E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet jashtë shtetit, pranga 3 falsifikatorëve të dokumenteve



TIRANE - Tre persona u arrestuan dhe dy të tjerë procedohen penalisht në gjendje të lirë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumente për studime jashtë shtetit. Policia e Tiranës ka arrestuar dje Nazmi Metën, Naim Gjoshin dhe Mariglen Nikajn, pas një hetimi disa javor që tregoi se ata falsifikonin diploma, dëftesa, patenta dhe dokumente sigurimesh, të cilat më pas i përkthente në italisht shtetasi Shaniko Hadaj. Pas përkthimit, dokumentet false noterizoheshin te noteri Pandi Prifi, i cili është marrë në hetim në gjendje të lirë. Sipas policisë, përkthyesja dhe noteri, hetohen në gjendje të lirë për shpërdorim detyre. Policia e Tiranës tha se arrestimet në kuadër të operacionit të koduar “Porta e mbyllur”, u kryen pas marrjes së informacionit për aktivitetin kriminal të tre personave. Sipas burimeve të policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë, siguronin dokumente të falsifikuara si, leje drejtimi, diploma, dëftesa, siguracione, kryesisht për persona që kërkonin të studionin jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët i përkthenin, i noterizonin pranë zyrave të noterive në Tiranë. Noterizimet dhe legalizimet e dokumenteve kryheshin pa qenë i pranishëm personi i interesuar, e në varësi të dokumenteve të falsifikuara ata përfitonin shumën që varionte nga 300 deri në një mijë euro për një dokument. Personat e arrestuar kishin siguruar një “zyrë” pranë bllokut të ambasadave dhe në zonën përreth Ambasadës Italiane në Tiranë, ku kryenin të gjitha veprimet. Ata persona që kërkonin të vazhdonin studimet jashtë Shqipërisë, duhej të dorëzonin në këtë zyrë një dëftesë të paplotësuar, listë notash të paplotësuar, diploma, formularë siguracionesh. Këto dokumente më pas plotësoheshin, përktheheshin e noterizoheshin, duke u legalizuar nga personat e arrestuar, në bashkëpunim me noterin e përkthyesen që hetohen në gjendje të lirë.

TE ARRESTUAR

1. Nazmi Meta, 38 vjeç
2. Naim Gjoshi, 38 vjeç
3. Mariglen Nikaj, 51 vjeç

NE HETIM
1. Pandi Prifti, 66 vjeç, noter
2. Shaniko Hadaj, 26 vjeç, përkthyese

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›