Klinton: SHBA mbështesin të drejtat e guximin e Klodit të “Big Brother”
Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka folur publikisht për rastin "Klodi" në Shqipëri, duke dhënë për të mbështetje të hapur, madje duke e inkurajuar guximin e tij për të deklaruar hapur se është homoseksual. Klinton e dha këtë deklaratë gjatë një takimi me qindra pjesëmarrës në Nju Jork, për të drejtat e homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transgendërve. Në fjalën e saj, ajo përmendi së të drejtat e këtij komuniteti ende nuk respektohen në botë, dhe në fjalën e saj të shkurtër, Klinton iu referua vetëm dy rasteve konkrete në botë, rastit të Klodian çelës në Shqipëri dhe një rasti në Sllovaki. Duke folur për Klodian çelën, djalin që pranoi hapur homoseksualitetin e tij në programin "Big Brother", Klinton tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin të drejtat e tij, madje respektojnë guximin që ai tregoi. "Në Shqipëri, një djalë i ri i quajtur Klodian çela, kohët e fundit doli në një program televiziv popullor të quajtur 'Big Brother Albania'. Menjëherë pas kësaj, ambasadori ynë, John Withers, doli në televizion për të shprehur publikisht mbështetjen për këtë njeri. Ambasadori vizitoi qytetin e tij dhe ai e ftoi atë për një ngjarje në ambasadën tonë, për të përcjellë te të gjithë shqiptarët që Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtat e tij dhe respektojnë guximin e tij", tha numri një i diplomacisë amerikane botërore, Hilari Klinton, për rastin "Klodi" në Shqipëri. Sekretarja Amerikane e Shtetit foli gjerësisht për të drejtat e këtij komuniteti në botë, duke vënë theksin tek rëndësia e respektimit të të drejtave të tyre dhe orientimit seksuale që ata zgjedhin me vullnet të plotë. Klinton tha se administrata Obama ka filluar të marrë masat e saj kundër diskriminimit, madje në Departamentin e Shtetit nuk do të ketë asnjë problem punësimi i njerëzve me orientim të ndryshëm seksual. "Vitin e kaluar kam marrë peticion me më shumë se 2200 firma mbështetëse për përfitime të barabarta për partnerët e të njëjtit seks. Dhe unë isha shumë e kënaqur që pak më pas, Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv për këtë qëllim. Unë jam e kënaqur për të njoftuar se për herë të parë, identiteti gjinor do të përfshihet së bashku me orientimin seksual në deklaratën e Departamentit të Shtetit për shanse të barabarta në punësimin e njerëzve", tha më tej Klinton.
Rasti “Klodi”
Klodian çela u bë i famshëm në Shqipëri për faktin se ai pranoi hapur homoseksualitetin e tij në emisionin "Big Brother". Kjo ishte e para herë në Shqipëri që një individ pranoi hapur orientimin e tij ndryshe seksual. Por rasti "Klodi" shkaktoi reagime, për të cilat ambasadorët e disa vendeve dolën në mbrojtje të hapur të Klodit. Ambasadori amerikan, John Withers, ka kërkuar përkrahje nga shoqëria për mbështetjen e këtij komuniteti, madje ka shënjestruar edhe klasën politike shqiptare, e cila heshti për rastin "Klodi". Klodian çela është ankuar se fundmi se ka marrë kërcënime dhe ka kërkuar mbrojte.