqimi dhe nga situatat në të cilat i has motrat e mia të idealit, por jam i sigurtë, se po të jemi në verandën tonë, do ta sikterisja fantazmën e Klimaksit.
Të paktën, kjo shpresë më mban gjallë, grua, kjo shpresë dhe bindja se ti e ke nisur atë studimin për figurën e Penelopës.
Shpresoj, mia topolina!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›