Klinton: Mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së. Do jem në Tiranë për 100-vjetorin e Pavarësisë

Berisha - Klinton
Kryeministri Berisha ka takuar dje sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton, e cila ka rikonfirmuar interesin e SHBA-së për ta parë Shqipërinë sa më parë vend anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh.Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave, në takimin dypalësh u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera, të ngushta e miqësore midis të dy vendeve, si dhe u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit frytdhënës në të gjitha fushat. Gjithashtu, sekretarja amerikane e Shtetit ka pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë gjatë festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Berisha: Hillari Klinton, mikja e madhe e kombit tonë Kryeministri Berisha dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, kanë dhënë një konferencë të përbashkët shtypi në Departamentin e Shtetit. Sipas njoftimit për shtyp të publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave, Klinton ka vlerësuar partneritetin e ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thellë që e vlerësojmë lart, tha Klinton.Ndërsa kryeministri Berisha e ka cilësuar sekretaren Klinton një mike të madhe të kombit shqiptar dhe është shprehur se një prej qëllimeve të takimit me të është ftesa për një vizitë në Shqipëri në 100-vjetorin e Pavarësisë.Ajo është një mike e madhe e vendit dhe e kombit tim. Po ju rrëfej se një prej qëllimeve të këtij takimi është që ti kërkoj të vijë në Shqipëri në 100-vjetorin e pavarësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol themelor në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë. Kështu që çdo shqiptar do të jetë krenar dhe i lumtur për këtë vizitë, tha Berisha.
* * *
Berisha në SHBA, u ftua nga VATRA, do takohet me Hillary Clinton
Faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ka zbardhuar axhendën e kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në SHBA. Sipas kabinetit të kryeministrit, Berisha do të zhvillojë takime të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Kongres në Washington DC, si dhe takime e aktivitete në New York.
Berisha do të zhvillojë të mërkurën një takim me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, në përfundim të të cilit do të ketë një konferencë të përbashkët për median.
Kryeministri do të takohet me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht kreu i Kongresit të SHBA, John Boehner.
Gjithashtu, kryeministri do të ketë në Washington DC, takime me personalitete të tjera si senatorja Jeanne Shaheen, Kryetare e Nënkomitetit për Çështjet Europiane, Richard Morningstar, i Dërguari i Posaçëm i Sekretares së Shtetit për Energjinë në Euroazi, etj..
Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Berisha është i ftuar në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar Besa, me producente Johanna Neumann, në Holocaust Memorial Museum, në Washington DC, ku Berisha do ti drejtohet audiencës me një fjalë, si dhe do ti akordojë zonjës Neumann çmimin e mirënjohjes.
Një moment të veçantë në axhendën e Kryeministrit është pjesëmarrja si i ftuar nderi në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës VATRA, në New York. Me këtë rast, do të zhvillohet konferenca shkencore Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, 100 Vjet në shërbim të kombit, ku krahas fjalës së kryeministrit, do të mbajnë kumtesa studiues e akademikë shqiptarë.
Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit në Washington DC, do të vizitojë shtëpinë muze të Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Shqipërisë, Woodrow Wilson. / G.N.