OKB shqyrton Rezolutën serbe, Prishtina optimiste për fitore
Beogradi sot pritet të marrë disfatën e radhës, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila do të shqyrtojë projektrezolutën e re për Kosovën. Prishtina zyrtare do të përfaqësohet nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i jashtëm Skënder Hyseni. Ndërsa Beogradi përfaqësohet nga presidenti Boris Tadiç dhe ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç. Në një konferencë për shtyp, presidenti tadiç theksoi se as në teksin e ri nuk njihet pavarësia e Kosovës, por flitet për kompromis për dialog mes palëve. Edhe në teksin fillestar pretendohej që të fillonin bisedimet për statusin e shtetit të ri, por pas dy ditë bisedimesh mes presidentit Boris Tadiç dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Kethrin Ashton, Beogradi pranoi të miratonte ndryshimin e rezolutës. Ndryshimet e bëra kanë qenë në harmoni me qëndrimet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Teksti i projekt/rezolutës është harmonizuar edhe me të gjitha partitë në koalicion dhe ato në opozitë në Serbi. Kështu, Ministria e Jashtme serbe dërgoi në OKB rezolutën e re, e cila nuk do të ketë amendamente. Në komunikatën e Qeverisë në Beograd thuhej se dokumenti, tek i cili është arritur në bashkëpunim me BE-në, është plotësisht në pajtim me vendimin e parlamentit të Serbisë të datës 26 korrik, 2010. Në njoftim theksohet se me tekstin e harmonizuar, mbyllet procesi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më tutje, në projekt-rezolutë bëhet thirrje për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili, siç thuhet, është në pajtim me qëndrimin parimor të Serbisë se vetëm përmes bisedimeve mund të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët lidhur me çështjen e Kosovës. Në tekst thuhet se me propozim-rezolutën në asnjë mënyrë nuk njihet pavarësia e Kosovës. Në komunikatën e Qeverisë thuhet se propozimi i mundëson Republikës së Serbisë që të vazhdojë t'i mbrojë interesat legjitime dhe kombëtare të saj në mënyrë paqësore dhe diplomatike, në bashkëpunim me BE-në dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë. Autoritetet në Serbi edhe më herët kanë bërë thirrje se nuk do të heqin dorë nga qëndrimi kundër pavarësisë së Kosovës, por kanë pranuar se mund të arrihet një kompromis me BE-në për rezolutën e paraqitur në OKB. Rezoluta bënte thirrje për rifillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës dhe kundërshton, siç thuhet, shkëputjen e njëanshme, u dorëzua në OKB një javë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ofroi mendimin e saj për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Autoritetet kosovare janë shprehur se kjo rezolutë nuk është e rregullt pasi vetë Serbia kërkoi vendimin këshillëdhënës të GJND-së dhe tani nuk po e merr parasysh si të drejtë këtë vendim.
9 Shtator 2010