E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe gjykatat italiane gabojnë! Po ato shqiptare?

Koli Bele

Edmond Arapi është një nga dhjetëra mijëra shqiptarët që jetojnë në Angli, deri para disa muajsh i panjohur. Ajo që e bëri personazh mediatik 29-vjeçarin shqiptaro-britanik, me profesion “shef kuzhine”, ishte beteja ligjore me mos-ekstradimin e tij në Itali, ku ishte dënuar në mungesë me 16 vite burg, për një vrasje që nuk e kishte kryer. Mbas një odiseje 12-mujore gjyqesh, autoritetet italiane, në datë 15 qershor tërhoqën kërkesën për ekstradim, duke pranuar se kishin dënuar personin e gabuar!.Pra, gjykatat italiane pranuan gabimin që mund të kishte sjellë pasoja të pakthyeshme në jetën e Edmond Arapit, duke shënuar një rast të rrallë të anulimit të “Urdhër Arrestit Europian” nga autoritetet e vendit që e kërkojnë!
Por nuk kishin gabuar vetëm gjykatat italiane që e dënuan këtë shqiptarin vetëm mbi bazën e një telefonate të përgjuar të një shtetasi që kishte “vjedhur identitetin” e Edmond Arapit, por gaboi edhe gjyqtari anglez në Shkallë të Parë, i cili e miratoi kërkesën për ekstradim megjithëse provat tregonin qartë se ai nuk kishte qenë në Itali ditën e vrasjes, por në kafenenë ku atë kohë punonte si kamarier. Përtej detajeve ligjore të kësaj çështje, qëndron fenomeni që ka ndikuar e ndikon me fatin e qindra e mijëra shqiptarëve, të cilët janë dënuar në vendet e Europës në 20 vitet e fundit!
Dhe në rastin e Italisë, ky fenomen është shumë shqetësues pasi ky vend aplikon gjykimin në mungesë dhe me gjasa (statistikat mungojnë), shumica e shqiptarëve me identitete jo të sakta janë dënuar po në mungesë, kryesisht mbi bazën e telefonatave të përgjuara apo deklarimeve të diskutueshme të “bashkë-pandehurve” dhe me mbrojtjen e avokatëve të paguar nga shteti, cilësia e së cilëve është “e diskutueshme” në çdo vend të botës. Për të mos folur për dënimet e shtetasve shqiptarë në Greqi, po aq të diskutueshme për mungesën e garancive procedurale të mbrojtjes dhe për ashpërsinë e dënimeve.
Jo më kot, Gjykata e Strasburgut ka dënuar në shumë raste Italinë apo Greqinë, ashtu si edhe shtete të tjera europiane, për gjykimet penale në shkelje të rënda të drejtave të dënuarve për një proces të rregullt ligjor. Problemi i “gabimeve gjyqësore” është i vjetër sa edhe historia e drejtësisë penale dhe rastet janë të shumta në çdo vend demokratik, për të mos folur për vendet diktatoriale. Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet (google) për të gjetur me dhjetëra raste “famëkeqe” të gabimeve tragjike të drejtësisë penale amerikane, kur personat janë liruar mbasi kishin bërë 20 apo 30 vite burg, ose edhe janë dënuar me vdekje e më pas është provuar pafajësia e tyre. Pikërisht ky është edhe një nga argumentet kryesore për heqjen e dënimeve me vdekje në gjithë Europën dhe në pjesën dërmuese të botës demokratike.
Po të kthehemi te rasti i Edmond Arapit dhe të supozojmë se arrestimi i tij nuk do ishte bërë në Angli, por në Shqipëri, për llogari të drejtësisë italiane. Duke qenë se Kushtetuta shqiptare, ashtu si në vendet e tjera të Europës kontinentale, nuk e lejon ekstradimin e shtetasve shqiptarë, zbatohet procedura standarde, në zbatim të Konventës Europiane, Për Njohjen e Vendimeve të Huaja Penale. Për ironi, kjo konventë e rëndësishme Europiane nuk është ratifikuar nga shteti italian dhe midis dy shteteve tona është miratuar një marrëveshje dypalëshe. Mund të thuhet me siguri se vendimi i drejtësisë italiane do ishte konvertuar në 16 vite burg për Edmond Arapin, brenda afatit 3 mujor që parashikon ligji, si kohë maksimale kohë paraburgimi. Po me siguri, ai do qëndronte në qelitë e burgut, në ndryshim nga Anglia, ku kaloi 6 javë në paraburgim dhe më pas u lirua për t’u bërë pjesë e fushatës 10-mujore për të provuar pafajësinë e tij. E pra është “trishtuese”, qoftë edhe ta supozosh, se një shqiptar mund të këtë më shumë garanci në një vend të huaj, si Mbretëria e Bashkuar, sesa në atdheun e tij. Rasti i Edmond Arapit nuk është i vetmi, edhe pse mungojnë statistikat për këto çështje. Në të njëjtën procedurë, shtetasi shqiptar, po nga Fieri, me iniciale “K.B”, u arrestua nga drejtësia britanike para 4 vitesh dhe fitoi lirinë mbas disa javësh burgim, pasi gjurmët e gishtave provuan se nuk ishte ai personi që duhej të dënohej! Për fat të keq, gjyqësori shqiptar dhe në përgjithësi sistemi i drejtësisë penale në vend, në raste të ngjashme shfaqin një tendencë të qartë “inferioriteti” në raport me vendimet e gjykatave të huaja, sado problematike qofshin ato. Ky “inferioritet” manifestohet jo vetëm në njohjen automatike dhe të përshpejtuar të vendimeve të huaja, pavarësisht nga parashikimet ndaluese që përmban Konventa e Këshillit të Europës apo legjislacioni jonë procedural penal, por edhe në raportet e prokurorisë dhe gjykatave, në rastet e transferimeve të procedimeve apo kërkesave që vijnë nga autoritetet gjyqësore të huaja!
Natyrisht, arsyet nuk duhen kërkuar vetëm te prokuroria dhe gjykatat, por te mënyra se si shoqëria shqiptare dhe klasa politike e trajton problemin e të dënuarve, brenda dhe jashtë vendit, duke “harruar” se fajtor apo të pafajshëm ata janë po aq shqiptarë sa gjithë të tjerët.
Një detaj tjetër që vlen të vlerësohet në planin krahasues nga çështja e Edmond Arapit është fakti që deputeti i Parlamentit Britanik, Karen Bradley, e ngriti problemin e ekstradimit në seancën e pyetjeve me Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, duke i kërkuar mos-ekstradimin e shqiptaro-britanikut! çuditërisht, Kryeministri David Cameron premtoi se çështja do shikohej me kujdes para se Ministria e Drejtësisë t’i jepte rrugë ekstradimit për në Itali, nëse gjykatat britanike do lejonin një gjë të tillë!
E pra, a do guxonte një deputet shqiptar t’i kërkonte Kryeministrit të vendit që të ushtronte autoritetin e tij te Ministri jonë i Drejtësisë, që mos t’i jepte rrugë njohjes së një vendimi penal të huaj, kompetencë kjo ligjore e ministrit?! Neni 512/2 i Kodit Procedurës Penale të Shqipërisë përcakton se:
Ministria e Drejtësisë kërkon njohjen e një vendimi penal të huaj edhe kur çmon se në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare, ky vendim duhet të ekzekutohet ose t’i njihen efekte të tjera në shtetin shqiptar.
Kjo të thotë se Ministria e Drejtësisë ka një rol të rëndësishëm, për të luajtur dhe për këtë qëllim është krijuar Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, e cila duhet të jetë “filtri i parë” i shtetit shqiptar për këto marrëdhënie. Në fakt kjo strukturë, që nga krijimi edhe aktualisht bën vetëm rolin e “postierit”, duke e quajtur si të pranueshme çdo kërkesë që vjen nga jashtë! Në të njëjtën linjë qëndron edhe Drejtoria korresponduese në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila vitet e fundit ka marrë një rol dhe staf të reduktuar. Për të mos folur për Parlamentin shqiptar, që nuk merret me diskutimin e “temave të vogla” si çështjet e “dënueshmërisë alarmante” të mijëra shqiptarëve brenda e jashtë vendit, por vetëm me tema të mëdha si integrimi, asocim-stabilizimi, arritja e standardeve të BE-s, NATO-s, OBT-së, etj. Biles, “akuzat” kryesore të komisioni hetimor për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm para 3 vitesh ishin dënimet jo sa duhet për krimet e shqiptarëve në Europë apo më qesharakja “mos-ekstradimi i shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë shtetit”, edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejonte, edhe pse marrëveshja që u tentua të nënshkruhej më pas me Italinë për këtë qëllim nuk u ratifikua nga Parlamenti italian!
Kanë kaluar gati 20 vjet përpjekje për të bindur “partnerët europianë se i duam dhe respektojmë më shumë se veten, se vendimet e tyre politike dhe gjyqësore janë të padiskutueshme, se shteti dhe gjykatat shqiptare bëjnë çdo përpjekje për t’i dënuar në mënyrë shembullore shtetasit tanë, që shkelin ligjet europiane, biles i dënon “egërsisht” edhe nëse thjesht tentojnë të kalojnë kufijtë për në Europë! Megjithatë, “Europa” nuk na e ka kthyer dashurinë dhe respektin në të njëjtën “monedhë”, duke na lënë “të fundit në listë” në të gjitha drejtimet. Ka ardhur koha, që interesat e individëve shqiptarë, qofshin këta edhe të dënuar, të jenë prioritarë në raport me interesat “euro-atlantike”, si mënyra e vetme për të fituar fillimisht respektin ndaj vetes, dhe ndoshta rruga e njëkohshme për të fituar respektin e partnerëve europianë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›