E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton kërcënon Korenë e Veriut

Uashington - Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut duket se do të acarohen sërish pas nismës së kësaj të fundit për të lëshuar një raketë me rreze të gjatë veprimi. Reagimi i parë ka ardhur nga sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, e cila deklaroi se lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut do të jetë "shumë i papërshtatshëm" për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

Media koreanojugore njoftoi se Pheniani po përgatitet për të testuar raketën e saj me rreze më të gjatë veprimi "Taepodong-2". Zyrtarët e Koresë së Jugut kanë parashikuar gjithashtu testimin e një rakete me rreze të shkurtër veprimi pranë një kufiri detar të polemizuar, ku flotat e dy vendeve kanë luftuar në të kaluarën.

"Nëse Koreja e Veriut i përmbahet detyrimeve që ka ndërmarrë dhe asgjëson në mënyrë të plotë dhe të verifikueshme programin e saj bërthamor, atëherë do të ketë një reagim reciprok, sigurisht nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por është në dorën e tyre të vendosin nëse Koreja e Veriut do të bashkëpunojë në bisedimet gjashtëpalëshe dhe t'i japë fund retorikës dhe veprimeve provokuese. Ne po e vëzhgojmë nga afër këtë ", deklaroi Clinton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›