Klinton-Nishanit: Roli juaj jetik për demokracinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu i ka përcjellë sot urimin e Sekretares Amerikane të Shteti, Hillari Klinton, presidentit të zgjedhur, Bujar Nishani.
"Dëshiroj t`ju përcjell urimet e mia më të ngrohta me rastin e zgjedhjes tuaj si President i Shqipërisë. Unë pres që të punoj me ju për të ndihmuar në forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe përparimin e aspiratave europiane të popullit shqiptar” thuhet në letrën e Clintonit.
Sipas saj, roli I Nishanit si President është jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe unë kam bindje se integriteti dhe pikëpamjet tuaja do të përputhen më së miri me përgjegjësitë e larta që i janë besuar Presidentit të Republikës.
“Shtetet e Bashkuara kanë angazhimin për të mbështetur punën tuaj të rëndësishme për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e institucioneve shqiptare",-shkruan Sekretarja e Shtetit të SHBA Clinton, në letrën e saj të urimit për Presidentin Nishani.
Gjatë takimit mes presidentit të zgjedhur Bujar Nishani dhe ambasadorit Arvizu u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer me ambasadën e SHBA, i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë gjatë drejtimit të tyre nga Nishani, si dhe u shpreh angazhimi për të vijuar me të njëjtin nivel bashkëpunimi.
Në takim u nënvizua rëndësia e rolit të Presidentit të Republikës dhe kontributi i tij për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura.