Klinika nga Aiblingu ndihmoi QKUK-në në Prishtinë

I prekur nga kushtet e mjerueshme që mbizotërojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, një i punësuar shqiptar në RoMed kliniken ishte shprehur për nevojën që të ndërmerrej një aksion bamirës për të përmirësuar kushtet në QKUK. Haqif Gashi, i cili punon si infermier udhëheqës i anesteziologjisë në RoMed Kliniken në Aibling, ka qenë ai që sensibilizuar udhëheqësit e klinikës gjermane dhe së fundi bashkë me shefin mjekësor, dr. Guido Pfeiffer, ka iniciuar aksionin.
Në klinikën në Aiblig duhej të ndërroheshin 80 shtretër të kompletuar spitalorë dhe ky ishte rasti i duhur për Haqifin që të veprojë, shkruan Rosenheim24.de. Por për t`i transportuar ata në Kosovë duhej ndihmë dhe koordinim nga disa pika. Kështu, Haqifi mori ndihmë financiare nga shoqata “Nëna Tereze” në Munchen, ku është edhe anëtar kryesie, si dhe nga klubi rotarian në Rosenheim. Edhe klinika ku punon ai, përmes krerëve të saj, pos që ofruan falas 80 shtretërit, dërgesës për Kosovë i shtuan edhe katër aparate për frymëmarrje artificiale dhe 60 pompa të infuzionit.
Ndërkohë, transportimi i këtij kontingjenti u ndërlikua për shkaqe politike, por megjithatë gjithçka përfundoi me sukses. Në kufirin me Malin e Zi dy kamionët e mbushur përplot u ndaluan nga autoritetet e atjeshme, por falë ndërhyrjes së Markus Michel, epror i lartë në shtabin qendror të KFOR-it, plot katër ditë pas nisjes nga Gjermania pajisjet u lejuan të vazhdojnë rrugën për në Prishtinë, transmeton Albinfo.
Me rastin e pranim-dorëzimi ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer, i cili lavdëroi një iniciativë të tillë dhe theksoi që ka ajo për zhvillimin e miqësisë ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Edhe drejtori i QKUK-së, Dr. Nijazi Gashi falënderoi miqtë gjermanë për ndihmën, duke theksuar se mundësitë financiare të klinikave janë shumë të kufizuara pasi që ato financohen vetëm nga taksat e shtetit./Indeksonline/