Gjendet i pajetë trupi i 2-vjeçares së zhdukur
LUSHJNE- Gjendet trupi i 2- vjeçares së zhdukur dy ditë më parë pas aksidentit të prindërve.
Raportohet se sot është gjetur një trup i pajetë në kanal, në afërsi të fshatit Binaj, rreth 13 km nga vendi ku ndodhi aksidenti. Policia tha se trupi i pajetë i përket Denadës, 2- vjeçares së zhdukur dy ditë më parë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:00 të së hënës, në vendin e quajtur rreth-rrotullimi i Kolonjës. Dy prindërit, Besmir dhe Arimerda Asllani, kanë qenë duke udhëtuar me një mjet që drejtohej nga shtetasi Mikail Dhana, banor i Kolonjës. Ky i fundit mësohet se ka qenë në gjendje të dehur dhe, për pasojë, mjeti ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanalin anësor të saj.
Pas ngjarjes gruaja është plagosur më rëndë bashkë me drejtuesin e mjetit. Ata përfunduan në spital, por pasi është përmendur, ajo ka kërkuar të mësojë për fatin e së bijës, e cila kishte qenë bashkë me të dhe të atin në të njëjtin mjet.
Policia ka marrë në pyetje edhe shoferin, i cili ka pohuar se fëmija është marrë nga babai i saj. Ndërkaq, ky i fundit e ka mohuar një fakt të tillë. Ai ka deklaruar se kishte përjetuar momente tmerri e shoku dhe nuk e dinte se çfarë kishte pësuar vajza e tij. E ndodhur në këto rrethana, ku edhe deklaratat e të aksidentuarve kanë qenë kontradiktore, policia nisi kërkimet në kanalin vaditës.