Klinikat dentare, pa kushte higjiene. Nisin kontrollet
Pakkush e di, por veç klinikave luksoze ku jepet shërbim i kualifikuar dentar, edhe pse në vitin 2010, në qytete të vogla e të mëdha mund të gjesh klinika pa standarde, me kushte minimale higjienike. Nisur nga të dhënat, nga ankesat e banorëve të pallateve dhe kontrollet e inspektorëve në terren, do të kërkohet zbatimi i rregullave të reja për të gjithë stomatologët që punojnë në klinika dentare, publike apo private.
Konkretisht, nga kontrollet e para që janë kryer në Tiranë, Lushnjë dhe Pogradec, ka klinika të cilat ofrojnë kujdes shëndetësor, edhe pse nuk i plotësojnë standardet.
Dokumentacioni, licenca, kualifikimi i plotë i stomatologut si dhe higjiena janë kushtet kryesore që duhet të përmbushin klinikat stomatologjike për të vazhduar aktivitetin.
Ndërkohë që rregullat e reja kërkojnë domosdoshmërinë e afishimit të çmimeve, për çdo shërbim të ofruar. Në fazën e parë të kontrollit përfshihen mbi 1200 klinika private, që do të inspektohen për licencimin, kushtet higjieno-sanitare dhe standarde të tjera të kërkuara.
Disa nga ankesat e qytetarëve kohët e fundit lidhen me ndërtimin e klinikave dentare brenda pallateve, si dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor me pagesë, atëherë kur shteti e ka parashikuar të jetë falas.
KontrolletSipas specialistëve, është pothuajse e pamundur të kontrollohen të gjitha aktivitetet private të cilat nuk plotësojnë standardet. Ato mund të jenë në bodrume, në zona periferike, “të fshehura” mes godinave, por kontrolli minimal që mund të bëjë çdo qytetar është vështrim kritik për licencën dhe diplomën e stomatologut. Ato duhet të jenë të vendosura në mjedise të dukshme të klinikës. Inspektimet kanë nisur dhe janë vendosur edhe gjashtë gjobat e para. Ndërkohë që Drejtoria e Stomatologjisë ka vendosur që penalizimi për klinikat do të shkojë deri në mbyllje të aktivitetit. Sipas Enea Nuredinit, shef i sektorit stomatologjik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, i gjithë kontrolli do të bazohet në Librin e Standardeve, një bashkautorësi e emrave më të njohur të stomatologjisë shqiptare. Paralajmërim për mbyllje aktiviteti, gjoba financiare, dhe penalizime për të gjitha ato klinika private që nuk kanë plotësuar standardet.
“Bëhet fjalë për mungesë të kushteve higjienike dhe dokumentacioni”, sqaroi Nuredini. Sipas tij, është e patolerueshme që dentisti të punojë pa syze, doreza apo vetë klinika të mos jetë e pajisur me autoklavë.
Lista e çmimeveJo vetëm sektori spitalor, por dhe ai dentar tashmë e ka të detyruar publikimin e listës së të gjitha çmimeve për shërbimet që ato afrojnë. Lista e çmimeve duhet të publikohet së bashku me diplomën dhe licencën për ushtrimin e aktivitetit.
Tashmë janë përpiluar listat e laboratorëve privatë dentarë që ushtrojnë aktivitetin në kate pallatesh.
Sakaq, në sektorin shtetëror do të ketë kontrolle në poliklinikat dhe shkollat ku ofrohet shërbim stomatologjik falas për një pjesë të caktuar të popullsisë. “Jemi në dijeni se në sektorin shtetërore ekzistojnë probleme me ata stomatologë që ofrojnë shërbim me pagesë, për ato kategori që në fakt shërbimin duhet ta kenë falas. Toleranca do jetë zero për të gjitha rastet flagrante”, theksoi Nuredini.