E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Birra Korça”, teknologji moderne dhe shembull në menaxhim



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbro-jtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ka zhvilluar një vizitë në Korçë, ku u njoh me investimet në sektorin agro-përpunues dhe të ushqimit. Një nga investimet më të rëndësishme në këtë qytet siç është “Birra Korça”, ai e ka vizituar me interesim të veçantë në të gjitha ambientet e fabrikës. Ministri Ruli jo vetëm që u njoh nga investitori, Irfan Hysenbelli, me gjendjen aktuale të fabrikës dhe punën në të, por edhe me projektet e ndryshme për të shfrytëzuar sa më mirë funksionin e saj në të gjitha drejtimet që kanë të bëjnë me shërbimin ndaj qytetarëve e klientëve. Teknologjia mjaft e përparuar e punës në fabrikën e “Birra Korça” u vlerësua nga ministri Ruli si një investim i teknologjisë së lartë në industrinë ushqimore. Në një intervistë për gazetën, kreu i Bujqësisë u shpreh se, duke marrë shembull nga menaxhimi modern dhe teknologjia e kësaj fabrike, Korça është potenciali më i madh në industrinë ushqimore.
Z.Ruli, ju sapo zhvilluat një vizitë në të gjitha ambientet e fabrikës “Birra Korça”. Me çfarë përshtypjesh dilni nga kjo fabrikë?
Pa dyshim që “Birra Korça” është një nga pararojat e teknologjisë në industrinë ushqimore në Shqipëri. është e veçantë jo vetëm sepse me teknologjinë moderne bashkëngjitet një emër i traditës shqiptare si “Birra Korça”, një emër ky i pazëvendësueshëm, por edhe sepse konceptet e punës dhe të menaxhimit këtu janë një dëshmi e fortë se ku duhet të ecë industria shqiptare sot. Sigurisht, nuk mund të themi që e gjithë industria e re shqiptare, e ushqimit sidomos, është pararojë, por po them me optimizëm që vitet e fundit, një pjesë e kësaj industrie po synon teknologjinë më të lartë. Nuk kemi mënyrë tjetër se si të arrijmë kohën dhe sesi të jemi konkurrues në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm në qoftë se nuk adoptojmë teknologjinë më moderne.
Ju gjatë vizitës suaj në Korçë do të njiheni me disa investime në industrinë ushqimore dhe atë të përpunimit. Në raport me këto investime si e vlerësoni fabrikën “Birra Korça”?
Unë besoj se nuk ezauroj plotësisht të gjithë potencialin bujqësor apo agro-përpunues me vizitën time të sotme në Korçë. Pa dyshim që Korça është një nga zonat me potencialin më të madh, përfshi këtu edhe fabrikën “Birra Korça”, kaq moderne dhe me një menaxhim shembullor. Unë i shikoj akoma më optimist këto investime, sepse mendoj që Korça nuk ka shfrytëzuar ende as 30% të potencialit të saj. Korça dhe zonat rreth saj kanë mundësinë të kthehen në një hambar të prodhimeve kualitative. Me natyrën e saj të mrekullueshme, Korça mund të bëhet një pioniere edhe në fushën e agro-turizmit. Uroj që korçarët të jenë edhe më shumë novatorë, siç është investimi për “Birra Korça”, sepse me zellin që kanë këtu për punë do t’ia arrijnë synimeve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›