Prokuroria: Jo gjykim të shkurtuar për Baren
Prokuroria e Krimeve të Rënda është kundër gjykimit të shkurtuar për Aldo Baren, pasi më parë ka kërkuar pavlefshmëri absolute të dosjes. Prokurorët Gentian Trenova dhe Besnik Muçi kanë kërkuar dje në gjykatë se Bare nuk mund të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar, pasi avokati i tij, Vladimir Meçi, kërkoi disa seanca më parë pavlefshmëri absolute, duke kundërshtuar kërkesën për gjykim, si dhe njërën prej akuzave. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda e shtyu seancën e djeshme, me arsyetimin se do të analizojë këtë kërkesë me atë të mbrojtjes. Nëse kjo kërkesë pranohet, atëherë Bare shpëton nga burgimi i përjetshëm që rrezikon, për shkak të akuzave të rënda që prokuroria ka ngritur ndaj tij. Më 28 janar 2010, Aldo Bare iu drejtua Gjykatës së Lartë me dy kërkesa. Ai kërkonte shuarjen e masës së sigurisë, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Aldo Bare pretendon se mbahet padrejtësisht në qeli prej më shumë se një viti e gjysmë.
#