PS, në ritualin përkujtimor të ndërrimit të lëkurës
Si sot njëzet vjet më parë lindi Partia. Socialistët festojnë çdo 12 qershor ritualin e ndërrimin të lëkurës njësoj si reptilët, ku pas Plenumit të 10-të Partisë së Punës cipa e kuqe u hollua në rozë, me gjithë ndryshim e emrin në Parti Socialiste. Në fakt trashëgimia e saj politike dhe gjenetike daton që nga viti 1941 me krijimin e partisë Komuniste, që në vitin 1948 ndërroi emrin në Partia e Punës dhe që në vitin 1991, u quajt Partia Socialiste e Shqipërisë.
Sakaq kongresi i X-të, i 12 qershorit të atij viti shënoi jo vetëm emërtimin e ri, por edhe nisjen e një procesi të gjatë transformimi, të kryesuar nga Fatos Nano, i cili u finalizua edhe me anëtarësimin pak vite me vonë, në Internacionalen Socialiste. Në zgjedhjet e Parlamentare të vitit 1992 Partia Socialiste humbi thellë përballë Partisë Demokratike. Një vit më vonë, kreu i PS-së Nano u arrestua nen akuzën e abuzimit me ndihmat italiane, duke qëndruar në burg deri në trazirat e vitin 1997. Pas revolucionit bolshevik të 1997, që pasuan rënien e skemave piramidale dhe gjithë shtetit në tërësi, në mars 1997, qeveria e re e krijuar do të kishte kryeministër socialistin Bashkim Fino dhe vetëm pak muaj më vonë, në qershor, opozita me Nanon tashmë të dalë nga qelia, fitoi zgjedhjet e parakohshme. Socialistët qëndruan në pushtet deri në vitin 2005, por në këto 8 vjet, ata patën disa kryeministra: Fino, Nano, Majko, Meta, Nano. Humbja në zgjedhjet e vitit 2005 solli dorëheqjen e tij dhe ngjitjen në krye të selisë rozë të Edi Ramës, kryetar i bashkisë së Tiranës. Në katër vjet, Rama solli një reformë kapilare zëvendësimi të strukturave të PS, duke rikthyer në parti gjeneratën e dytë ët bllokut, por nuk ia doli të bashkojë të majtën, pas ndarjes së LSI-së në 2004, duke humbur zgjedhjet e vitit 2009. Me gjithë humbjen Edi Rama, me një operacion mediatik dhe propagandistik krijoi alibinë e vjedhjes së votës, e kauzën e hapjes së kutisë pa pasur asnjë indicie, dhe kur 20 mijë komisionarë socialistë certifikuan rezultatin me firmën e tyre. Me një Kongres allasoj, që më shumë flitej më shumë për Berishën dhe aq pak për humbjen e Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës, kreu i PS-së ia doli ta mbante karrigen përballë kundërshtarit pro-forma Maqo Lakrori.
Dy vitet e fundit kanë qenë të nevojshme për Ramën, jo vetëm për të mbajtur Partinë me kauzën e kutisë dhe grevën e urisë, por edhe për të tentuar herë pas herë marrjen e pushtetit me mjete jo demokratike. Pika kulmore e kësaj tentative ishte “demonstrata” e 21 janarit të këtij viti ku një grup militantësh të organizuar sulmuan kryeministrinë, me qëllim pushtimin e institucionit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme. I vetmi rezultat që mori Partia Socialiste nga kjo tentativë ishte zëvendësimi i kauzës së kutisë, me kauzën e gjakut të atyre fatzinjve që humbën jetën nga përgjegjshmëria e kreut të opozitës – përballë zgjedhjeve lokale. Për tre muaj me radhë Partia Socialiste deri më 8 maj nxiti një fushatë hakmarrëse ndaj qeverisë Berisha. Me 21 janar u gjet kauza e “gjakut”. Prandaj Edi Rama përgjatë fushatës elektorale përdori shprehjen se duhet të “marrim hak”, edhe me votë. Kjo e fundit shoqërohej shpesh në çdo rrugicë që shkelte këmbalja guerile “votë në lule të ballit”, që është një kalk i shprehjes komuniste “armikut, plumb në lule të ballit”. Kuptohet vetiu se nënndërgjegjja politike e Ramës nënkuptonte se opozita ishte në gjak me qeverinë Berisha, prandaj, si në çdo gjakmarrje teatrale përdoret vota si simbol i plumbit. Kësisoj është e pashmangshme stimulimi i zgjidhje përfundimtare, jo vetëm me votë, por edhe me plumb.
Mirëpo zgjedhjet lokale të 8 majit vërtetuan në rang kombëtar se koalicioni i drejtuar nga Berisha është shumë herë më para në vota popullore sesa kreu i opozitës Edi Rama. Kurse në kryeqytet fitoi ndryshimi. Fitoi Lulzim Basha, i cili feston sot edhe ai ka ditëlindjen e tij, pasi ka lindur me 12 qershor të vitit 1974. Lulzim Basha fitoi në Tiranë, por mbi të gjithë, në Tiranë, humbi Edi Rama.
Sidoqoftë cilido prej nesh, në emër të pluralizmit politik vlerëson PS-në si një aset të rëndësishëm të demokracisë shqiptare. Natyrisht PS-ja vitet e fundit ka bërë gjithçka që është e mundur për të mos qenë pjesë e reformave, aq të nevojshme për integrimin e vendin në strukturat euro-atlantike. Përkundrazi ka qenë pjesë e problemit, me impostimin e një agjende konfliktuale, me shumicën qeverisëse. Duke bërë kështu një politikë agresive, me dhëmbë përjashta, gati të kafshojë në tërbim e sipër cilido që shprehet ndryshe me një këshillë apo propozim politik. Sot është momenti më i mirë që në këtë parti të filloi një proces reflektimi dhe reforme, qoftë edhe me ndryshimin e drejtuesve.