E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten në Korrik me 5-8 për qind pensionet e ushtarakëve, ja përfitimet suplementare

Rritja për të gjitha kategoritë, kriteret dhe dokumentacioni për ish kolonelët dhe punonjësit e FA në pension

Të gjithë ushtarakët në pension do të përfitojnë me fillimin e muajit Korrik rritje të pensioneve ashtu si të gjitha kategoritë e tjera. Sipas skemës së rritjes së përfitimeve nga ISSH, kjo rritje llogaritet në masën 5-8 për qind për çdo kategori sipas profesioneve dhe vështirësive të tyre.

Të gjithë ish punonjësit ushtarakë, ku përfshihen Kolonelët, ish policët, komandantët apo edhe të gjithë punonjësit e forcave të armatosura, si ish ushtarakët që kanë punuar në flotat detare apo ajrore por edhe të gjithë punonjësit që kanë punuar si ushtarakë në burgje, apo në institucione të tjera ushtarake do të përfshihen në këtë rritje të pensioneve me fillimin e muajit Korrik. Sipas VKM-së së përcaktuar e përkatësisht si rrjedhim i nenit 16, masa e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë, llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. Burime nga ISSH deklaruan për gazetën SOT se përfitimet për pensionet suplementare llogariten sipas skemës së përgjithshme të  rritjes së pensioneve të këtij viti. Specialistët e ISSH-së kanë përgatitur pothuajse të gjitha skemat e rritjes së pensioneve pavarësisht se dorëzimi i dokumenteve nga të gjithë pensionistët vazhdon ende në zyrat e këtij institucioni. Sipas burimeve nga ISSH personat të cilët kanë punuar në institucionet ushtarake në qytetet e Shqipërisë e tashmë janë në pension do të përfitojnë rritjen maksimale e cila është akorduar për kategoritë e ushtarakëve. Shuma që do të përfitojë kjo kategori është rreth 9 mijë lekë të vjetra e cila do ti bashkëngjitet pensionit të pleqërisë për këtë kategori ku llogaritet në masën 13.450 lekë. Ndërsa për të gjithë drejtuesit si Kolonelë, apo shefat e shërbimit aktiv në ish shërbimet aktive të forcave të armatosura ISSH nëpërmjet direktivave nga VKM e qeverisë u ka akorduar këtyre kategorive një pension të veçantë në masën e 28.900 lekëve. Ndërsa masa e përgjithshme e një pensioni që do të përfitojë një ish ushtarak do të shkojë bashkë me përfitimet e tjera në masën 12.432 lekë.


Kategoritë
Kategoritë të cilat do të përfitojnë rritjen në masën 5-8 për qind janë ish ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe të gjithë punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Këto kategori do të përfitojnë të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar. Sipas nenit 18 masa e përfitimit të pensionit suplementar të invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, që përfitohet sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.


Përfitimet e ushtarakëve
Kur personat të cilët për shkak të detyrës së vështirë kanë mbetur invalidë masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20 për qind e pagës referuese. Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe është 50 për qind për bashkëshortin/bashkëshorten e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim. Kufiri maksimal i këtij përfitimi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji. Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj, përveçse përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar sa diferenca ndërmjet pagës referuese të të ndjerit/së ndjerës, në çastin e humbjes së jetës dhe pensionit familjar, që përfitonte, sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.

Dokumentet për përfitim pensioni
1. Kërkesën për pension suplementar, modeli bashkëlidhur. Kërkesa do merret pranë Inspektorit të Përfitimeve Suplementare dhe do të plotësohet nga personi përfitues.
2.  Fotokopje e kartës së identitetit e nënshkruar nga personi emër, mbiemër, firmë.
3. Deklaratë personale sipas modelit, nëse merr ose jo përfitime nga skema të tjera suplementare shtetërore.
4.  Fotokopje e noterizuar e dëshmisë për dhënien e titullit ose në mungesë një vërtetim për titullin shkencor, të lëshuar nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor ose nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve.
5. Vërtetim për pagën referuese në fuqi, në momentin që lind e drejta, sipas radhës së gëzimit të titujve shkencorë.
6. Vërtetim nga qendra e punës për kontributet suplementare të paguara nga data 01.01.2010 deri në datën e lindjes së të drejtës.
7.  Vërtetim nga DRSH për masën e pensionit të pleqërisë që përfiton sipas ligjit nr.7703.
8. Vërtetim nga DRSSH nëse përfiton ose jo pension suplementar shtetëror.
9. Vërtetim për kohën e gëzimit të titullit (Modular P-10139 -04)

Arta AGOLLI

Last Updated on E Shtune, 05 Qershor 2010 21:05

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›