E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa: Kurrë më populli rom të mos refuzohet e të shtypet

12-06-2011 / Gazeta 55

“Kurrë më popullit juaj të mos shtype, të mos refuzohet e të mos përçmohet”. Kështu u tha Papa Benedikti XVI romëve e ciganëve tjerë të cilët i priti sot paradite në Sallën Nervi në Vatikan. “Nga ana juaj – porositi Papa – kërkojeni përherë drejtësinë, legalitetin, pajtimin e orvateni të mos jeni kurrë shkak i vuajtjeve të tjerëve”. “Jepni edhe ju bashkëpunimin tuaj konkret e të sinqertë, në mënyrë që familjet tuaja të vendosen denjësisht në indin e qytetërimit evropian”. Kështu u tha mes tjerash Papa gjatë audiencës së sotme në Vatikan afër 2 mijë ciganëve që i përkasin etnive e grupeve të ndryshme të ardhur nga mbarë Evropa. Ciganët erdhën në Romë në shtegtimin shpirtëror me rastin e 75 vjetorit të martirizimit dhe të 150 vjetorit të lindjes të Lumit Zefirin Himenes Malla (1861-1936), cigan me prejardhje spanjolle. “Shumë prej jush – shtoi Papa Racinger – janë fëmijë e të rinj që duan të arsimohen e të jetojnë me të tjerët e si të tjerët. Ata i shikojnë me përzemërsi të veçantë, i bindur se fëmijët tuaj kanë të drejtë në një jetë më të mirë”. “Je të jetë e mira e tyre – tha akoma Papa – aspirata juaj më e madhe. Ruajeni dinjitetin e vlerën e familjeve tuaja, Kisha të vogla shtëpiake, që të jenë shkolla të vërteta të njerëzimit”. Institucionet, nga ana e tyre, të bëjnë atë që është e mundur për të ju shoqëruar në këtë rrugë. “Së fundi – shtoi Benedikti XVI – edhe ju jeni të thirrur të merrni pjesë aktivisht në misionin ungjillëzues të Kishës, duke promovuar aktivitete baritore në bashkësitë tuaja”. E Papa nuk e harro persekutimin e shfarosjen e ciganëve që ndodhi gjatë Luftës së II Botërore: mijëra gra, burra e fëmijë që janë vra në mënyrë barbare në kampe të përqendrimit. Ishte një ram pak e njohur, përmasat e së cilës janë të jashtëzakonshme, e të cilën dramë familjet tuaja e bartin të skalitur në zemër”.
Papa Akademisë Papnore Kishtare: diplomati i Vatikanit t’i shërbejë Ungjillit e paqes ndërmjet popujve/Diplomati vatikanas është, mbi të gjitha, në shërbim të Ungjillit: këtë nënvizoi Benedikti XVI në takimin me nxënësit e Akademisë Papnore Kishtare, të cilët i priti sot në audiencë, në Vatikan. Papa kujtoi posaçërisht formimin shpirtëror të nuncëve të ardhshëm apostolikë, duke pohuar se diplomati i Vatikanit është, para së gjithash, meshtar. Nga ana e të pranishmëve, Papën e përshëndeti imzot Beniamino Stela, kryetar i Akademisë, ku përgatiten meshtarët për shërbimin diplomatik të Selisë Apostolike. Cili është qëndrimi, që duhet të mbajë nunci apostolik? Në fjalimin drejtuar diplomatëve të ardhshëm të Vatikanit, Benedikti XVI iu përgjigj kësaj pyetjeje, duke theksuar disa nga cilësitë kryesore njerëzore, që duhet ta dallojnë punën e atij, i cili është thirrur për një mision të tillë, kaq delikat. U ndalua, posaçërisht, tek durimi, forca shpirtërore, gjykimi i paanshëm e vendosmëria në dialog. Vuri, pastaj, theksin, mbi atë, që është më themelore për shërbimin e nuncit: “Ai, në radhë të parë, është meshtar, ipeshkëv. Është njeri, që ka zgjedhur të jetojë duke i shërbyer një Fjale, që nuk është e tija. Në të vërtetë, ai është shërbëtor i Fjalës së Zotit, i ngarkuar, si çdo meshtar, me një mision, që nuk mund të kryhet përkohësisht, por i kërkon të jetë gjithë jetën, në përkim të plotë me mesazhin, që i është besuar, atë të Ungjillit”. E pikërisht mbi bazën e këtij identiteti meshtarak – shtoi Papa - i ngarkohet, pastaj, në mënyrë të natyrshme, edhe detyra e posaçme e mbartësit të fjalës së Papës, si në Kishat e veçanta, ashtu edhe në institucionet shtetërore dhe në organizatat ndërkombëtare. Benedikti XVI nënvizoi edhe delikatesën e rolit të ambasadorit i cili, që në botën e lashtë, dërgohej për të përcjellë, me autoritet, fjalën e sundimtarit: “Këtu qëndron aftësia e vërtetë e diplomatit e jo, siç besohet gabimisht nganjëherë, në dinakërinë a në sjellje të tilla, që s’janë tjetër, veçse zvetënim i praktikës diplomatike. Ndershmëria, koherenca e njeridashja e thellë janë virtytet themelore të çdo diplomati, i cili duhet ta vërë jo vetëm punën e cilësitë e veta, por, në një farë mënyre, gjithë personalitetin e vet, në shërbim të një fjale, që nuk është e tija”. Në përfundim, Papa ripohoi se përfaqësuesit diplomatikë, pavarësisht nga shndërrimet e vrullshme, që vërehen në epokën tonë, janë gjithnjë të impenjuar në krijimin e bashkimit të mundshëm e të fuqizimit të marrëdhënieve paqësore e solidare ndërmjet popujve.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›