E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania ndihmon të varfrit në Kosovë

Ambasada gjermane në Prishtinë prej disa vitesh mbështet projekte të vogla të politikës zhvillimore me anë të të cilave realizohen nevojat themelore të shtresave të varfra dhe të atyre në varfëri të skajshme, me qëllim që të ketë një përmirësim afatgjatë të jetës në Kosovë.

“Synimi i projekteve të vogla të Ambasadës Gjermane është që të përkrahen iniciativat vendore në mënyrë të shpejtë dhe fleksibël, me anë të të cilave realizohen në mënyrë prioritare nevojat themelore të shtresave të varfra të popullatës”, tha për DW-në, Milena Tutsch, zëdhënëse e Ambasadës së RFGJ në Prishtinë.

“Ambasada gjermane gjatë viteve të kaluara ka përkrahur mbi 30 iniciativa në kuadër të projekteve të vogla, ndër të tjera: xhirimin e një filmi dokumentar për sipërmarrje të suksesshme, largimin e mbeturinave, projekte të mediave për minoritetet apo projekte për përkrahjen e të moshuarve”, shtoi Tutsch.

Meqenëse iniciativat lokale i njohin më së miri nevojat e popullsisë vendore, me këtë rast ambasada gjermane iu bën thirrje organizatave joqeveritare, institucioneve lokale e bartësve të tjerë të projekteve që t'i dorëzojnë projekt-propozimet për ndihmë njerëzve në nevojë.

Ambasada gjermane tashmë ka pranuar disa projekte interesante, sqaron ajo.

“Ambasada dëshiron ta bëjë të njohur instrumentin e projekteve të vogla, me qëllim që sa më shumë iniciativa të kenë njohuri lidhur me këtë mundësi dhe të dorëzojnë projektet e tyre, aq më tepër do të realizoheshin nevojat e shtresave të varfra të popullatës”, thotë zëdhënësja.

Republika Federale e Gjermanisë është kontribuesja më e madhe pas SHBA-së në zhvillimin e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›