Klinton: Armët bërthamore, edhe për ca kohë në Evropë

Talin, 23 prill, NOA Armët bërthamore amerikane, të cilat janë ende në vendet evropiane, do të rrinë aty edhe për disa kohë, pa u mundur të hiqen menjëherë që andej.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë ministerialit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili po zhvillohet që dje në Talin të Estonisë.
Kështu, gjatë fjalimit të saj, Klinton ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të shpejtë nga Evropa të armëve bërthamore amerikane.
Ndërkaq, Klinton theksoi se e ardhmja e armëve bërthamore amerikane në Evropë duhet të përcaktohet nga NATO-ja si tërësi dhe jo thjesht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo shtoi se për sa kohë të ekzistojnë armët bërthamore, NATO-ja mbetet një aleancë me fuqi bërthamore.
n.e/NOA