E Diel, 1 Nëntor 2026

Strukturë e re në tatime, shtohet departamenti i kasave

Vendimi Qeveria miraton ekipin e posaçëm për pajisjet fiskale

Problemet e shumta në procesin e kasave fiskale dhe rëndësia e kësaj reforme detyron Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që të ndryshojë strukturë në interes të projektit. Bëhet fjalë për krijimin e departamentit të ri që do të ndjekë nga afër procesin e vendosjes së kasave fiskale, duke konsultuar shoqëritë e autorizuara, inspektorët tatimorë, si dhe bizneset.

Konkretisht do të jenë pesë punonjës në këtë strukturë të re, e kërkuar direkt nga Drejtoria e Tatimeve për të ndihmuar procesin e kasave fiskale, që tashmë ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave.

Procesi i pajisjeve fiskale po kalon në disa faza interesante, që tashmë prek përdorimin e tyre. Sipas administratës tatimore, pothuajse i gjithë biznesi i madh është pajisur 100 për qind me kasa fiskale, dhe tashmë pritet përdorimi i pajisjeve, që kërkon kohën e vet. Për këtë qëllim janë kryer një sërë trajnimesh si për biznesin, ashtu dhe për inspektorët tatimorë, në mënyrë që të kenë njohuritë e duhura gjatë kontrollit të pajisjes fiskale.

Afati përfundimtar i vendosjes së kasave është fundi i vitit 2010, megjithatë po gjykohet rishikimi i periudhës, pasi vërehen probleme në zona të thella të vendit, apo në ato rurale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›