Klinton konfirmon mbështetjen e SHBA për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE
Ministri i Jashtëm Panariti ka takuar dje në Nju-Jork Sekretaren e DASH, Hillari Klinton, e cila ka konfirmuar mbështetjen amerikane për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendit në BE. Të njëjtin solidaritet, shefi i diplomacisë shqiptare ka marrë edhe nga homologu britanik, Uilliam Hague
Gjatë qëndrimit në New Jork, Ministri Panariti mori pjesë në darkën e shtruar nga Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, për nder të delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s. Gjatë këtij aktiviteti, Ministri Panariti zhvilloi një bisedë me zonjën Clinton, ku u rikonfirmua edhe një herë niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri Panariti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Me këtë rast, ai shprehu dëshirën që Clinton të vizitojë Shqipërinë në vigjilje të kremtimeve për 100-Vjetorin e Pavarësisë. Nga ana e saj, Clinton vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri në kuadrin e procesit të marrjes së statusit kandidat në BE dhe shprehu mbështetjen e administratës amerikane në këtë drejtim. Gjithashtu, ajo përshëndeti kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në shërbim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.
Clinton, gjithashtu, u shpreh se ky është një vit i shënuar për popullin shqiptar, duke premtuar një vizitë në Shqipëri. Ndërsa me herët Panariti u takua me sekretarin britanik të Shtetit, Uilliam Hague. Në këtë takimin me Sekretarin britanik të Shtetit, Uilliam Hague, Ministri Panariti e informoi për ecurinë pozitive të përmbushjes së kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen nga Shqipëria të marrjes së statusit kandidat në BE brenda vitit. Me këtë rast, ai kërkoi mbështetjen e qeverisë britanike për marrjen e statusit.
Nga ana e tij, Hague vlerësoi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe siguroi për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe ndanë mendime mbi zhvillimet e fundit në rajonit.
Presidenti i Shqipërisë siguron mbështetjen e zyrtarëve të lartë të rajonit për mbështetje në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së
Presidenti Bujar Nishanin takon Presidentin e SHBA Barack Obama
Në kuadër të punimeve të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani janë takuar me Presidentin amerikan Barack Obama dhe bashkëshorten e tij, Michelle Obama, pikërisht në pritjen e dhënë për krerët e shteteve dhe të qeverive pjesëmarrës në sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burimet zyrtare të Presidencës.
Ndërkohë, në kuadrin e takimeve në SHBA, Presidenti i Shqipërisë ka marrë mbështetjen e zyrtarëve të lartë të rajonit për mbështetje në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Në takimin që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi me Kryeministrin e Italisë, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera dhe ndanë mendimin se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara në thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Monti pasi shprehu konsideratën e tij për rezultatet e reformave në Shqipëri theksoi se Italia do të vazhdojë të luajë rolin e saj në mbështetje të aspiratës evropiane të Shqipërisë.
Gjithashtu, kreu i shtetit Nishani pati një takim të veçantë edhe me Presidentin e Republikës së Sllovakisë, zotin Ivan Gasparovič.
Takimi u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, situatën në rajon dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kryetari i shtetit kërkoi një zë më të fortë të Sllovakisë në mbështetje të Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria. Presidenti Nishani gjeti mirëkuptimin e plotë të homologut Gasparovič, ndaj kërkesës së tij që Sllovakia të përkrahë me zë më të fortë marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Bashkëpunimi dypalësh, situata në rajon dhe integrimi evropian ishin gjithashtu në qendër të takimit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, zotin Janez Janša.
Presidenti Nishani mori garancinë e Kryeministrit Janša, se Sllovenia do të përkrahë në mënyrë edhe më aktive kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev gjatë takimit me Presidentin Nishani shprehu bindjen se Shqipëria do të fitojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe premtoi se Bullgaria dhe ai personalisht do të vazhdojnë të mbështesin me forcë integrimin e Shqipërisë në BE.
Presidenti i Republikës zhvilloi një takim të shkurtër edhe me Kryeministrin e Mbretërisë së Butanit, Jigme Thinley, me të cilin shkëmbyen mendime për nisjen e dialogut mes dy vendeve me qëllim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit në interes të ndërsjellë.